Mijëra qytetarë e kanë zgjedhur Prishtinën për ta shënuar 18-vjetorin e pavarësisë. Dita ka nisur me festë dhe me paradë ushtarake. Qytetarët e ardhur nga anembanë vendit kanë pasur mundësinë të martën që të shohin nga afër pjesëtarët e Ushtrisë dhe të Policisë së Kosovës. Përveç zyrtarëve policorë dhe atyre ushtarakë, qytetarëve u janë prezantuar edhe armë dhe makineri ushtarake deri në ato më të rëndat që kanë në posedim institucionet e sigurisë së Kosovës
Mes flamujve kombëtarë dhe shtetërorë si dhe jehonës së hapave të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), qendra e Prishtinës është shndërruar të martën në skenë kujtese, proteste dhe festimi për 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Nga lagjja Qafa e deri te Newborni, me mijëra qytetarë kanë mbushur të dyja anët e rrugës “Luan Haradinaj”, për ta përcjellë parakalimin e FSK-së dhe të Policisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEnkas për këtë ditë, ka udhëtuar për në Prishtinë nga Gjermania mërgimtari Abdurrahman Beqiri.
“Festojmë me shumë dëshirë të madhe. Kjo festë na kujton shumë gjëra të rëndësishme, për sakrificën e shumë luftëtarëve që kanë dhënë jetën për këtë liri dhe ne e çmojmë shumë dhe e festojmë me shumë dashuri”, është shprehur ai teksa ka vëzhguar parakalimin e ushtarëve dhe të pajisjeve ushtarake të FSK-së
E Veli Morina ka qenë edhe vetë ushtar. Rreth tri dekada më parë, ai iu pati bashkuar Ushtrisë Çlirimtare (UÇK) për të luftuar për Kosovën shtet. Në 18-vjetorin e shtetësisë së saj, ai ka theksuar se janë dy arsyet përse ka zgjedhur që ta festojë Ditën e Pavarësisë në Prishtinë.
“Kjo ditë për mua është shumë e rëndësishme sepse kena luftu për këtë ditë. Sot kam dalë për t’i parë forcat e Ushtrisë së Kosovës dhe gjithë popullin shqiptar, e tash në orën 14:00 do të marr pjesë edhe në marshin e veteranëve, sepse është për mbrojtjen e tyre, sepse ata janë të pafajshëm atje”, ka theksuar ai.
Në përvjetorë si Dita e Pavarësisë, Prekazi shndërrohet përherë në një prej vendeve kryesore që vizitohet nga qytetarët. Por, shkaku i parakalimit të FSK-së si dhe protestës për drejtësi për ish-udhëheqësit e UÇK-së, një banor i këtij fshati të Skenderajt ka marrë rrugë për në kryeqytet.
“Kemi dalë sot për me u dhënë përkrahje çlirimtarëve të Kosovës. Ata nuk kanë luftuar vetëm për shqiptarët e Kosovës, por kanë luftuar edhe për krejt popullin që është në Kosovë, si për serbë, si për romë, si për ashkali”, ka thënë ai.
E, Jakup Zolfaj ka theksuar se 17 shkurti mbetet data prej më të rëndësishmeve për Kosovën ndërkaq u ka bërë thirrje të rinjve që ta njohin më shumë historinë e shtetit.
“Brezave të rinj ju kisha thanë të mësojnë pak, që të dinë se çka ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Vetë fjala ushtri çlirimtare është e madhe, që të dinë për shtetësinë e Kosovës, për pavarësinë dhe ta duan shtetin tonë, vendin tonë, popullin tonë”, është shprehur ai.
Parada e ushtrisë dhe e policisë në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është më e madhja e mbajtur ndonjëherë. Në kuadër të saj, Prishtina të martën ka gumëzhirë nga prania e ushtarëve dhe e policëve të rreshtuar në nderim të ditëlindjes së 18-të si shtet i pavarur.
Qytetarëve gjatë ditës u janë prezantuar kuadratet e shumta të forcave policore dhe ushtarake të Kosovës, si snajperët, kadetë, këmbësoria dhe artileria në parakalimin që kësaj radhe është mbajtur në rrugën që mban emrin e heroit “Luan Haradinaj” .
Komandantja supreme e FSK-së, presidentja Vjosa Osmani, e pati një porosi për të rinjtë e brezit që ka lindur bashkë me shtetin.
“I drejtohem të gjithë qytetarëve të Kosovës, e sidomos ju të rinjve e të rejave, të cilët, njësoj sikur shteti ynë, sivjet i bëni 18 vjet: Ruajtja e Kosovës është amaneti më i rëndësishëm për ju, pranoni me krenari flamurin tonë, mbrojeni me kujdes shtetin e demokracinë, ndërtoni me pasion të ardhmen, bëhuni të gjithë bashkë të denjë për sakrificën e atyre që vunë themelet e shtetit tonë të dashur”, është shprehur ajo.
Nënkoloneli i FSK-së, Vëllazrim Qerimi, ka thënë se përvjetori i Pavarësisë është ditë reflektimi për rrugëtimin e deritanishëm dhe një zotim për të ardhmen.
“Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës është dëshmi e përkushtimit tonë për sigurinë, sovranitetin dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Në këtë prezantim riafirmojmë përkushtimin dhe angazhimin tonë për paqe dhe stabilitet kudo në botë”, ka theksuar Qerimi.
E kryeministri Albin Kurti ka thënë se viteve të fundit janë rritur kapacitetet mbrojtëse të vendit, teksa ka premtuar edhe zhvillimin e industrisë ushtarake.
Ai ka shtuar se kjo bëhet në shërbim të ruajtjes së lirisë, demokracisë dhe sovranitetit të shtetit.
“Në këtë 18-vjetor të pavarësisë mesazhi ynë është i qartë: Kosova është e lirë dhe do të jetë, Kosova është demokratike dhe do të jetë, Kosova është sovrane dhe do të jetë. Ne do të vazhdojmë të investojmë në siguri, sepse i duam jetën dhe lirinë, zhvillimin dhe begatinë të sigurta”, ka thënë Kurti.
Deri në vitin 2018, Forca e Sigurisë e Kosovës ka pasur mandat kryesisht humanitar dhe civil, të fokusuar në reagim ndaj fatkeqësive natyrore, në operacione kërkim-shpëtimi dhe në mbështetje për komunitetin.
Me ndryshimet ligjore të miratuara atë vit, misioni dhe kompetencat e saj janë zgjeruar, duke e transformuar në forcë ushtarake të rregullt me detyra të mbrojtjes territoriale dhe zhvillim të kapaciteteve mbrojtëse.