Drejtuesit e SHSKUK-së vazhdojnë t’i fshehin telashet me të cilat përballen pacientët në QKUK dhe spitale rajonale. Menaxhmentit të spitaleve nuk i lejohet të flasë për gjendjen reale, ndërsa bordi drejtues të mërkurën, në takim me drejtorët e klinikave të QKUK-së nuk kërkoi llogari nga drejtori i SHSKUK-së për rastet e fundit të mungesës së materialeve për dializë. Drejtuesit e bordit arsyetuan vonesat në shërbime duke thënë “ndonjëherë mund të ndodhin”
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës po i fsheh problemet e brendshme të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, të cilat prekin drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e pacientëve. Menaxhmentit të spitaleve dhe drejtorëve të klinikave nuk u lejohet të flasin publikisht për këto çështje. Siç është informuar KOHA, atyre u kërkohet që ta paraqesin gjendjen si të mirë, ndryshe nga ajo që është në realitet.
Një ditë më parë KOHA raportoi se si menaxhmenti i Spitalit të Mitrovicës nuk u lejua të fliste publikisht për arsyet se pse pacientët me dializë morën trajtim me vetëm gjysmën e orarit të zakonshëm - në vend të 4 orëve ata u trajtuan vetëm për 2 orë.
Për këtë gjë nuk u kërkua llogari nga drejtori i përgjithshëm as në mbledhjen e Bordit Drejtues të SHSKUK-së. Anëtarët e bordit u mjaftuan me raportimin e përgjithshëm të drejtorit Elvir Azizi, në të cilën ai nuk e përmendi faktin që pacientët nuk e kishin marrë shërbimin e plotë.
“Jemi informuar se edhe pse ka pasur vështirësi dje, veçanërisht në Spitalin e Mitrovicës të gjitha dializat janë kryer dje nga shërbimi i dializës në Mitrovicë, ka përfunduar rreth orës 11 të natës. Sa i takon ditës së sotme, material ka edhe në Mitrovicë, edhe në spitale të tjera, d.m.th. për momentin... Ka pasur vonesë, veçanërisht ka qenë në Spitalin e Mitrovicës, por në anën tjetër asnjë shërbim nuk ka mbetur pa u kryer”, ka thënë Azizi duke iu referuar situatës ku në Mitrovicë pacientëve iu përgjysmua shërbimi.
Në mbledhje përgjegjësi nga drejtori nuk u kërkua as për faktin që gjatë javës së kaluar, përveç Spitalit të Mitrovicës, shërbimi i dializës është përcjellë me mungesa edhe në Spitalin e Gjilanit ku një mesditë nuk pati fare material, si dhe në Ferizaj, ku ndërrimi i dytë nuk u krye për mungesë materiali.
Pavarësisht kësaj, sipas kryesueses Tetore Olloni, të gjithë pacientët kanë marrë shërbimin e nevojshëm.
“Më vjen mirë, me sa kuptova, që nuk kemi asnjë pacient që nuk e ka marrë shërbimin... Ne e kuptuam që të gjithë e kanë marrë hemodializën, vonesat ekzistojnë. Duhet me qenë furnizimi i qëndrueshëm. Ndonjëherë vonesat mund të ndodhin. Ligji i prokurimit i lejon kontratat emergjente, por gjithsesi në rast se identifikohet faktori njeri, të kemi një pikë të përbashkët me drejtorin që të merren masa konform me ligjin”, ka thënë Olloni.
Pavarësisht listave të gjata të pritjes, bordi është shprehur i kënaqur me punën e klinikave të QKUK-së.
Në shumicën e kohës prej 10 minutash që kishte secili drejtor i 10 klinikave të ftuara për udhërrëfyesit e performancës, ishte vetë kryesuesja e bordit ajo që foli në vend të tyre.
Kryesuesja e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, Tetore Olloni, pa asnjë arsyetim ka ndaluar kamerën e televizionit që të hyjë në sallën e mbledhjes për të filmuar minutat e parë të saj, siç ka qenë praktikë deri më tani. Ajo nuk ka lejuar as praninë e kamerës në korridor, duke ndërprerë kështu një praktikë që prej më shumë se një viti e kishte mundësuar ish-kryesuesi i bordit, Naim Bardiqi.
Ajo nuk dha sqarim se pse e mori këtë vendim kur u pyet nga KOHA para e pas përfundimit të mbledhjes së bordit. Përgjigje lidhur me këtë as kryesuesja e as anëtarët e bordit nuk ofruan as nëpërmjet emailit.
KOHA një ditë më parë raportoi se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e ka ndërprerë kontratën emergjente për furnizim me material të hemodializës të lidhur vetëm pesë ditë më parë. Sipas vendimit, ndërprerja e njëanshme e kontratës është bërë për shkak të mosliferimit me kohë dhe të plotë të materialit nga operatori i kontraktuar “Medicom”.
Sipas SHSKUK-së një sasi është kthyer mbrapa me arsyetimin se malli i pranuar nuk përputhet me specifikimet e kontraktuara dhe me dyshimin se mund të mos përshtatet me aparaturat ekzistuese.
Në kompaninë “Medicom”, kanë vlerësuar se kjo u bë qëllimshëm, për të favorizuar më pas kompaninë tjetër që kishte ofertuar në tenderin emergjent.
Tenderi i rregullt për material të hemodializës është bllokuar pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ndërsa tenderi emergjent i hapur në fund të tetorit është anuluar, pasi dy kompani ofertuan me çmim më të lartë sesa vlera e parashikuar e tenderit.