Ideja e Qeverisë në detyrë të Kosovës për gazifikimin e thëngjillit është vështirë i realizueshëm për shkak të mungesës së financimit, politikave mjedisore të Bashkimit Evropian dhe konkurrencës nga gazi amerikan që do të vijë në rajon, ka vlerësuar njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa.
Ai ka thënë se projekti për gazin e lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një alternativë konkrete që mund të realizohet nëse ka angazhim institucional.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Projekti i gazit të lëngshëm nga SHBA-ja është projekt konkret i cili mund të materializohet brenda pesë vjetëve në një shkallë më të lartë, ndërsa në një shkallë më të ulët mund të realizohet brenda dy vjetëve nëse kemi një angazhim institucional”, ka thënë Haxhimusa në “60 Minuta” të KTV-së.
Në anën tjetër, ai e ka cilësuar gazifikimin e thëngjillit si një ide që mund të diskutohet, por jo si një projekt lehtësisht të zbatueshëm.
Sipas tij, një nga pengesat kryesore është sigurimi i financimit, pasi institucionet financiare ndërkombëtare kanë ndalur investimet në projekte që lidhen me thëngjillin.
“Ky ka qenë edhe problemi me financimin e projektit të Kosovës së Re. Nuk e di cilat burime financiare mund t’i përdorë Kosova për ta realizuar këtë projekt”, ka deklaruar ai.
Haxhimusa ka shtuar se një mundësi e vetme do të ishte investimi i mjeteve publike nga Qeveria e Kosovës, por edhe në këtë rast ai dyshon se gazi i prodhuar nga thëngjilli do të ishte konkurrues në tregun vendor dhe rajonal për shkak se gazit amerikan.
“Ndoshta Qeveria e Kosovës mendon me investu mjete vetanake, me fut paranë publike atëherë ndoshta mund të realizohet... por dyshoj se ky gaz do të jetë konkurrues në tregun vendor e në rajon hiç se hiç me gazin amerikan”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar gjithashtu se projekti i gazifikimit të thëngjillit bie ndesh me politikat mjedisore të Bashkimit Evropian, gjë që sipas tij mund të krijojë pengesa shtesë në rrugën e integrimit evropian të Kosovës.
Derisa SHBA-ja ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal për gazin amerikan, Qeveria në detyrë ka dhënë një propozim tjetër. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në prill ka deponuar në Ambasadën Amerikane një kërkesë për mbështetje për projekte që lidhen me gazifikimin e qymyrit, duke u thirrur në rezervat e mëdha të linjitit dhe në politikat e presidentit Donald Trump për mbështetjen e industrisë së qymyrit.