Sot është dita e fundit për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Të mërkurën u raportua për mbajtjen e një seance, por që ajo nuk u thirr në mungesë të plotësimit të kushtit që të jenë dy kandidatë në garë për kryetar të shtetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një paraqitje publike mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është i vetmi kandidat i propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të grupit multietnik
Por që sipas saj seanca nuk mund të mbahet me vetëm një kandidat.
Pas saj është në një konferencë për media shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci ka thënë se LVV-ja vazhdon të jetë e gatshme t’i ofrojë nënshkrimet e deputetëve të saj për subjektet e tjera për të ofruar kandidaturat e tyre potenciale.
Nagavci, ka thënë se si Lëvizje Vetëvendosje ia kanë ofruar nënshkrimet e deputetëve edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për të plotësuar kushtin për të hyrë në garë edhe për një mandat.
Por këtë ofertë sipas Nagavcit Osmani nuk e ka pranuar.
Asaj i ka reaguar shefja e stafit të presidnetes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, e cila ka mohuar që i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja e Lëvizjes Vetëvendosje, presidentes Osmani. Në një postim në Facebook, Hollaj ka thënë se kjo është gënjeshtër.
Për reagimin e këshilltares Hollaj, u pyet gjatë konferencës Nagavci, por ajo nuk është përgjigjur se kur i janë ofruar nënshkrimet, por ka thënë se i garanton nënshkrimet e Lëvizjes Vetëvendosje për Vjosa Osmanin.
Edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka reaguar pasi nga Presidenca e kanë mohuar se Lëvizja Vetëvendosje ia ka ofruar presidentes Vjosa Osmani 30 nënshkrime për të plotësuar kushtin për të kandiduar edhe për një mandat.
Pas tij ka reaguar sërish Hollaj duke thënë se presidentes Osmani nuk i janë garantuar votat por se po ftohet vetëm sa për formalitet si kundërkandidate e Glauk Konjufcës, në mënyrë që pastaj të fajësohet opozita për shkuarje në zgjedhje.
Pasi që LVV-ja e propozoi Konjufcën si kandidat për president Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vlerësuar se partia në pushtet është duke e çuar vendin drejt një krize të panevojshme institucionale.
PDK-ja ka thënë se shkaku i mosgatishmërisë së Kurtit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ndërpartiake, vendi po përballet me rrezikun e moszgjedhjes së presidentit të ri.
“Zgjedhja e presidentit nuk është garë për opozitën dhe nuk do të duhej të ishte as lojë politike për shumicën parlamentare. Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve. Përkundër mandatave që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik. Në vend të një qasjeje të përgjegjshme dhe shtetërore, shumica parlamentare ka vendosur të kandidojë një kandidat tërësisht partiak, pa koordinim me subjektet e tjera dhe pa mundësinë e arritjes së konsensusit”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se qasja e LVV-së nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.
Në një postim në Facebook, pasi që LVV-ja e propozoi Glauk Konjufcën për president, kjo parti ka vlerësuar se për shkak qasjes “së papërgjegjshme politike të LVV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.
“Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kurti: Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për të zgjedhur presidentin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot pasdite do t’i vazhdojnë përpjekjet për të zgjedhur presidentin.
Ai duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit pas mbledhjes solemne të Qeverisë për nder të Epopesë së UÇK-së ka thënë se urojnë e shpresojnë që të ketë edhe një kandidatë të dytë në garën për president.
“Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për ta zgjedhur presidentin. Urojmë e besojmë e shpresojmë edhe për një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, ka thënë ai.
Sot është dita e fundit për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Të mërkurën u raportua për mbajtjen e një seance, por që ajo nuk u thirr në mungesë të plotësimit të kushtit që të jenë dy kandidatë në garë për kryetar të shtetit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një paraqitje publike mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është i vetmi kandidat i propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të grupit multietnik
Por që sipas saj seanca nuk mund të mbahet me vetëm një kandidat.
Konjufca: Nëse opozita nuk propozon kandidat për president, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve
Kandidati për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nëse partitë opozitare nuk propozojnë asnjë emër për postin e presidentit, kjo do të nënkuptonte se ato po e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Konjufca ka thënë se propozimi për kandidaturën e tij ka ardhur nga Vetëvendosje dhe se tani është radha e opozitës të tregojë se cilin kandidat do ta mbështeste nëse nuk e voton atë.
Ai theksoi se gjatë ditëve të fundit nuk është përmendur asnjë emër nga partitë opozitare, duke shtuar se është i interesuar të dijë se kush do të ishte kandidati që ato do ta votonin.
“Nëse ata propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë do ta votoja. Por askush nuk po propozon. Jam shumë kureshtar të di kush është ai që do ta votonin nëse nuk jam unë”, ka thënë Konjufca të enjten.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të mbështesë edhe një kandidat tjetër për të shmangur zgjedhjet e reja, nëse opozita propozon një emër të pranueshëm. Madje u shpreh se do ta votonte edhe presidenten aktuale Vjosa Osmani. Megjithëse Konjufca si ministër i Punëve të Jashtme nuk ka të drejtë vote për president. Presidenti zgjidhet vetëm nga votat e deputetëve.
“Ne ia kemi lënë opozitës ta propozojë një kandidat, ne një dhe pastaj të votojmë. Le ta propozojnë këdo, edhe Vjosa Osmanin, edhe unë do ta votoja. Nëse opozita nuk e thotë asnjë emër, qoftë edhe neutral, ky është përcaktim i qartë për të shkuar në zgjedhje nga opozita, jo nga ne”, deklaroi ai.
Konjufca i pyetur pse ndërroi mendje pasi më herët kishte thënë se nuk do të ishte kandidat për president, u shpreh me humor: “Po Vetëvendosje tokë të bënë”.