Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dakaj: Osmani nuk ka reaguar kurrë ndaj sulmeve ndaj mediave

Shkelzen Dakaj

Gazetari Shkëlzen Dakaj ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani gjatë mandatit të saj pesëvjeçar nuk ka reaguar asnjëherë ndaj sulmeve ndaj mediave e as ndaj linçimeve publike.

Sipas tij, Osmanit i ka munguar guximi të reagojë edhe kur sulmi ka ndodhur nga pushteti ndaj opozitës dhe zërave kritikë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në pozitën e saj si presidente, ka ngecje të mëdha dhe mendoj se duhet dhënë kritika të forta. I ka munguar guximi, sidomos në ato temat për të cilat ne në vazhdimësi e kemi kritikuar. Kurrë nuk ka pasur ndonjë periudhë ku janë cenuar më shumë shtyllat e demokracisë. Ku është sulmuar media, ku ka pasur linçime të jashtëzakonshme publike prej të tëra anëve. Ku sulmi ose një pushtet i cili sulmon në të tëra anët opozitën dhe të gjithë akterët tjerë e të gjithë zërat kritikë. Duke qenë roli i saj mbi palët, duke përfaqësuar një lloj uniteti, Vjosa Osmani nuk ka reaguar asnjëherë për këto tema. Për shkak se në vitin e parë dhe të dytin ka jetuar me madhështinë e saj të votës dhe popullzimit që e ngërtheu fryma e Lëvizjes Vetëvendosje. Më pas mendoj se i ka munguar edhe guximi. Në ato tema ku ka goditur Lëvizja Vetëvendosje, i ka munguar guximi të reagojë”, është shprehur Dakaj. 

Sipas tij, Osmani ka punuar pozitivisht sa i përket përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke i ruajtur balancat me këtë bashkësi.


Rrusta: Vjosa Osmani nuk është fytyra e njerëzve të Kosovës

Anëtarja e Partisë Socialdemokrate, Teuta Rrusta, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani nuk është fytyra e njerëzve të Kosovës.

Në debatin mbi temën “Pesë vjetët e presidentes Vjosa Osmani” në “Konfront” të KTV-së, Rrusta ka thënë se Osmani do të duhej të kishte bindje të caktuar politike, gjë që sipas Rrustës, i mungon.

Ajo ka shtuar se Osmani e ka luajtur rolin e lehtësueses së proceseve për kryeministrin Albin Kurti dhe më pas është zhdukur.

“Politikisht kur përfaqëson, nuk mjafton vetëm të jesh korrekt në kuptimin a ke vjedhur ajo jo, por sa po merakosesh për njerëzit për të cilët ti po flet. Mendoj se Vjosa Osmani nuk është hiç fytyra e njerëzve të Kosovës. Ideja është të jetë një president që e ka një autonomi dhe bindje të caktuar për të cilën edhe lufton edhe beson. Për çka lufton, beson, ku i ka rrënjët e besimit të vet politik Vjosa Osmani? Mua më vjen shumë keq që në krejt proceset politike Vjosa Osmani është vetëm lehtësuese e proceseve që u kanë dashur kryeministrit t’i bëjë. Lehtësuesi që zhduket, pra e lehtëson procesin por pastaj nuk është subjekt, nuk është e rëndësishme”, ka thënë ajo.


Muhaxhiri: Osmani ka shpresuar që LVV-ja do t’ia japë një mandat të dytë

Analisti politik Artan Muhaxhiri vlerëson se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpresuar që ta ketë përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje për ta marrë edhe një mandat. 
Muhaxhiri në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Osmani ka qenë plotësisht në frekuenca me kryeministrin Albin Kurti. 

“Ju kujtohet largimi i znj. Valdete Daka, çështja e kryeprokurorit, më pas edhe data e zgjedhjeve të cilën e pranoi edhe ajo vetë. Ishin disa momente shumë të rëndësishme që ka qenë plotësisht në sinkron me Lëvizjen Vetëvendosje...Kishte shumë elemente që i kanë shkuar në favor të plotë. Por, besoj u bë për shkak të idesë së përgjithshme se mund ta ketë një mandat të dytë. Ka qenë ide, pasi nuk është menduar se do t’i konvenonte z. Kurti që ta largojë presidenten Osmani, pasi mund të hyjë në probleme shumë të mëdha e të dalë i dobësuar nga çarja e raporteve me presidenten Osmani”, tha Muhaxhiri.

 


Hasanpapaj:  Si presidente, Osmani u takua gjashtë herë me liderin më të fuqishëm të botës

Juristi Bardhyl Hasanpapaj ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani më 4 prill mbyll një mandat të suksesshëm në këtë post.

Në “Konfront” të KTV-së, në diskutimin për fundin e mandatit të Osmanit, Hasanpapaj ka thënë se ajo ka pasur rol të rëndësishëm në “një moment shumë delikat të Kosovës”.

Këtu ka shtuar se ajo ka thyer izolimin me të cilin përballej Kosova në arenën ndërkombëtare.

“Ka treguar se është presidente e veprimeve dhe vendimeve. Jo e hezitimeve. Ka qenë shumë aktive sidomos në arenën ndërkombëtare, por s’i ka lënë gjë mangu as në pjesën e brendshme. Kështu që ka qenë lojtare e fortë jo vetëm institucionale e politike, por edhe figurë e fuqishme rreth së cilës është zhvilluar edhe debati politik dhe jeta politike në vend”, ka thënë ai.

Duke folur për ato që i ka vlerësuar si arritje të Osmanit, Hasanpapaj ka përmendur takimet e Osmanit me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Si presidente e ka takuar gjashtë herë presidentin më të fuqishëm të botës, presidentin Trump. Të ketë mundësi të jetë në rrethin e tij të ngushtë dhe në forume ndërkombëtare ku në një periudhë kaq të shkurtër kohore e takon gjashtë herë, është nder dhe privilegj për Kosovën që sado si vend i vogël të jetë pjesë e forumeve ndërkombëtare kaq të fuqishme dhe të jetë prezente në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Hasanpapaj ka thënë se Osmani ka sjellë katër njohje për Kosovën, ka themeluar raporte diplomatike e ka siguruar heqjen e vizave për një numër shtetesh.

“Po e mbyll një mandat me sukses të jashtëzakonshëm dhe besoj se do të mbahet mend gjatë”, ka thënë ai.

Osmanit i mbaron mandati më 4 prill. Ajo nuk ka marrë mbështetjen e pushtetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për një mandat të dytë. Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri, ose vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Osmani ka paralajmëruar se do të vazhdojë angazhimin politik.