Arbëri

Gazetarët viktima të sulmeve nga serbët protestues, u demolohen edhe veturat e pajisjet

E gjatë tri ditëve të përshkuara me dhunë e trazira në veri janë evidentuar me dhjetëra raste të pengimit të punës së gazetarëve gjatë raportimit nga zhvillimet në komunat e Zveçanit, Leposaviqit e Zubin-Potokut. Vetura e KOHËS është një prej shumë syresh që janë demoluar gjatë së martës, përderisa ekipeve të mediave u janë dëmtuar edhe pajisjet. Ndërkaq gazetarët e kameramanët janë sulmuar dhe penguar në kryerjen e punës nga serbët lokalë. E njohës të medias shprehën shqetësim për sigurinë e gazetarëve

Me mbishkrime nacionaliste, me xhama të thyer dhe me goma të shpërthyera, ekipi i KOHËS e gjeti në mëngjesin e së martës veturën që e pati parkuar në Zveçan një natë më parë.

Sabit Osmani, shoferi i veturës së KOHËS e i cili ishte ngujuar deri natën vonë të hënën përbrenda objektit të Komunës, tregon për gjendjen se si e gjeti automjetin.

“Jam kthy mbrëmë në 12 të natës, në 11 e kemi lënë Komunën. Me polici kemi dalë prej Komunës së Zveçanit dhe kemi dalë në jug. Por mbrëmë nuk kam mundur të shkojë te vetura, as gjatë ditës e as në mbrëmje. E sot në mëngjes kur ka shkuar ekipi tjetër e ka fotografuar veturën që është e demoluar me dyer, me xhama, me goma, krejt është e shkatërruar”, tha Osmani.

Image

Krahas KOHËS, veturat u janë dëmtuar edhe disa mediave të tjera që kanë angazhuar gazetarë për të mbuluar zhvillimet e fundit në tri komunat veriore të Kosovës. Gazetarët kanë qenë në cak të protestuesve që nga nisja e protestave, të premten. Atyre u janë dëmtuar pajisjet, janë penguar në kryerje të detyrës dhe janë sulmuar gjatë raportimeve të drejtpërdrejta.

Gazetarë të KOHËS që i mbuluan zhvillimet në veri të martën treguan se, ndryshe prej të hënës, ekipet e mediave nuk janë lejuar të qëndrojnë përbrenda perimetrit të përcaktuar nga KFOR-i dhe se kanë qenë fare pranë protestuesve serbë.

E shqetësime për sulmet ndaj gazetarëve kanë shprehur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR-i dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit. U bëjmë thirrje organeve kompetente që të ofrojnë siguri për gazetarët që raportojnë nga këto komuna, si dhe t’i hetojnë me prioritet të gjitha sulmet ndaj mediave që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme”

Rreth sulmeve mbi mediat, të hënën pati reaguar edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, që u bëri thirrje autoriteteve kompetente për mbrojtjen e gazetarëve.

E Flutura Kusari, juriste e medias, thotë se situata e sigurisë për ekipet në terren është përkeqësuar.

“Nëse dje ka pasur pak mundësi me qëndru ose mbrapa KFOR-it ose diku anash protestuesve, sot në mënyrën se si qenkan organizu disa komuna është që gazetarët janë vendosur në grup me protestuesit. Nuk ka më rrezik për gazetarët sesa me i vendos brenda te protestuesit. E sidomos nëse je në mes të tyre, sepse munden me të lëndu, munden me të gjuajtë dhe gjasat që ti i xhiron ata janë shumë të vogla. E më të vërtetë jam shumë e befasuar”, tha Kusari.

Në rastin më të fundit, ekipi i RTV21 është sulmuar fizikisht nga serbët lokalë teksa po raportonin nga sheshi “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut. Aty iu morën edhe pajisjet.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, AGK-ja njoftoi se në veri kanë ndodhur mbi 15 sulme në drejtim të gazetarëve.

Image