Arbëri

Gjermania jep disa porosi për Kosovën e Serbinë për arrestimet e Popoviqit e Spahiut

krichbaum

Ministri gjerman i Shtetit, Gunther Krichbaum, ka thënë se Gjermania po i monitoron nga afër arrestimet e shqiptarëve në Serbi dhe atë të Igor Popoviqit në Kosovë. Pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Krichbaum u ka bërë disa kërkesa të dyja shteteve. 

“Ne vazhdojmë ta monitorojmë nga afër arrestimin e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Çdo masë e heqjes së lirisë duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale. Po ashtu po e monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për drejtësinë që thotë se procedurat penale për veprat në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Punë të Jashtme e Gjermanisë. 

Ai ka thënë se Qeveria gjermane e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe u ka bërë thirrje qeverive të tyre t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash dhe “të përmbahen nga deklarata apo veprime përshkallëzuese”. 

“U bëj thirrje të dyja shteteve që të rikthejnë angazhimin e plotë në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, po ashtu për negocitatorët dhe ekipet e tyre, si dhe një përmbajtje të kujdesshme në deklaratat publike, duke pasur parasysh mandatet përkatëse. Gjermania është e gatshme të mbështesë të dy shtetet në avancimin e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”, thuhet në komunikatën 

Krichbaum ka theksuar se Gjermania e sheh Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe se për këtë normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është esencial. Ai është shprehur se të dyja palët duhet të zbatojnë standardet dhe vlerat evropiane.