Në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë ngritur shqetësime se ministrja Gërvalla në mënyrë selektive po i nënshkruan vendimet për ngritjen në gradë të disa diplomatëve, derisa shumë të tjerë ende nuk kanë marrë përgjigje, pas shpalljes së shtatorit të vitit të kaluar. Në Ministri kanë thënë se nuk është finalizuar procesi dhe nuk kanë treguar arsyet e vonesave në kthimin e përgjigjeve për diplomatët
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nuk ia ka vënë ende pikën procesit të gradimit që kishte filluar prej shtatorit të vitit të kaluar. Kjo pavarësisht se Komisioni e ka përfunduar punën dhe raporti me rekomandime i ka shkuar në zyrë ministres Donika Gërvalla.
Pa u mbyllur ky proces, sekretari i MPJD-së ka dërguar thirrje për shprehje të interesit për misione diplomatike. Burime brenda Ministrisë kanë thënë se disa vendime tashmë janë marrë.
Ndërkaq disa zyrtarë që kanë aplikuar për gradim kanë thënë jozyrtarisht se janë pyetur nëse janë të pajtimit që të shikohen dosjet e tyre.
“Komisioni e ka përfunduar punën dhe raporti me rekomandime po ‘pushon’ në zyrën e ministres. Pavarësisht se procesi i gradave nuk është mbyllur, zyra e sekretarit ka dërguar thirrje për shprehje të interesit për mision. Disa vendime tashme janë marrë. Ndërkohë që zyrtarët e interesuar me rastin e aplikimit në një formë të shkruar janë pyetur nëse janë të pajtimit të shikohet dosja e tyre”, ka thënë burimi.
Përveç konfirmimit se nuk e ka finalizuar ende procesin e emërimeve të stafit në misionit diplomatik, në MPJD nuk kanë treguar edhe arsyet e vonesave.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka finalizuar ende procesin e emërimeve të stafit për misionet diplomatike. Komisioni është duke punuar dhe shqyrtuar me kujdes secilën shprehje të interesit nga stafi i MPJD-së, në mënyrë që procesi të mos ketë asnjë parregullsi. Në momentin që procesi përmbyllet, MPJD do të njoftojë me kohë opinionin publik”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
KOHA ka raportuar para disa javësh se tetë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë marrë grada diplomatike nëpërmjet një procesi që është shoqëruar me shkelje të shumta ligjore.
Përpjekje për ta ndalur procesin ka bërë Shoqata Sindikale e MPJD-së, e cila nuk është përfshirë në procesin e mbikëqyrjes së gradimit.
Shkeljet janë denoncuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, derisa me to janë njoftuar edhe kryeministri dhe Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme.
Ndërkohë, në kuadër të masave për vendosjen e ligjshmërisë, MPJD-ja para disa ditësh ua shkëputi marrëdhënien e punës 11 zyrtarëve të saj. Sipas Ministrisë, edhe ky proces është duke vazhduar.
“Na lejoni t’ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për 11 zyrtarë, në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën. Kjo nënkupton se ky është një proces që vazhdon, për secilin vendim të paligjshëm”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Sipas këtij dikasteri qeveritar, janë duke u shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për të gjitha punësimet e paligjshme.
“MPJD mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë brenda institucionit, keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen e luftohen me vendosmëri”.
Por krahas 11 zyrtarëve të shkarkuar, në konkursin e njëjtë ishin pranuar edhe rreth 40 persona të tjerë, për ligjshmërinë e të cilëve nuk është deklaruar MPJD-ja.