Qytetarët do t’i ndëshkojnë ata që e dërgojnë vendin në zgjedhje, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se partitë opozitare duhet të reflektojnë. Në PDK, qasjen e partisë në pushtet e kanë cilësuar nënshtruese, e sipas AAK-së, takimet e zhvilluara mes kryetarëve të tri partive më të mëdha nuk e kishin qëllim zgjidhjen e ngërçit
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka thënë se qytetarët do t’i ndëshkojnë ata të cilët janë duke e çuar vendin në zgjedhje.
Ajo ka deklaruar të enjten se partitë opozitare duhet të reflektojnë për zgjedhjen e presidentit, për çka ka kohë deri të martën e ardhshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Është e rëndësishme që palët të reflektojnë, të kihet parasysh mesazhi që kanë dhënë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe kushdo që mendon që nëse shkojmë në zgjedhje mund të ndryshojë diçka nga ky rezultat, mendoj që e ka gabim për faktin që qytetarët e kanë dëshmuar që dinë të vlerësojnë situatat me të cilat përballemi dhe jemi përballur gjatë kësaj kohe dhe dinë të ndëshkojnë”, ka thënë Haxhiu. “Ende jemi në pritje të një konsensusi sa i përket çështjes së presidentit të ardhshëm. Mendoj që është gabim që një javë para përmbylljes së afatit për president të dilet me përfundimin se kjo çështje është e mbyllur, sepse është dashur që e gjithë kjo javë të shfrytëzohet në drejtim të arritjes së konsensusit. Vendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Situata aktuale po ngjason me atë të vitit të kaluar, kur nuk kishte vullnet për të dalë nga bllokada e krijuar”.
Por, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Vlora Çitaku, ka theksuar se zgjedhja e presidentit është duke dështuar për shkak të tendencës së partisë në pushtet për nënshtrim të opozitës.
“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht konstruktive dhe është munduar që vendit t’i japë president. Mirëpo çfarë ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht Albin Kurti, është subordinim, është nënshtrim i vullnetit politik të deputetëve karshi tij, e një gjë e tillë nuk ndodh. Tashmë është e qartë, vendi pashmangshëm po shkon drejt zgjedhjeve, mirëpo është vetëm një adresë e përgjegjësisë dhe ajo është Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ajo.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se parti që nuk kanë deputetë as për të paraqitur një kandidaturë për president janë duke e kërkuar këtë pozitë. Ai gjithashtu ka paralajmëruar cikël të njëpasnjëshëm zgjedhjesh në rast të dështimit të Legjislaturës së dhjetë për ta votuar një president.
E sipas shefes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, deklarimet e kryeministrit e konfirmojnë se ai është përgjegjës për dështimin e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Deklaratat që zotëri Kurti për cikël të zgjedhjeve, e tregojnë me gjasë edhe tendencën e tij dhe e shpjegojnë krejt idenë mbrapa. Ne sot sapo e përfunduam mbledhjen e Kryesisë dhe pamë një agjendë të ngjeshur që po sillen anëtarë të rinj të bordeve dhe ka një shpërfaqje totale të tendencës për kapje institucionale. Krejt kjo dinamikë e shpjegon që ne jemi duke shkuar në zgjedhje”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se edhe takimet që Kurti i ka zhvilluar me kryetar të PDK-së dhe LDK-së nuk e kanë pasur qëllim zgjidhjen.
“Asnjëherë, prej kur ka filluar diskutimi për president, nuk ka pasur konsultim serioz, nuk ka pasur qëllim të vijë te një president, i cili ka pasur tipare unifikuese dhe konsensuale. Ajo që është diskutuar për dy muaj rresht është për Qeverinë e Kosovës, a do dikush ta marrë përsipër të jetë në Qeverinë e Kosovës, por jo që të vijë te një emër konsensual. Prandaj, çkado që shihni, çkado që dëgjoni, është vetëm për konsum publik, që ta bëjnë një lajm dhe është lojë e hedhjes së fajit”, ka theksuar Tahiri.
Pas dështimit të negociatave mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dy kanë bërë të ditur se nuk do të zhvillojnë më takime për çështjen e presidentit.
Më pas, edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka konsideruar të mbyllur angazhimin e partisë që udhëheq në këtë proces.
Nëse deri më 28 prill deputetët nuk arrijnë të përmbyllin suksesshëm procesin, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve.