Kuvendi i Kosovës në mbledhjen konstituive, mbajtur të mërkurën në mbrëmje, zgjodhi kryetaren dhe pesë nënkryetarët, e pak orë pas saj në seancë të jashtëzakonshme edhe Qeverinë e re. Kryeparlamentare u zgjodh Albulena Haxhiu e kryeministër Albin Kurti, të dy nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që në zgjedhjet e 28 dhjetorit fitoi 51 për qind të mbështetjes qytetare. Fuqia e numrave në Kuvend ua bëri të lehtë edhe njërit edhe tjetrit të sigurojnë nga 66 vota
Kosova bëhet me institucione të reja pas gati një vit pa Kuvend funksional e me qeveri në detyrë, dhe afro dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Në seancën konstituive mbajtur të mërkurën, Kuvendi ka zgjedhur kryetaren dhe pesë nënkryetarët, e pak para mesnatës të së njëjtës ditë edhe Qeverinë e re.
Kryetare e Kuvendit me 66 vota për, 44 kundër e 8 abstenime është zgjedhur Albulena Haxhiu. Ndërsa pesë nënkryetarët për të cilët u votua në pako, u zgjodhën Ardian Gola (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK), Slavko Simiq (komuniteti serb) dhe Emilja Rexhepi (komunitetet e tjera pakicë).
Konstituimi i Kuvendit i hapi rrugë votimit të Qeverisë së re. Pas mandatimit të kandidatit të propozuar nga LVV-ja, Albin Kurti, u mbajt seancë e jashtëzakonshme.
Për kabinetin e ri të propozuar nga Kurti votuan 66 deputetë, ndërsa 49 deputetë ishin kundër. Abstenime nuk pati.
Haxhiu me fjalim përbashkues: Dera ime është e hapur për çdo deputet
Albulena Haxhiu në zgjedhjet e fundit ka marrë 174 mijë vota dhe ishte kandidatja grua më e votuar për deputete. Në legjislaturën që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025, Haxhiu është propozuar nga LVV-ja gjashtë herë rresht për kryetare të Kuvendit, por nuk ka marrë votat e mjaftueshme.
Në fjalimin e parë pas marrjes së detyrës së re, Haxhiu dha mesazh përbashkues.
U kërkoi deputetëve t’i tejkalojnë ndasitë politike në temat, ku sipas saj, preket e ardhmja e vendit.
“Pavarësisht që dallimet tona janë reale, përgjegjësitë i kemi të përbashkëta. Kuvendi është vendi ku përballen dhe merren vendimet por ky institucion përtej rregullave dhe procedurave është vendi ku qytetarët e matin seriozitetin tonë. Ata e shohin nëse dimë të dalim nga llogaritjet ditore kur preket e ardhmja e vendit. Prandaj ju ftoj që debatet t’i zhvillojmë me argumente, kritikat t’i shoqërojmë me papërgjegjësi dhe dallimet t’i mbajmë brenda respektit të ndërsjellë. Nuk është e nevojshme të mendojmë njësoj por është e domosdoshme të punojmë në të njëjtin drejtim në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Haxhiu.
Ish-ministrja e Drejtësisë në mandatin e kaluar u zotua se detyrën e kryetares do ta ushtrojë me paanshmëri, integritet dhe përkushtim të plotë institucional.
“Dera ime do të jetë e hapur për çdo deputet që sjell ide, kritikë apo propozim që e forcon një kuvend funksional dhe një republikë moderne. Ju ftoj që dallimet tona politike t’i kthejmë në energji që na shtyn përpara me përgjegjësitë e mëdha që na presin”, ka thënë kryetarja e re e Kuvendit.
Haxhiu shprehu pritshmërinë që katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të lirohen, në procesin gjyqësor që është drejt fundit.
“Ne sot debatojmë lirshëm në këtë sallë falë sakrificës së madhe të popullit tonë për liri, përfshirë luftën çlirimtare të UÇK-së. Sot këtu vijmë pasi gjatë tërë ditës kishim seancën ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Historia e popullit të Kosovës është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim, dihet kush ka qenë agresori, kush ka bërë krime. Ato krime janë kryer nga Serbia që kurrë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze, përkundrazi kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend, dhe që këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë”, ka thënë ajo.
Abdixhiku thotë se LDK-ja do të jetë zë i arsyes
Mbledhja konstituive ishte caktuar të nisë prej orës 12. Por, në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ajo u zhvendos për në orën 17:00, për shkak se gjatë ditës po mbahej deklarata përfundimtare e mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit në Hagë.
Para nisjes së seancës, deputetët e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku dhe Përparim Gruda, dhanë propozimin për miratimin e një rezolute për procesin në Hagë, qysh në seancën e parë të punës së Kuvendit të ri.
Gruda ka thënë se kjo rezolutë kërkon që procesi në Hagë të kthehet në binarë të standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Ai ka kërkuar që në këtë drejtim edhe Avokati i Popullit ta përmbushë detyrën e tij.
Menjëherë pas konferencës së deputetëve të PDK-së, nisi seanca konstituive, u formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve si pikë e parë e rendit të ditës.
Betimi i deputetëve u pasua nga zgjedhja e kryetares. Ndryshe nga legjislatura e fundit u përmbyll shpejt edhe zgjedhja e nënkryetarëve, përfshirë edhe atij nga komuniteti serb.
Pas konstituuimit të Kuvendit, kanë reaguar përfaqësues të disa subjekteve politike.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia që e udhëheq do të jetë zëri i arsyes në Kuvend.
“Me përgjegjësi të plotë dhe vetëdije të lartë për besimin e marrë, përfaqësuesit tanë, e nisin mandatin të përkushtuar ndaj ligjshmërisë, demokracisë dhe interesit publik. LDK do të jetë zë i arsyes, i stabilitetit institucional dhe i shtetit funksional, në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj, në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka komentuar votimin e nënkryetarëve në pako.
“AAK në dy votime abstenoi për shkak se edhe atëherë edhe tash është pro konstituimit të Kuvendit. Ka dhënë alternativa dhe propozime që mos të vijë në këtë ditë kur Kosova humbi dhe kur qytetarët i morën rezultatet dhe u dëmtuan skajshmërisht. Kjo pako e nënkryetarëve padyshim që zgjodhi një problem. Kjo pako ishte një lloj synimi i kamuflimit të votimit për nënkryetarët, në një kohë Slavko Simiqi, nuk është pranuar, ai u quajt terrorist kur ishte vetëm, ndërkohë kur hyri në pako u votua. Kjo është një situatë të demaskohet dhe t’i thuhet qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Kurti premton investime 1 miliard euroshe në mbrojtje
Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur të mërkurën ka votuar për formimin e Qeverisë Kurti 3. Seanca për formimin e Qeverisë është mbajtur pas seancës konstituive ku është inauguruar legjislatura X e dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor dhe pas mandatimit për kryeministër të Albin Kurtit nga presidentja Vjosa Osmani.
“Sot, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, kam caktuar kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. I uroj suksese në udhëheqjen e Qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ju priftë e mbara”, ka njoftuar Osmani, para se të nisë seanca për formimin e Qeverisë.
E i mandatuari për kryeministër Albin Kurti, ekspozenë e tij në Kuvend e ka nisur duke thënë se propozimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënim të ish-krerëve të UÇK-së me nga 45 vjet burgim bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare.
Ai ka sqaruar se seanca për formimin e Qeverisë dhe ajo konstituive e Kuvendit janë mbajtur në orët e vona për shkak të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit.
“Kërkesa e prokurorisë për dënimin prej 45 vjetësh burgim për secilin ku përfshihen edhe pretendimet për krime kundër njerëzimit është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës që unë drejtoj mbetet i qartë, në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare, ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm”, ka thënë Kurti.
Në ekspozenë para deputetëve Kurti ka premtuar se në katër vjetët e ardhshëm të qeverisjes së tij do të investojnë 1 miliard euro në mbrojtje.
“Në katër vjetët e ardhshëm do të forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishojmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë ‘Made in Kosova’”, ka premtuar Kurti.
Kurti ka folur edhe për procesin e dialogut duke thënë se normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv e kreativ.
“Normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv e kreativ, përmes marrëveshjes sonë bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Por siç kemi vepruar në katër vjetët e kaluar, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve, pra si raport bilateral i jashtëm e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme. Qeveria do të mbrojë dhe do të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në çdo cep të vendit tonë”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Procesin e Berlinit.
“Do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal mbi bazën e barazisë dhe të përfaqësimit të barabartë sepse besojmë që fqinjësia e mirë evropiane dhe bashkëpunimi rajonal i kontribuojnë si paqes ashtu edhe sigurisë. Do të punojmë me këdo që shtrin dorën e bashkëpunimit mbi bazën e respektit të ndërsjellët”, ka theksuar Kurti.
Ai ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të nisin projektin “Superpuna”, ndërsa mbështetja sipas tij nuk do të mungojë as për të moshuarit.
“E për gjithë progresin e bërë në zvogëlimin e pabarazisë përmes shtesave për lehona. Do të fillojë projekti ‘Superpuna’ për gratë. Që kur punësohet një grua qeveria mbështet në lartësi pagës minimale 500 euro për 6 muaj. Gjyshërit që kujdesen për fëmijët marrin nga 100 euro shtesë muaj mbi pensionin bazë. Jo vetëm ndihmojmë prindërit, gjyshërit por edhe familjen e ekonominë”, ka thënë Kurti.
Tahiri i drejtohet Kurtit: A e di që ke themeluar kabinet qeveritar të përmasave të Kinës?
Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka kritikuar të mandatuarin për kryeministër, Albin Kurti, për kabinetin qeveritar që e prezantoi para deputetëve. Ai ka thënë se kabineti i prezantuar është akomodim i një pushteti që synim e ka të shtyjë një agjendë puro partiake. Tahiri ka shtuar se kabineti i paraqitur nga Kurti është më numër të madh ministrash për një shtet si Kosova.
“Jemi sot këtu në një ditë kur si deputetë do të duhej të reflektonim mbi një program, një ekspoze, kabinet të kësaj qeverie që as nuk e kemi pas, as nuk e kemi lexuar por e kemi dëgjuar prej kandidatit për kryeministër në këtë foltore. Bile, bile i lexoi aq shpejt sa që u habita që kjo është qeveria më e madhe. Qeveria që i ka 21 ministra e zv.kryeministra, një kabinet prej 21 anëtarëve. Kryeministër a e di çka ke thënë kur e ke marrë mandatin, a e di që ke themeluar një kabinet qeveritar që është i përmasave të një shteti të Kinës, jo Kosovës?”, u shpreh ai.
AAK-ja është shprehur paraprakisht se nuk do të votojë për qeverinë e re.
Mbështetje formimit të Qeverisë Kurti 3 nuk i ka dhënë as Lista Serbe që numëron 9 deputetë. Igor Simiqi deputet i këtij subjekti e ka akuzuar Qeverinë e kaluar që po ashtu drejtohej nga Kurti për shkeljen e të drejtave të popullit serb.
“E shfrytëzoj këtë rast të them se serbët e Lista Serbe nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar me të cilët kemi jetuar, jetojmë e do të jetojmë. Por, do të jemi kundër politikave që kanë synim dëbimin e popullit tonë”, ka thënë Simiq.
Ka kritikuar ekspozenë e të mandatuarit që nuk ka përmendur askund serbët, e po ashtu edhe propozimin e Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete e Kthim.
“Ai mandatin në Parlament e ka marrë me vota në vende ku me dekada s’ka serbë. Nuk ishin vota serbe. Keni të drejtë ta emëroni ministër, por e dini se kurrë s’do të jetë ministër që përfaqëson serbët. Për të gjitha këto që keni bërë, për shkeljet e bëra, Lista Serbe s’do ta përkrahë formimin e kësaj qeverie”, tha Simiq.
PDK-ja zotohet të përkrahë çështjet e rëndësisë nacionale dhe marrëveshjet ndërkombëtare
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e pranon rolin e saj në opozitë, por se nuk dorëzohet. Ai ka shtuar se partia po ashtu është e gatshme për bashkëpunim institucional në Kuvend për tema më madhore.
“Uroj që kjo detyrë të ushtrohet me pjekuri, durim dhe vetëdije për rolin që ka Kuvendi në jetën demokratike të Kosovës. LDK shpreh gatishmërinë për bashkëpunim institucional në Parlament për tema që tejkalojnë aritmetikën parlamentare sepse besojmë se stabiliteti i shtetit ndërtohet me maturi, respekt për opozitën dhe vetëdije se demokracia nuk është vetëm çështje numrash por çështje e kulturës politike”, ka thënë ai para deputetëve.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se në seancën e parë të rregullt të legjislaturës së re të Kosovës do të kërkojë që të miratohet një rezolutë me të cilën do të kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare e respektim të të drejtave të njeriut, për të akuzuarit në Hagë.
Ai ka kërkuar mbështetje të plotë për këtë rezolutë, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë liderëve partiakë e institucionalë që të marrin pjesë në marshin e 17 shkurtit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Hamza ka thënë se PDK-ja do të frenohet nga debati në seancën konstituive, ndërsa ka thënë se PDK-ja do t’i japë përkrahje për gjetje konsensusi për çështje të rëndësisë së madhe, siç është edhe çështja e presidentit dhe ajo për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Përkrahja për konsensus nuk është shenjë dobësie, por përgjegjësi shtetërore. Ne do të japim kontributin tonë për marrëveshje në të mirë të Kosovës, por pa bërë kompromis me interesin shtetëror”, u shpreh kryetari Hamza.
Hamza ka thënë se PDK-ja do të përkujdeset për ruajtjen e çfarëdo tendence për shkelje të Kushtetutës, ndërsa ka thënë se në të kaluarën dhjetëra ligje të kaluara në Kuvend janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu ka thënë se PDK-ja do të mbrojë pa kompromis interesin publik, rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ndërsa ai ka thënë se ka dëgjuar ekspozenë e të mandatuarit për qeverinë e re, Albin Kurti, duke thënë se është më shumë premtime e ka çështje që nuk ka bazë nga të financohen.
Ai ka thënë se duhet vepruar pasi Kosova po zbrazet.
Presidenti/ja, hapi i ardhshëm
Pas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë së re, deputetët i pret edhe një detyrë tjetër përpara: zgjedhja e presidentit të ri.
Presidenti i ri duhet të votohet deri më 4 mars – data e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Presidentja Osmani ka mandat deri më 4 prill, porse presidenti i ri nuk mund të zgjidhet më vonë se 30 ditë para kësaj date. Osmani ka shprehur synimin që të jetë në krye të shtetit edhe për një mandat pesëvjeçar. Megjithëkëtë, mbetet e paqartë nëse ajo do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme.
Osmani është kritikuar disa herë gjatë mandatit të saj se ka mbajtur anë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një intervistë të dhënë në fund të dhjetorit, ajo ka thënë që në rast se nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.
E kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka thënë për mediat ditë më parë se ka biseduar me Osmanin për çështjen e presidentit, por që, sipas tij, duhet të ekzistojë një raport i ri me partitë në opozitë për çështjen e kreut të ri të shtetit.
Në bazë të Kushtetutës, presidenti i ri zgjidhet nëpërmjet votimit të fshehtë dhe kushdo që dëshiron të garojë duhet t'i mbledhë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve. Udhëheqësi i shtetit zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, por nëse në këto dy votime nuk ka numra të mjaftueshëm, atëherë në rundin e tretë zgjidhet ai kandidat që merr shumicën e votave të deputetëve.
Në rast se dështon zgjedhja e presidentit, me automatizëm shpallen zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.