Gjykata Themelore iu ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm dy prej tre të akuzuarve të parë për sulmin terrorist në Banjskë. Të tretin e ka dënuar me 30 vjet burgim. Kryetari i trupit gjykues tha se ata kishin për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës, me qëllim për t’ia bashkuar këtë territor Serbisë.
Burgim i përjetshëm u është shqiptuar dy prej tre të akuzuarve të parë për sulmin terrorist në Banjskë, Blagoje Spasojeviqit e Vlladimir Toliqit. E, Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, lexoi verdiktin për të tre serbët pjesëmarrës në sulmin e shtatorit të 2023-tës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Të akuzuarin Blagoje Spasojeviq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm, të akuzuarin Vlladimir Tolliq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm, të akuzuarin Dushan Maksimoviq e gjykon me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 30 viteve”, tha Arrni.
Vetëm Maksimoviq nga të akuzuarit mori pjesë në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Gjyqtari Arrni tha se të akuzuarit së bashku me pjesëmarrës të tjerë të grupit, në role të ndryshme kanë hyrë në mënyrë të organizuar nga Serbia në territorin e Kosovës.
“Me dhjetëra të vetura të blinduara të mbushura me armë të rënda, municion, eksploziv, uniforma të kamufluara ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugët me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicione të tyre dhe pasi kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës për të hequr kamionët dhe liruar rrugën në atë moment i kanë sulmuar me armë të rënda, ku te ura e fshatit ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku”, deklaroi kryetari i trupit gjykues.
Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin edhe zyrtarët policorë Alban Rashiti e Çlirim Shaqiri, të cilët mbetën të lënduar gjatë sulmit.
Gjyqtari Arrni tha se anëtarët e grupit terrorist kishin qëllim aneksimin e veriut.
“E gjithë kjo është kryer me qëllim destabilizimin dhe shkatërrimin e strukturave themelore të Republikës së Kosovës dhe tentativën për shkëputjen e pjesës veriore të territorit dhe bashkimin e saj me Serbinë”, tha Arrni.
Vendimin e Themelores e mirëpriti prokurori special, Naim Abazi. Ai tha se përpjekjet për t’i vënë para drejtësisë edhe më shumë se 40 të akuzuarit e tjerë që gjenden në arrati, do të vazhdojnë edhe përmes mekanizmave ndërkombëtarë.
“Gjithë ata të cilët kanë urdhëruar, kanë financuar edhe kanë koordinuar këtë sulm, sulmin e datës 24 shtator 2023, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë”, tha Abazi.
Vendimin e Themelores e mirëpriti edhe Arianit Koci, avokati i familjes së heroit Afrim Bunjaku.
“Natyrisht, unë jam i kënaqur me vendimin e gjykatës, por jam edhe më i kënaqur që të akuzuarve ja u kemi mundësu si sistem të gjitha të drejtat procedurale edhe në fund tash e kanë marrë dënimin çfarë familja e Afrim Bunjakut edhe e ka parashiku”, u shpreh Koci.
Gjatë procesit gjyqësor, të tre të dënuarit i kanë mohuar akuzat.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. E ka bërë këtë, pasi prezencën e tij në sulm e dokumentoi Policia nëpërmjet xhirimeve me dronë.
Familja e Afrim Bunjakut e pakënaqur me dënimin e Maksimoviqit me 30 vjet burgim
Nën ankth dhe me sy të përlotur, familjarë të heroit Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë, e pritën shpalljen e aktgjykimit për sulmin më të madh terrorist që e ka përjetuar vendi që nga paslufta.
Djali i xhaxhait të rreshterit të vrarë policor e përshëndeti vendimin e trupit gjykues për dy të akuzuarit që u dënuan me burgim të përjetshëm. Por, Arton Bunjaku tha se familja ndihet e fyer që edhe i akuzuari i tretë, Dushan Maskimoviq, nuk e mori të njëjtin dënim.
“Mund të them nga këtu që ne ndihemi të fyer dhe të dëshpëruar, sepse do të ishte e drejtë që të gjithë ta marrin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm, jo vetëm me 30 vjet. Ashtu që, nga këtu bëj thirrje që sa më parë të përgatitet ankesa drejt panelit, të cilët e gjykuan rastin”, tha ai.
Krahas dënimit që nuk është i kënaqshëm për familjen, djali i axhës së dëshmorit të Kosovës kërkoi drejtësi të plotë dhe angazhim edhe të bashkësisë ndërkombëtare për zbardhjen e të gjithë rastit të sulmit terrorist të 2023-tës.
“... kërkoj nga Republika e Kosovës dhe nga instancat ndërkombëtare që sa më parë ta sjellin edhe pjesën tjetër që sa më parë të sillen para drejtësisë dhe jo vetëm me 30 vjet, por me dënim maksimal të përjetshëm. Kjo është një fryrje për popullin e Kosovës, për familjen Bunjaku dhe të gjithë ata të cilët janë heronj që vazhdimisht kanë qenë në mbrojtje të atdheut, të Republikës së Kosovës”, deklaroi djali i xhaxhait të Afrim Bunjakut.
Familjarët e tjerë të Bunjakut, që shkaku i emocioneve të forta nuk deshën të flasin para kamerave, shprehën pakënaqësi që udhëheqësi i sulmit terrorist, Milan Radoiçiq, nuk është sjellë para drejtësisë.
Radoiçiqi aktualisht strehohet në Serbi, ku, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, sulmuesit e Banjskës i kryen trajnimet për përdorim të armëve e edhe u pajisën me armatime e mjete shpërthyese të rënda.
Ndryshe nga dy të akuzuarit e tjerë, Dushan Maskimoviqi nuk u kap me armë zjarri, por Prokuroria Speciale pretendon se ai ka pasur rol organizativ në bazë të mesazheve që pretendohet se i dërgoi.
Ai dyshohet edhe për vendosjen e barrikadave në veri më 2022, për të cilin rast i dyshuar është edhe shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq. Që të dy dyshohen për veprat penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkim për veprimtari kundërkushtetuese.
Autoritetet presin që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin në sulmin në Banjskë
Duartrokitjet e shoqëruara edhe me fishkëllima kanë shpërthyer në Kuvend nga deputetë të pushtetit e opozitës, kur gjatë punimeve të seancës plenare kryeparlamentarja Albulena Haxhiu kumtoi vendimin e Gjykatës, me të cilin dy të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë u dënuan me burgim të përjetshëm ndërsa tjetri me 30 vjet burgim.
Haxhiu tha se drejtësia e plotë vihet, vetëm pasi para gjyqit të dalin të gjithë përgjegjësit.
Pas këtij kumti, lëshuan sallën deputetët e Listës Serbe, parti që e kishte nënkryetar Milan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin.
E, ligjvënësit shqiptarë e ata të komuniteteve joserbe i bënë nderime edhe rreshterit të Policisë, Afrim Bunjaku, që u vra në këtë sulm.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë. Ai ka thënë se aktgjykimi konfirmon edhe përgjegjësinë që ka Serbia në sulm.
“Atë ditë, Republika e Kosovës jo vetëm që përballoi terrorizmin, por ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje. Këtë e dëshmojnë faktet dhe provat që dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë. Sot është e qartë: strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar. Rendi kushtetues është mbrojtur. Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion”, tha Sveçla.
E drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se institucioni që ai drejton do të punojë për t’i vënë të gjithë përgjegjësit para drejtësisë, por ka shtruar nevojën edhe për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë që ajo t’i dorëzojë të gjithë të dyshuarit, që kanë fletarrest.
“Ky është vetëm një hap i parë, e mbetet punë shumë e madhe, por në këtë rast duhet presion i madh i bashkësisë ndërkombëtare edhe besoj institucioneve tona, që derisa ata të mos dorëzohen, të mos ndalemi në mënyrë të pareshtur të kërkojmë që ata të përgjigjen para institucioneve tona të drejtësisë”, deklaroi Hoxha.
Krahas 3 të dënuarve në shkallë të parë, autoritetet kanë arrestuar këtë muaj edhe një serb, si të dyshuar për përfshirje në sulmin në Banjskë. E, në shtator të 2024-s, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, me në krye Milan Radoiçiqin.