Arbëri

Hajvalia ndër lagjet më të prekura nga vërshimet, u rrezikuan shtëpitë e shkolla

Ndër lagjet e Prishtinës, që pësuan më së shumti nga përmbytjet e së martës ishte Hajvalia. Për shkak të kolektorit të hapur e të papërfunduar, uji doli nga shtrati dhe vërshoi shtëpi dhe shkollën “Afrim Gashi”

Reshjet e shiut me intensitet të lartë gjatë së martës shkaktuan përmbytje të shtëpive dhe të institucioneve arsimore në Prishtinë.

Mes lagjeve më të prekura është Hajvalia, ku kolektori i hapur doli nga shtrati duke rrezikuar kështu edhe shtëpinë e Fadil Mustafës, që gjendet pranë ujëmbledhësit.

Për të parandaluar dëmet, ai vendosi zhavorr te dera e shtëpisë, e gjatë gjithë natës, së bashku me zjarrfikësit, thotë se u mundua të pastrojë shtratin e kolektorit në mënyrë që të përpinte ujin që rrezikonte t’i hynte brenda shtëpisë.

“Zallin e kam vendosur këtu të mos hyjë brenda sepse këtu është tmerr. Ujërat e zeza vijnë prej gjykatës e burgut këtu lart që është pra ne jemi katastrofë prej ujërave të zeza. Sot dimrit i vjen era e le më verës që është katastrofë këtu”, tha Mustafa.

Sipas tij, me të njëjtin problem përballet sa herë ka vërshime.

“Kësaj radhe nuk pata dëme se i vendosa zhavorr se përndryshe çdo herë që ka vërshime më hyn uji brenda. Së paku 3 makina të larjes së rrobave m’u kanë dëmtuar prej vërshimeve dhe kam bërë ankesa dhe askush nuk ndërmerr asgjë, s’na merr parasysh askush”, deklaroi Mustafa.

Përmbytje u shkaktuan edhe në shkollën e kësaj lagjeje “Afrim Gashi”, e që me ndihmën e organeve kompetente uji u largua në orët e vona të së martës.

Kolektori i Hajvalisë ka dy vjet që ka filluar të ndërtohet, mirëpo ende nuk ka përfunduar. Drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtina, Sokol Havolli, u shpreh se arsye për këtë janë problemet pronësore dhe mungesa e buxhetit.

“Kontrata për ndërtimin e kolektorit është e nënshkruar. Megjithatë, në pamundësi të trajtimit të disa çështjeve pronësore dhe për arsye financiare, punimet nuk kemi mundur t’i vazhdojmë aktualisht. Shpresoj se deri në pranverë të zgjidhen çështjet e nevojshme që t’i rifillojmë punimet”, tha Havolli.

Reshje të mëdha të shiut janë paralajmëruar edhe për ditët në vazhdim.