Çështja e teksteve mësimore është diskutuar në një tryezë që ka organizuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përfaqësues të kësaj partie e cilësuan të jashtëligjshëm vendimin e Ministrisë së Arsimit për ta zëvendësuar sigurimin e teksteve dhe numëruan problemet që thanë të jenë shkaktuar nga vendimi
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se vendimi i Ministrisë së Arsimit për tekstet shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë nuk është e mjaftueshme dhe se shumica e teksteve të vjetra janë të papërdorshme.
Haradinaj ka shprehur shqetësimet gjatë një debati për arsim, të organizuar nga partia që drejton.
“Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit e kalon 12 milionëshin, 6 deri në 8 milionë është kostoja më e shtrenjtë, më së paku 6 milionë më shtrenjtë. Ekziston rreziku që fëmijëve t'u mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor. Kush e garantoi që të gjithë fëmijët i kanë tekstet”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se ndonëse ka kaluar një javë prej fillimit të vitit shkollor ende mungojnë libra.
“Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje”, ka thënë Tahiri.
Në tryezën e AAK-së mori pjesë edhe kryesindikalisti i Arsimit, Rrahman Jashari. Sipas tij, tekstet shkollore është dashur të jenë të reja për të gjithë nxënësit, deri në klasën e nëntë.
“Nëse qeveria Kurti nuk paska mjete për laptopë e projektorë për shkolla që t'i ngjajmë shekullit XXI, konsideroj se tekstet shkollore është dashur të jenë të reja nga klasa një deri tek e nënta. Dhe deklarata e Nagavcit ishte skandaloze kur tha se po e ruajmë buxhetin e Kosovës, harronte që librat janë në librari e do ta rrisin çmimin”, ka thënë Jashari.
Jashari pati një lutje edhe për ligjvënësit opozitarë.
“E lus Haradinajn që ta ngrijë zërin në Parlament për arsimin në tërësi dhe jo vetëm për tekstet. Ka shtatë muaj që Nagavci mban inatin në greva e nuk na takon”, ka thënë tutje ai.
Në tryezën e AAK-së, e cila u organizua në kuadër të ciklit të debateve për situatën në Kosovë, morën pjesë edhe përfaqësues nga komunat, kryesisht të atyre që udhëhiqen nga kjo parti opozitare.