Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, derisa ka folur për shkyçjen masive të bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues, i ka quajtur pushtetarët aktualë “gangsterë me agjenda të dyshimta”.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky veprim është shkatërrues dhe nuk do të kalojë pa përgjegjësi.
“Zaptuesi i Zyrës së Kryeministrit së bashku me vartësit e tij, i la bizneset e Kosovës në mëshirë të mafias energjetike, në mënyre arbitrare dhe me qëllim të qartë tashmë, çmontimin e Kosovës duke ua trashur xhepat të dëgjueshmëve të tij. Ky veprim shkatërrues nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Rrethi po ju ngushtohet çdo ditë, dhe ky fund nuk do të jetë i mirë për ta, pashmangshëm do të përballen me ligjin. Kosova do të lirohet nga këta gangasterë me agjenda të dyshimta”, ka shkruar ai.
ZRRE-ja në mars kishte njoftuar se bizneset me mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur të energjisë. Ky njoftim është kundërshtuar nga biznese të ndryshme, të cilat kanë ngritur lëndë të veçanta në gjykatë.
E, javë më parë Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.
Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, qe i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.
Por, pas apelimit në shkallë të dytë nga ZRRE-ja, vendimi i shkallës së parë është anuluar.
Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim të rritjes së konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.