Arbëri

Haxhiu: Institucionet do të ndërmarrin veprime në veri, nëse shkelet obligimi për respektimin e simboleve

Pas përfundimit të procesit të kalimit të pushtetit në komunat veriore, në Prishtinë janë dhënë mesazhe për kryetarët që i takojnë Listës Serbe. Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se do të ndërmerren veprime në rast se preken simbolet shtetërore.

Pavarësisht se një ditë më parë në komunat e veriut kaloi pa tensione dhe konform kushtetutës kalimi i pushtetit tek kandidatët e Listës Serbe që fituan zgjedhjet lokale, është shprehur drojë se nga ta mund të priten veprime që cenojnë rendin kushtetues.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për Kosovapress se institucionet do të reagojnë nëse ndërmerren veprime të këtilla.

Haxhiu ka insistuar se Lista Serbe ka mbetur e njëjtë, pavarësisht se i është ndryshuar udhëheqja pas sulmit terrorist në Banjskë, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radoiçiq, i cili atëkohë ishte nënkryetar i këtij subjekti politik që ka mbështetjen e Serbisë.

Prandaj, theksoi se ndërkombëtarët duhet ta mirëkuptojnë Vetëvendosjen që është kundër certifikimit të kësaj partie, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Ata e dinë se kryetari formal i Listës Serbe është kryeterroristi Milan Radoiçiq, i cili nuk po dorëzohet nga Serbia në Republikën e Kosovës. Rrjedhimisht, Lista Serbe dirigjohet nga Radoiçiq dhe nga Vuçiqi. Në këtë drejtim, ju e dini se asnjëherë Lista Serbe nuk është distancuar nga sulmi terrorist...”, ka shtuar ajo.

Në mbledhjen e 2 dhjetorit KQZ-ja nuk e certifikoi Listën Serbe, meqë krahas votës kundër që dhanë dy anëtarët e Vetëvendosjes, abstenuan shtatë anëtarë të tjerë. Vendimi nxiti reagime të mëdha ndërkombëtare.

E, të premten PZAP-ja e urdhëroi KQZ-në ta konfirmojë certifikimin, pasi konsideroi se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.