Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, sot pritet të dëshmojë në seancën gjyqësore për rastin e 53-milionëshit, ku i akuzuar kryesor është ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës.
Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53 milionë eurove të paguara shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka”, janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekaj, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kryesisht mbështetet në opinionin e kompanisë “Hill” , e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për të mbikëqyrë projektin, sipas së cilës, për punët shtesë është dashur të paguhen 14 milionë euro, e të cilin opinion dyshohet se Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit nuk e ka prezantuar para Komitetit Ndërministror, duke i hapur rrugë pazarit prej 53 milionë eurove.
Ramush Haradinaj, që ishte kryeministër në kohën e ndarjes së këtyre mjeteve, në një interpelancë të mbajtur në Kuvend, në korrik të 2018-s ka thënë se pagesa prej 53 milionë eurove ka qenë e domosdoshme. Haradinaj ka akuzuar qeverinë paraprake të drejtuar nga Isa Mustafa, që ka dështuar të paguajë detyrimet ndaj “Bechtel-Enkas”.