Fushata elektorale do të nisë më 17 dhjetor deri më 28 dhjetor, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Pas shpërndarjes së Kuvendit të enjten, presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Vendimi është marrë si pasojë e dështimit për formimin Qeverinë e re, përbërjen e të cilës e ka propozuar në dy tentime të pasuksesshme Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Caktimi i datës së zgjedhjeve është bërë pas takimit që presidentja Osmani e ka mbajtur të enjten me liderë të partive parlamentare politike. Osmani ka thënë se në këtë takim e ka bërë përpjekjen e fundit për t’i kthyer deputetët në seancë dhe për t’i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e vitit 2026, buxhetin për tri komuna dhe financimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Si pasojë e mungesës së konsensusit politik, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë që prej zgjedhjeve parlamentare të fillimvitit. Tani shkon në zgjedhje të reja, pa i miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej rreth 200 milionë euro, pa e miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, atë për RTK-në dhe për komunat e Prishtinës, Gjilan dhe Zubin Potokut.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që do të mbahen brenda këtij viti, pas atyre nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit.