Arbëri

Futja në garë si të vetme e AAK-së dhe Nismës konsiderohet me rrezik për to

Ditën e fundit të aplikimit e kanë ruajtur subjektet politike për të shpalosur se në çfarë forme do të jenë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme në fund të dhjetorit. Derisa Lëvizja Vetëvendosje ka bashkuar forcat me tri parti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate synojnë të hyjnë në Kuvend si të vetme. Lëvizjet e partive, sidomos atyre më të vogla nga përfaqësimi i deritashëm në Kuvend, janë duke u konsideruar të rrezikshme për to.

Garës zgjedhore të 28 dhjetorit ia kanë mësyrë 24 subjekte politike.

Nga partitë më të mëdha, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka bërë koalicion me tri parti, derisa të tjerat në zgjedhjet e parakohshme do të hyjnë si të vetme.

Subjektet politike, sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë lënë për ditën e fundit deklarimin e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Gjatë kësaj periudhe 7-ditore (24 nëntor - 30 nëntor 2025) 24 subjekte politike, prej të cilave: 3 koalicione, 18 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Paralelisht me aplikimin për certifikim, është zhvilluar edhe afati për deklarim të partive politike për formim të koalicioneve”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Analisti politik Seb Bytyqi thotë se nga aplikimi për zgjedhje rëndësia më e madhe është tek partitë e vogla.

Sipas tij, me veprimin e tyre Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate kanë rrezikuar hyrjen në Kuvend, kurse te Alternativa e GUXO vërehet rritje në elektorat.

"Fakti që nuk ka ndonjë koalicion tregon që në njërën anë ka përpjekje që të kapen sa më shumë vota mirëpo ka edhe mungesë të uniteti te opozita, sidomos mos futja e AAK-së dhe Nismës në ndonjë koalicion e rrezikon që ato parti të mbesin jashtë parlamentit, prandaj është një veprim me rrisk nga ato dy parti...në anën tjetër Vetëvendosjes për herë të parë futet me koalicion ku më herët partitë e vogla thjeshtë i kanë listuar kandidatët në listën e VV-së, kjo nënkupton fuqia elektorale dhe politike e këtyre partive të vogla është më e forcuar tash”, ka thënë Bytyqi.

Pas aplikimit për pjesëmarrje në zgjedhje, subjektet politike kanë kohë shtatë ditë që të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme.