Arbëri

GLPS-ja thotë se ngërçi politik po dëmton kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës

kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) ka bërë thirrje për një konsensus të gjerë politik mbi çështjet integruese të vendit, duke paralajmëruar se ngërçi politik që ka shoqëruar Kosovën që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 ka prodhuar pasoja serioze për zhvillimin ekonomik dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.

Sipas GLPS-së, mungesa e funksionimit normal të institucioneve ka bllokuar potencialisht qindra milionë euro që Kosova mund të përfitonte nga programet e rritjes dhe fondet ndërkombëtare.

Drejtoresha ekzekutive e GLPS, Njomza Arifi, ka thënë se pa stabilitet politik dhe institucione funksionale, vendi rrezikon humbjen e fondeve zhvillimore dhe ngecjen e proceseve integruese.

“Ngërçi politik që ka karakterizuar vendin që nga zgjedhjet e shkurtit ka sjellë pasoja të mëdha për zhvillimin e brendshëm dhe kredibilitetin ndërkombëtar. Një ndër çështjet më të rrezikuara është plani i rritjes. Kosova rrezikon seriozisht humbjen e mbi 800 milionë eurove, fonde për kokë banori më të lartat në rajon”, deklaroi Arifi për “Ekonomia Online”.

Sipas saj, vonesat në krijimin e institucioneve kanë ndikuar edhe në mospërfitimin e fondeve nga Banka Botërore dhe programe të tjera zhvillimore që priteshin të miratoheshin gjatë këtij viti.

Arifi ka theksuar se Kosova ka humbur një vit të tërë reformash, duke mbetur mbrapa në procese të rëndësishme si sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi demokratik.

“Raporti i progresit e ka bërë të qartë se Kosova pati një vit të humbur. Pavarësisht përmirësimeve në disa fusha, reformat themelore kanë stagnuar për shkak të krizës institucionale”, u shpreh ajo.

Duke folur për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Arifi u bëri thirrje partive politike që të tejkalojnë interesat partiake dhe të gjejnë konsensus në çështje kyçe për vendin.

Ajo përmendi tre prioritete thelbësore: anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, aplikimin për statusin e kandidatit për BE dhe përmbushjen e zotimeve nga marrëveshja e Ohrit në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Ka procese që e tejkalojnë agjendën partiake. Kosova duhet të fokusohet në integrimin evropian dhe përmbushjen e obligimeve nga dialogu. Stabiliteti politik është kusht për çdo plan të rritjes ekonomike dhe proces integrues”, theksoi Arifi.

Kosova do të shkojë për herë të dytë këtë vit në zgjedhje parlamentare më 28 dhjetor, pas dështimit të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.