Arbëri

Guri: VV-ja ka uzurpuar pozitat, rrezikojmë paralizë ekonomike me lojërat e saj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka akuzuar partinë deri tash në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për uzurpim të pozitave.

Ai tutje ka thënë se për shkak të lojërave të kësaj partie, vendi rrezikon të futet në paralizë ekonomike. 

“Vendi futet në paralizë ekonomike me lojërat që po i bëjnë këta, duke u munduar të blejnë kohë dhe t’i shtyjnë zgjedhjet deri në kohën kur këta mendojnë se do t’i kenë në favor të tyre elektoral. Vetëvendosja nuk është në fron as tash. Është në pushtet në mënyrë të jashtëligjshme, ku i kanë uzurpuar pozitat, me vendim të Gjykatës Supreme janë të uzurpuar”, ka deklaruar ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.

Guri më tej ka thënë se vendimin për ndarjen nga 100 euro për studentët, kryeministri në detyrë Albin Kurti po tenton të blejë votën e studentëve. 

“Edhe nëse e ka bërë këtë me dëshirë dhe e ka bërë me qëllim të mirë, nuk i shpërndan atëherë kur i duhen studentëve, në shtator, por e bën një javë para rundit të parë të zgjedhjeve lokale.  Është i gërditshëm tentimi për t’i blerë studentët me nga 100 euro”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor në disa komuna të Kosovës, deputeti i LDK-së më tej ka thënë se nuk do të ketë goditje për këtë parti. 

“Nuk do të kemi goditje, komunat tona në të cilat po qeverisim, i mbajmë pa dyshim. Komunat tjera në të cilat kemi hyrë në balotazh e që nuk jemi në pushtet, si Suhareka e Gjilani, po punojmë fuqishëm që t’i kthejmë ato sepse janë bastione të LDK-së”, është shprehur ai.