Arbëri

Fondi për Sigurime Shëndetësore pa mbikëqyrje prej afro katër muajsh

Institucioni i Fondit për Sigurime Shëndetësore nuk është mbikëqyrur që prej prillit, pasi që atëherë nuk ka mbajtur takim të Bordit Drejtues. Me këtë, kjo trupë del se nuk i ka respektuar statutin dhe as rregulloren e brendshme, të cilat përcaktojnë që takimet duhen mbajtur të pakën një herë në muaj. E për mosmbajtjen e tyre, në këtë institucion nuk ofruan sqarime

Fondi për Sigurime Shëndetësore, që sivjet menaxhon me buxhet prej gati 11 milionë eurosh, nuk i është nënshtruar mbikëqyrjes që prej gati katër muajsh.

Kjo pasi që Bordi Drejtues i këtij institucioni, siç ka mësuar KOHA, nuk është takuar nga 1 prilli, ndonëse statuti dhe rregullorja për procedurat e punës së bordit përcaktojnë që mbledhje të kësaj trupe të ketë së paku një herë në muaj.

“Bordi do të takohet së paku një (1) herë në muaj. Kryesuesi do të caktojë datat e takimeve në koordinim me drejtorin e Fondit”, thuhet në rregullore.

Në mbledhje, bazuar në rregullore, raportimi i drejtorit të Fondit mbi aktivitetin e institucionit është pikë e rregullt e rendit të ditës.

E sipas Ligjit për Sigurime Shëndetësore, Fondi drejtohet nga Bordi Drejtues, që është organi më i lartë vendimmarrës dhe ka rol mbikëqyrës.

“Mbikëqyrja e Fondit bëhet nga: Bordi drejtues, i cili mbikëqyr veprimtarinë dhe ligjshmërinë e punëve të Fondit; shqyrton raportet e rregullta vjetore dhe tremujore me deklaratën financiare, raportet e auditimit; si dhe raportet plotësuese mbi aktivitetin e Fondit; siguron transparencën e kontabilitetit dhe likuiditetin e vazhdueshëm të pagesave; siguron themelimin e sistemeve adekuate të kontrollit të brendshëm, në pajtim me parimet e menaxhimit të financave publike në sektorin publik; aprovon pasqyrat vjetore të llogarive financiare, raportet vjetore dhe raportet mujore përkitazi me aktivitetet dhe operacionet e tij për MSH, MF, dhe Qeverinë”, thuhet në nenin 32 të këtij ligji.

Tetë anëtarët e Bordit drejtues i emëron Qeveria, e në kompetencë të tyre hyjnë edhe emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të Fondit. Kryesues i Bordit vazhdon të jetë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ani se prej një viti i ka përfunduar mandati njëvjeçar.

Krahas kryesuesit, aktet nënligjore u japin përgjegjësi për thirrje të takimeve emergjente edhe anëtarëve të Bordit drejtues.

KOHA nga e enjtja iu drejtua ministrit Vitia, anëtarëve të Bordit dhe drejtorit të Fondit me pyetjen se si bëhet mbikëqyrja e veprimtarisë së Fondit në mungesë të takimeve prej gati katër muajsh, porse nuk mori përgjigje nga asnjë instancë.

Në mungesë të funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore, Fondi e ka përgjegjësinë kryesore t’i mbulojë pagesat për pacientët që kanë nevojë për trajtim shëndetësor jashtë institucioneve publike. Për këtë, nga buxheti i Fondit paguhen rreth 10 milionë euro çdo vit.

KOHA tre vjet më parë pati raportuar mbi keqpërdorimet e shumta në Fond me referimin e pacientëve për shërim jashtë vendit, dhe se si ky fond është zhytur në borxh prej rreth 30 milionë eurosh, në atë që ua ka vështirësuar pacientëve në nevojë marrjen e shërbimeve shëndetësore. E për këtë, në maj të 2023-tës u shkarkua nga detyra drejtori Fatmir Plakiqi.

Bazuar në një përgjigje të dhënë nga Fondi në prill, borxhi që ky institucion e ka në kuadër të Programit për Trajtim Jashtë institucioneve Publike ka rënë në 14.5 milionë.