Arbëri

Haxhimusa: Importi i rrymës pothuajse është katërfishuar në pesë vjetët e fundit

Adhurim Haxhimusa

Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se në pesë vjetët e fundit pothuajse është katërfishuar importi i energjisë elektrike krahasuar me pesë vitet paraprake. Ai u shpreh se rritja dramatike e importit të energjisë elektrike në Kosovë është shoqëruar me dominimin e tregut nga një kompani e vetme, “NOA Energy”. Për këtë, ai ka thënë se duhet hetuar pse kjo kompani ka krijuar monopol.

Ai shpalosi disa të dhëna, duke treguar se mga viti 2015 deri në vitin 2020, Kosova ka importuar energji në vlerë prej rreth 270 milionë eurove, ndërsa nga viti 2020 deri në vitin 2025 kjo shifër është rritur në afro 840 milionë euro – gjatë kohës sa ka qeverisur Lëvizja Vetëvendosje.

Haxhimusa ka folur për debatin e ditëve të fundit lidhur me akuzat se Kosova po vazhdon të blejë rrymë nga Serbia, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje pretendon se në mandatin e saj ka pasur “më së paku blerje nga Serbia”, duke thënë se për këtë temë nuk mund të ketë përgjigje përfundimtare pa transparencën e autoriteteve përgjegjëse.

Sipas tij, vetëm Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka autoritet dhe të dhëna të sakta për të treguar realisht se nga vjen energjia elektrike.

“Besoj që të vërtetën e dinë vetëm ZRRE-ja. Ajo është kompetente dhe i ka mekanizmat për me i dhënë përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje. Të dhënat që i përcjellim ne nga platformat e ndryshme është e vështirë për ta parë se nga po vjen energjia sepse energjia elektrike nuk është si produkt i zakonshëm që blihet në çdo market por është shërbim shumë më kompleks”, deklaroi ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Haxhimusës, importi i energjisë nuk mund të shihet vetëm nga vendi i blerjes, sepse lëvizja fizike e energjisë dhe marrëveshjet tregtare janë dy procese të ndryshme.

“Nëse rryma po vjen nga Serbia, nuk do të thotë që ajo prodhohet në Serbi. Edhe nëse jemi t’u e ble në Serbi, ka mundësi që ajo energji mos me rrjedh direkt prej Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se tranziti i energjisë kalon përmes rrjetit rajonal dhe ndjek rrugën ku është më lehtë të lëvizë.

Ai jep edhe shembullin e “importit në letra”.

“Nëse një kompani prej Tiranë blen energjinë në Serbi apo kudo tjetër, ajo tregohet si energji elektrike shqiptare por në realitet energjia elektrike krejt është diku tjetër”, ka treguar eksperti.

Haxhimusa ngriti edhe shqetësimin për mungesën e konkurrencës në importin e rrymës, duke përmendur kompaninë NOA si lojtar dominues në tregun kosovar.

“Pse KEDS, KESCO dhe kompanitë tjera që e blejnë rrymën në Kosovë e blejnë prej NOA-s? Në dy-tre vjetët e fundit shihet një monopol i NOA-s. Çka është t’u e pengu këtë proces që mos me u licencu kompani të tjera?”, pyeti ai.

Sipas tij, kjo situatë është alarmuese sepse krijon rrezik për sigurinë energjetike të vendit.

“Kur e mbizotëron 90% të tregut, ai ka fuqi të mëdha financiare. Flasim për një kompani që brenda një periudhe shumë të shkurtë ka mbërri qindra miliona dhe ajo ka fuqi shumë të madhe financiare dhe mundet me shantazhu të gjithë sistemin elektro-energjetik”, ka thënë ai.

Haxhimusa thotë se rritja e importit ka ardhur paralelisht me rënien e blloqeve të termocentraleve në KEK (Kosova A dhe B), gjë që ka detyruar vendin të blejë më shumë energji, si në megavat ashtu edhe në vlerë monetare.