Është mbyllur për publikun seanca ku po gjykohen Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të akuzuar për spiunazh.
Propozimi për mbyllje të seancës ka ardhur nga mbrojtësi i Shabanit, avokati Besnik Berisha, të cilin e ka mbështetur edhe avokati i Qerimit, Betim Shala.
Prokurori Bekim Kodraliu ndërkohë tha se nuk ka arsye që seanca të jetë e mbyllur në këtë çështje penale pasi, sipas tij, në raport është konstatuar se Bedri Shabani nuk ka probleme të natyrës psikike.
Trupi gjykues u tërhoq për 5 minuta pauzë para nxjerrjes së vendimit lidhur me mënyrën se si duhet të vazhdojë seanca, e më pas ka aprovuar propozimin për mbyllje të seancës për ta përjashtuar publiku nga seanca deri sa të dëgjohet grupi i ekspertëve që e kanë përpiluar ekspertizën psikiatrike.
Kryetari i trupit gjykues tha se kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së jetës familjare dhe personale të të akuzuarit.
Gjykimi i Shabanit dhe Qerimit për spiunazh, dëshmojnë ekspertet e psikatrisë forenzike
Tri eksperte të psikiatrisë forenzike janë paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë ku do ta prezantojnë raportin e tyre për Bedri Shabanin.
Mbrojtja e Shabanit ka kërkuar ekzaminim psikiatrik dhe shtyrje gjatë seancës së kaluar.
Këtë kërkesë e aprovoi gjyqtari Rrahman Beqiri.
Siç mëson Koha, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka arritur në përfundimin se Bedri Shabani mund t’i bëjë ballë gjykimit.
Një konstatim të tillë e pati dhënë edhe mjeku i burgut të Gjilanit, Ngadhënjim Rexhepi i cili është edhe psikiatër.
Seancat në këtë rast janë shtyrë dy herë.
Herën e parë më 22 shtator avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha, pati një seancë tjetër më urgjente.
E herën e dytë më 13 nëntor, i akuzuari Shabani i kërkoi Gjykatës Themelore në Prishtinë ta shtyjë seancën, meqë, siç tha ai, është në terapi të rëndë dhe nuk e di as se ku është.
Mbrojtësi i Bedri Shabanit, avokat i Besnik Berisha, propozoi që seanca të mbyllet. Ai tha se kjo duhet të bëhet me qëllim që të mbrohet dinjiteti dhe privatësia e klientit të tij.