Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fetoshi: Vuçiqi pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit pati nostalgji për kohën e Millosheviqit

Arben Fetoshi

Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka thënë se ofenziva izraelito-amerikane ndaj Iranit ia ka ngjallur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nostalgjinë për kohën e Sllobodan Millosheviqit. 

Fetoshi në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se Republika e Kosovës i është përgjigjur në mënyrë profesionale sfidës që paraqet ky përshkallëzim në Lindjen e Mesme dhe është përcaktuar qartë në anën e SHBA-së dhe Izraelit kundër regjimit të Iranit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E keni parë që presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka pasur deklarata nostalgjike për kohën e Millosheviqit, në përpjekjen e vetë që të bëjë krahasim mes intervenimit të NATO-s në Kosovë më 1999 dhe operacionit izraelito-amerikan kundër regjimit iranian tash”, tha Fetoshi. 

Vuçiq, duke komentuar operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit, ka ngritur paralele me intervenimin e NATO-s më 1999 në Serbi.

Sipas Vuçiqit, "ashtu siç u gënjye asokohe për Serbinë, edhe për Iranin po synohet ndryshimi i regjimit".

“E gjithë kjo po kryhet, siç ndodhi në Serbi, ata gënjyen gjatë gjithë kohës se ishte një katastrofë humanitare, dhe thelbi ishte në dy gjëra - njëra është ndryshimi i regjimit në Beograd në vitet 1999/2000 dhe si pikë e dytë - thelbi i të gjithë veprimit të NATO-s, fitimi i pavarësisë së Kosovës, domethënë ndarja e 14 për qind të territorit të Serbisë dhe dhënia e pavarësisë atij territori. Pra, këtu po flasim për një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran, dhe ‘kthimin’ e Iranit, siç do të thoshin ata, drejt vlerave perëndimore, dhe kjo ndryshon plotësisht pamjen ekonomike të botës”, ka thënë Vuçiqi gjatë një interviste telefonike për “TV Informer”.

E Fetoshi ka thënë se kërkohet vëmendje e shtuar ndaj sfidave të sigurisë që mund të japë konflikti i zgjeruar në Lindje të Mesme. 

“Nëse i referohemi gjithë aktivitetit të deritashëm të Serbisë kundrejt Kosovës, qëllimit të saj për ta sabotuar ndërkombëtarisht Kosovën...e nëse i referohemi edhe rreshtimit gjithnjë më të thellë të Serbisë në këtë trekëndëshin revizionist me në krye Rusinë...po normalisht përgjigja e Prishtinës zyrtare duhet të ketë e qartë. Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë vëmendje të shtuar karshi zhvillimeve të tilla”, tha Fetoshi.