Ish-kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani e ka shkelur Kushtetutën me nxjerrjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas Halimit veprimi i Osmanit nuk mund të kualifikohet si asgjë tjetër, përveç shkelje kushtetuese.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Si çka mund të kualifikohet tjetër një veprim, një dokument zyrtar i nxjerrë, një dekret presidencial, me të cilin ajo shkurton mandatin e 120 deputetëve të zgjedhur në një republikë parlamentare. Çfarë mund të quhet kjo ... çfarë kualifikimi mund t’i japim, përveç se shkelje kushtetuese”, ka theksuar Halimi ne emisionin “Konfront” në KTV.
Halimi: Dekreti i presidentes, i marrë nën një emocion idhnak
Ai ka thënë se dekreti është marrë nën një emocion idhnak.
“Ky është një dekret i vendosur ndoshta më shumë në një emocion idhnak që e ka shpërfaq presidentja me rastin e marrjes së këtij dekreti, duke pasur parasysh pozicionin e saj jo të favorshëm politik që ka pasur për shkak të konjukturës politike aktuale. Kur ajo ka marrë vesh që nuk do të jetë kandidate, ka parë procedimit tutje, është një lloj veprimi në afekt dhe si i tillë ka marrë përgjigjen meritore në një demokraci parlamentare, për shkak se nuk mundet në mënyrë arbitrare, tekanjoze dhe idhnake, një president të vendos për ndërprerjen e mandatit të të zgjedhurve të popullit”, është shprehur Halimi.
Ai ka thënë se me vendimin e Gjykatës kushtetuese është vendosur një rend i caktuar i gjërave. “Tash futemi në lojën politike me akterët politike, nuk do të thotë që do të kemi president pas 34 ditësh, mund të shkojmë në zgjedhje por edhe të kemi president”, ka deklaruar Halimi.
Halimi: Partia Guxo, një parazit që jeton nën sqetullën e VV-së
Ish-kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, ka thënë se Partia Guxo është sikur “parazit që jeton nën sqetullën e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Halimi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Guxo është një subjekt i paqenë dhe është subjekt fantom.
“Lista Guxo është një subjekt tashmë i paqenë. Nuk ekziston si i tillë në realitetin në terren. Ai është vetëm një subjekt, ta themi fantom, që është i regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe është në qeverisje në një komunë...e i ka nja 7 deputetë me gjasë. Si e tillë nuk ekziston. Ajo është një lloj paraziti që frymon vetëm nën sqetullën e Vetëvendosjes, përndryshe si e tillë po të kishte votat reale e jo fantome, do të garonte e vetme. Një nga deputetet tha se i ka marrë 100 e kusur mijë vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Po të merrte ato si subjekt atëherë do të kishte 12-13 për qind të elektoratit me ato vota dhe do të garonte vetëm e do t’i merrte 15 deputetë e jo 7 sa ka mbetur”, tha Halimi në “Konfront”.
Alijaj: Lufta e Vjosa Osmanit është me VV-në dhe PDK-në
Analisti Artan Alija ka thënë se është habitur që presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas tij Osmani në këtë periudhë është duke zhvilluar një luftë me Vetëvendosjen, e edhe me PDK-në.
“Kam pritur që ajo të marrë vendimin e duhur që t’i ndajë vendet në KQZ ashtu siç kanë qenë edhe në mandatin e kaluar dhe mbase në një farë forme ta godet edhe Vetëvendosjen në këtë rast. Nëse flasim prej 6 marsit e këtej kemi një farë lufte në mes të Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmanit, kështu që lufta e saj nuk është vetëm me PDK-ën por është edhe me Vetëvendosjen”, është shprehur Alija në emisionin “Konfront” në KTV.
Ai ka thënë se nëse Osmani nuk ka qenë e sigurt për ndarjen e vendeve në KQZ, në vitin 2021 është bërë e njëjta ndarje.
“Në vitin 2021 e njëjta ndarje ka ndodhur pa marrë parasysh si kanë qenë numrat. Tani Vetëvendosja pretendon se për shkak të numrave në Kuvend, do të ketë shumicë edhe në KQZ por që rregullorja edhe Kushtetuta nuk e parasheh një gjë të tillë. Janë 6 vende në KQZ që duhet të ndahen në mes të grupeve parlamentare dhe është e qartë që Vetëvendosje i ka 2, PDK 2, LDK 1 dhe AAK 1”, është shprehur Alija.
Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për sqarime lidhur me emërimin e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndryshe nga përbërja në shkuarje, në të renë Osmani nuk e ka emëruar anëtarin e dytë të PDK-së, ndonëse kësaj partie i ka kërkuar që t’i propozojë emrat e kandidatëve.
Miftaraj: Qeveria Kurti ka punuar shumë, por mbrapsht dhe keq
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se ka punuar “mbrapsht dhe me qëllim të keq”.
“E marrim Qeverinë Kurti. Gjatë legjislaturës 8 dhe 9, ka punuar shumë, por mbrapsht dhe fatkeqësisht me qëllim të keq”, tha Miftaraj në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka përmend rastin e ligjit për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.
Ka thënë se ai u hartua 80-90 për qind në kundërshtim me parimet kushtetuese. Miftaraj ka thënë si IKD ka njoftuar Qeverinë se ligji është në kundërshtim dhe është paralajmëruar të mos e kalojë në atë mënyrë. Ai thotë se këtë ia ka bërë të qartë edhe ambasadori amerikan atëbotë kryekuvendarit Glauk Konjufca.
“Konjufca më pas në Kuvend thotë se u miratua ligji me kaq vota, e pasi e miratoi thotë sidoqoftë e shfrytëzoj të drejtën që më jep ligji dhe e dërgoj këtë ligj në Komisionin e Venecias. Papritmas Albin Kurti e Albulena haxhiu e kthejnë kokën te kryetari për të parë se çfarë ndodhi tash. Në Komisionin e Venecias natyrisht u tha se ligji është krejtësisht në kundërshtim”, tha Miftaraj.