Arbëri

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve: AUV-i urdhëroi mbylljen e 2 strehimoreve ilegale të qenve

Qente endacake

Foto: Ilustrim

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar mbylljen e dy strehimoreve për qen të financuara nga Komuna e Prishtinës.

Në njoftimin e Fondacionit thuhet se AUV-i ka inspektuar dy strehimore ilegale për qen që ishin financuar nga Komuna e Prishtinës, dhe ka konstatuar shkelje serioze të mirëqenies së kafshëve dhe shëndetit publik.

Në njoftim thuhet se inspektimet u realizuan pas kërkesave të përsëritura nga Fondacioni. 

Ata kanë thënë se dy persona, “të cilët supozohej t’i mbanin këta qen në kushte të sigurta dhe humane që plotësojnë të gjitha nevojat e tyre, paguheshin 50 euro për qen në muaj”. Mirëpo sipas Fondacionit, realiteti ishte krejt ndryshe.

“Këto të ashtuquajtura ‘adoptime individuale’ ishin asgjë më pak se strehimore të paligjshme dhe të papastra. AUV konstatoi: Higjienë e tmerrshme: hapësira të ndyra, pa ndarje të duhur të kafshëve. Pa ujë të pastër, pa kujdes bazik. Qen të lënë nën vapë përvëluese, të ekspozuar dhe duke vuajtur. Një qen i vdekur u gjet gjatë inspektimeve. Më pak qen se sa raportohej zyrtarisht, që tregon për shifra të rreme dhe mashtrim të mundshëm. Erë e rëndë e qenve të vdekur, sipas punëtorëve aty afër — që tregon se shumë qen kanë vdekur dhe nuk janë raportuar kurrë. Mungesë e dokumentacionit veterinar”, thuhet në njoftim. 

Sipas Fondacionit inspektimet e AUV-it te këta adoptues, por edhe te disa të tjerë, tregojnë qartë se Komuna e Prishtinës nuk po bën fare adoptime individuale. 

“Ata po financojnë strehimore ilegale, duke shkelur me vetëdije ligjet për mirëqenien e kafshëve dhe rregullat për hapjen e strehimoreve”, thuhet në njoftim.