Profesori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se amendamentet për të ndryshuar metodën e zgjedhjes së presidentit, nuk mund të rikthehen në Kuvend, 15 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, Kushtetuesja duhet t’i shqyrtojë çdo amendament për këtë çështje. Ai ka thënë për KOHËN se e ka parë tekstin e amendamenteve të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi e ka quajtur skandaloze mungesën e dispozitave që lidhen me palët që propozojnë kandidatët për president.
KOHA: Zoti Hasani, në Komisionin për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës të enjten u miratua propozimi i presidentes Osmani për ndryshimet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e presidentit direkt nga populli, me amendamentet që datojnë nga viti 2011. Cili është leximi juaj juridik për këto zhvillime të fundit?
Hasani: Propozimi i amendamenteve për të adresuar një dëshirë personale të një organi kushtetues, në këtë mënyrë, paraqet një mosrespektim të plotë ndaj Kushtetutës dhe shtetit, dhe një përçmim të çdo vlere të rendit kushtetues mbi të cilin bazohet Kosova sot.
Këto amendamente nuk mund të rikthehen në Kuvendin e Kosovës pas tërë këtyre viteve nga presidenti i Republikës. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë këtë brenda afatit shtatëditor, sipas rregullores së Kuvendit, e cila është akti i vetëm normativ nënligjor që ka peshë kushtetuese të drejtpërdrejtë.
Përveç kësaj, Kushtetuta deri sot është amendamentuar shumë herë, dhe Gjykata Kushtetuese ka nevojë të shqyrtojë çdo amendament nëse është në përputhje me nenet dy dhe tre, dhe më frymën e Kushtetutës. Presidentja e Republikës ka të drejtë të propozojë amendamente kushtetuese, por ato duhet të bëhen në procedurën e rregullt kushtetuese: dërgohen te kryetari i Kuvendit, i cili i përcjell në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj ato kthehen në Kuvend, jo te Presidenca.
Unë e pashë tekstin e amendamenteve të propozuara. Pjesa që ka të bëjë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të Republikës nuk është e njëjtë me atë që ishte vlerësuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese më 20 korrik 2012 dhe përmban dispozita të reja.
Po ashtu, mungojnë dispozitat që lidhen me palët që propozojnë kandidatët për president të Republikës, të cilat Gjykata Kushtetuese i ka shprehur qartë si jokushtetuese. Kjo vërtet është skandal!
KOHA: Cila është baza kushtetuese për këtë amendamentim dhe a mund të ndryshohen kushtetutat e propozuara në një legjislaturë 15 vjet më parë, të sillen tani për aprovim në këtë formë të përshpejtuar?
Hasani: Një pjesë e atyre amendamenteve janë shpallur si jokushtetuese. Pikërisht për këtë arsye, askush nuk mund, pas kalimit të afatit shtatëditor, dhe veçanërisht pas kaq vitesh dhe pas kaq shumë amendamentimesh kushtetuese, të sjellë drejtpërdrejt në Kuvend tekstet që nuk kanë kaluar një kontroll të ri kushtetues.
Kush garanton që amendamentet që sapo kaluan në Komisionin për Legjislacion janë në pajtim me amendamentet që janë shpallur jokushtetuese? Askush. Vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencën për këtë.
Amendamenti që kaloi sot, për të përsëritur, është i ri, ndërsa pjesa e tij origjinale ishte shpallur jokushtetuese më 20 korrik 2012.
KOHA: Cilën e shihni ju si sfidën kryesore juridiko-politike për zbatimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese?
Hasani: Edhe sikur të miratohen sot amendamentet në fjalë, zbatimi i tyre sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 20 korrik 2012 e bën të qartë në paragrafin 129 se duhen të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve për president që amendamentet të miratohen.
Përveç kësaj, siç e thashë, disa dispozita të këtij amendamenti kanë qenë shpallur si jokushtetuese dhe sot janë ndryshuar. Çdo ndryshim i amendamentit duhet të kalojë sërish në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues, edhe nëse ndryshon vetëm një presje. Amendamenti që kaloi sot në Komision është i ri.
Amendamentet e sotme, siç e thashë, që lidhen me zgjedhjen e presidentit të Republikës, janë dispozita të reja dhe nuk guxojnë të shkojnë drejtpërdrejt në Kuvendin e Kosovës pa kaluar sërish në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 144.3 të Kushtetutës.
Më erdhi turp kur pashë në diskutim anëtarët juristë të komisionit që thoshin se numrat nuk kanë rëndësi, as ndryshimet teknike. Dua t’ia bëj me dije çdokujt që kur ndryshon Kushtetuta në vendet demokratike, teksti i vjetër që ndryshon nuk zhduket, nuk hidhet në pleh, por mbetet në Kushtetutë dhe bashkë me Kushtetutën qëndron aty për shekuj, nuk fshihet kurrë!
KOHA: A mundet që presidenti i ardhshëm të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli nëse ndryshimet kushtetuese miratohen në Kuvendin e Kosovës?
Hasani: Ideja e kësaj përpjekjeje nuk është për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Republikës, por për të zhvendosur fajin për ngërçin aktual te partitë opozitare.
Për miratimin e amendamenteve duhen dy të tretat e dyfishta: një herë dy të tretat e shqiptarëve dhe pastaj dy të tretat e joshqiptarëve. Krejt skenari duket se është për të fajësuar partitë opozitare shqiptare, sikur ato po veprojnë si “Lista Srpska” kundër zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit të Republikës — një lojë që e kemi parë shpesh deri më tani.
Edhe sikur të miratohen, amendamentet nuk guxojnë të zbatohen para gjashtë muajve nga dita e miratimit. Përveç kësaj, çdokush duhet ta dijë se nuk mund të bëhen zgjedhjet drejtpërdrejt për presidentin e Republikës pa pasur një infrastrukturë të tërë ligjore për këtë proces, sepse Kushtetuta nuk është ligj për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet kërkon që çdo ndryshim të ndodhë së paku gjashtë muaj para zgjedhjeve.
Pra, ka një dyfish pengesash ligjore dhe kushtetuese për të manipuluar publikun. Kjo është mrekullia e demokracisë kushtetuese: nuk mund të imponosh vullnetin politik bruto pa kaluar nëpër filtrat e normave kushtetuese, ligjore dhe procedurave të tjera të demokracisë kushtetuese.