Arbëri

Haxhiu: S’hyjmë në pazare, nëse refuzohemi shkojmë në zgjedhje

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se partia e saj nuk do të pranojë “kërkesa irracionale” për të arritur numrin prej 61 deputetësh në Kuvend për koalicion qeverisës. Ajo ka thënë se VV-ja nuk do të hyjë në pazare për të krijuar qeverinë në momentet e fundit.

Në “Interaktiv” të KTV-së ajo ka përsëritur se LVV-ja i ka dërguar ofertë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Nismës. Megjithatë, ka shtuar se VV-ja nuk mendon se duhet të hyjë në qeveri “vetëm sepse duhet të bëhet Qeveria”. 

“Po veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi. Nuk kemi 61 numra, i kemi 48 deputetë. I kemi edhe partnerë deputetët joshumicë joserbë, dhe po bëjmë përpjekje që t’i sigurojmë numrat. Megjithatë kjo nuk do të thotë që do të pranojmë kërkesa irracionale. Nuk do të thotë se do të hyjmë pazareve, nuk do të thotë se ne do të futemi në qeveri vetëm sepse duhet të bëhet qeveria. Në qoftë se ka refuzime, vendi shkon në zgjedhje sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Qeveria është tejet e rëndësishme që të votohet brenda afatit kushtetues. Nëse jo shkojmë në zgjedhje pastaj qytetarët i vlerësojnë veprimet tona politike”, ka thënë ajo.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, është mandatar për një qeveri të re, pas konstituimit të Kuvendit nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai ka kohë deri të dielën të çojë në Kuvend ekipin qeverisës dhe të sigurojë shumicën për të qeverisur. Deri tash zyrtarisht nuk ka marrëveshje që ia siguron numrin prej 61-votash. Lëvizja Vetëvendosje i ka 48 deputetë. Ai e ka përkrahjen edhe prej 7 deputetëve të komunitetit joserb si dhe të Nenad Rashiqit. E i duhet t’i sigurojë edhe së paku 5 deputetë. Ditë më parë Kurti pranoi se për marrëveshje koalicioni Nisma ia ka kërkuar postin e kryeparlamentarit, ndërsa u shpreh se nuk mund t’ia lejojë këtë post një partie me tre deputetë. E kërkesës për koalicion, LDK-ja i është përgjigjur negativisht.


Haxhiu: S’i ka faj VV-ja Abdixhikut që LDK-ja doli parti e tretë

Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar “shkëputje nga ajo që e do elektorati i LDK-së”, refuzimin që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ia ka bërë mundësisë së bashkëpunimit me Vetëvendosjen.

Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar publikisht LDK-së ftesë për koalicion qeverisës. Por partia e Abdixhikut ka refuzuar. E Haxhiu ka thënë se Abdixhiku në deklaratat e tij po kombinon “arrogancën me cinizmin dhe po kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje”.

“Jam shumë e bindur që z.Abdixhiku nuk i beson vetë atyre që i ka thënë për Lëvizjen Vetëvendosje. Sanksionet e BE-së nuk janë faji i qeverisjes sonë. Janë të padrejta. Për sa kohë kemi shprehur hapur qëndrimet tona për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në pjesën veriore të vendit tonë, ne asnjëherë nuk kemi pasur mbështetjen e partive opozitare. Kemi shprehur tashmë qëndrim të qartë se cilat janë partitë politike me të cilat mund të kemi koalicion - një nga to ka qenë LDK-ja. Kemi thënë se në këtë kohë nuk preferojmë koalicion me PDK-në. Shpeshherë kryetari i LDK-së komplet i shkëputur nga ajo çka elektorati i LDK-së, do. Është një arrogancë. Nuk i ka faj Lëvizja Vetëvendosje Abdixhikut që ka dalë partia e tretë”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.

Haxhiu ka thënë se elektorati i LDK-së nuk e mbështet refuzimin e Abdixhikut.

Haxhiu ka thënë se në kërkesën e VV-së për bashkëqeverisje me LDK-në ka qenë në pyetje edhe çështja e presidentit.

Ajo ka refuzuar të japë përgjigje për qëndrimin e Vetëvendosjes për presidentin e ardhshëm. Sipas saj nuk ka pasur diskutim të tillë brenda organeve të partisë. Ajo megjithatë ka thënë se e vlerëson rolin që presidentja Vjosa Osmani ka pasur gjatë mandatit të saj.


Haxhiu: E papranueshme që dikush me tre deputetë të marrë më shumë se që i ka dhënë populli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se “pushtet mund të kesh aq sa e ke peshën politike” kur ka komentuar kërkesën e Nismës që ta marrë postin e kryeparlamentarit për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.

“Pushtet mund të kesh aq sa e ke peshën politike. Ne kemi konsideruar që Nisma ka 3 deputetë në Kuvend, mund t’i takojë ta zëmë propozimi për nënkryetar të Kuvendit. Kemi konsideruar se aq është fuqia politike e Nismës. Nuk jemi pajtuar assesi as me kërkesat e Nismës që ka bërë për Qeverinë e për kryetar Kuvendi, sepse kemi konsideruar që duhet të mishërohet vullneti i popullit në Kuvend dhe kemi insistuar në të drejtën tonë”, ka thënë ajo të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, është mandatar për një qeveri të re, pas konstituimit të Kuvendit nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai ka kohë deri të dielën të çojë në Kuvend ekipin qeverisës dhe të sigurojë shumicën për të qeverisur. Deri tash zyrtarisht nuk ka marrëveshje që ia siguron numrin prej 61-votash. Lëvizja Vetëvendosje i ka 48 deputetë.. Ai e ka përkrahjen edhe prej 7 deputetëve të komunitetit joserb si dhe të Nenad Rashiqit. E i duhet t’i sigurojë edhe së paku 5 deputetë.

Pavarësisht se afati po rrjedh drejt fundit, VV-ja ende s’ka siguruar marrëveshje me asnjë parti. E edhe pse është pranuar publikisht për mospajtime për kushtet e marrëveshjes, Haxhiu ka thënë se ende nuk mund të përjashtohet një marrëveshje me Nismën.

“Asnjëherë nuk them se Nisma përjashtohet, sepse ende ka mundësi që të tërhiqen nga kërkesat që janë në shpërputhje me fuqinë e tyre”, ka thënë tutje ajo. “As nuk po fyej, as nuk po tregoj arrogancë, vetëm po konsideroj që është e papranueshme për Vetëvendosjen që dikush që i ka tre deputetë... kush jemi ne t’i japim dikujt më shumë se që i ka dhënë populli”.

Haxhiu po ashtu ka komentuar edhe çështjen e mbështetjes nga deputetët e komuniteteve joserbe, Duda Balje e Veton Berisha. Sipas saj, për këtë përgjegjësia i takon Kurtit si mandatar që të flasë me deputetët.