Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, shkrimtarja dhe aktivistja britaniko-kosovare, Elizabeth Gowing, ka deklaruar se Serbia nuk është e interesuar për mirëqenien e serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ajo ka theksuar se, ndonëse ekziston një lidhje historike dhe kulturore e fortë mes komunitetit serb në Kosovë dhe Serbisë, veprimet e Beogradit shpesh e bllokojnë zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.
“Kam parë në disa raste shumë specifike se si ky shtet amë nuk lobon për të mirën e serbëve brenda Kosovës. Kjo më frustron më së shumti, sepse kur Serbia faktikisht e bllokon zhvillimin e tyre, bëhet shumë vështirë për ta të integrohen dhe të kenë të drejtat bazike”, ka thënë Gowing.
Ajo solli si shembull punën e Komisionit për Verifikimin e Diplomave në Qeverinë e Kosovës, të cilin e udhëheq, duke treguar se përmes këtij mekanizmi janë verifikuar rreth 450 diploma të qytetarëve serbishtfolës, për të mundësuar punësimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, Gowing theksoi se Beogradi ka kërkuar nga shkollat e mesme në veri të mos bashkëpunojnë me Komisionin, edhe pse qëllimi ishte vetëm punësimi i qytetarëve serbishtfolës.
“Kjo tregon që qeveria e Serbisë nuk është e interesuar për mirëqenien e serbëve të Kosovës, por synon të bllokojë çdo lidhje të tyre me mundësitë që ofron Kosova”, tha ajo.