Arbëri

Faqet e diplomacisë jashtë funksionit, kabineti i Gërvallës krijon portal

Asnjë informacion nuk mund ta marrin qytetarët online në ambasadat apo misione konsullore përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për shkak se domenet përkatëse prej muajsh janë jashtë funksionit. Kompania që ka mirëmbajtur domenet thotë se Ministria nuk ka paraparë mirëmbajtje edhe për ambasada dhe konsullata. Ndërkaq nga ky muaj kabineti i ministres ka lansuar portal për ambasada dhe konsullata, por sipas ekspertëve mund të jetë rrezik për sigurinë kibernetike.

Jashtë funksionit vazhdojnë të jenë të gjitha faqet zyrtare të misioneve diplomatike të Kosovës nëpër botë.

Qasja në to ishte mundësuar nëpërmjet linçeve të faqes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Por në shfletimin në faqet zyrtare të ambasadave asnjëra nuk ka qenë funksionale.

Njësoj është edhe me faqet e misioneve konsullore.

Problemi është shfaqur prej marsit të këtij viti, kur u ndërpre bashkëpunimi me kompaninë që mirëmbante domenet dhe faqet online të ambasadave.

Në Kompaninë që aktualisht mirëmban faqen e MPJ-së thonë se kjo e fundit nuk e ka paraparë edhe shërbimin për ambasada e konsullata.

“Kontrata është e tillë që disa shërbime s’i kanë paraparë ata dhe për këtë arsye nuk kemi mundur t’i ofrojmë. Pra nuk e kanë paraparë pagesën për hostim të uebfaqeve të ambasadave dhe konsullatave. Ne e kemi mirëmbajt gjashtë muaj, kemi kërkuar të na paguajnë, por kanë thënë se nuk kanë para për këtë shërbim. Në fund e kemi vendos që ta ndërpresim shërbimin. Kanë qenë të informuar për këtë dhe mandej kanë vendos me u marrë vet me to”, ka thënë “Spinp Creative Agency”.

Derisa domenet zyrtare nuk janë funksionale, nga prilli i këtij viti MPJ-ja ka lansuar portal me domenin “ambasadat.net”, në përshkrimin e të cilit thuhet se është krijuar nga kabineti Gërvalla.

Përmes vegëzave, aty janë publikuar ambasadat e konsullatat. Shërbimet ofrohen në tri gjuhë.

Në MPJ kanë arsyetuar mënyrën e hostimit të uebit, duke thënë se është bërë me sigurinë maksimale të mundshme sa u përket sulmeve apo problemeve kibernetike.

“Në ndërkohë web do të transferohet në sistemin e serverëve të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) sapo të sigurohemi që niveli i sigurisë do të jetë maksimal edhe pas transferimit. Gjatë procesit së transferimit ne duhet të kemi sa më pak vëmendje te portali, për shkaqe sigurie, për këtë arsye dita se kur do të transferohet në serverët e ASHI-së nuk mund të bëhet publike tani. Para, gjatë dhe pas publikimit kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me organet e ASHI-së për këtë portal, andaj nuk ka asgjë private ose të fshehtë në këtë proces”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Në MPJ kanë thënë se nuk janë paguar mjete financiare për krijimin e faqes e as për mirëmbajtje.

Edhe pse i krijuar nga kabinet i Gërvallës, në MPJ thonë se ai mirëmbahet nga stafi i Divizionit të Shërbimit Informativ.

“Është krijuar nga vullneti i kabinetit Gërvalla, dhe do të mirëmbahet nga stafi i Divizionit të IT-së, brenda MPJD-së, rrjedhimisht është aset që i mbetet Ministrisë dhe jo kabinetit. Pra, nuk ka konflikt, përderisa mirëmbajtja dhe qasja mbeten në stafin civil dhe jo atë politik. Kështu, ne si MPJD, kemi kursyer mjete financiare për krijim dhe mirëmbajtje, dhe njëkohësisht kemi vendosur standard të lartë të shërbimit ndaj institucionit që shpresojmë se do të vazhdojë”, ka thënë MPJ-ja.

Një udhëzim i Ministrisë së Administratës Publike për ueb faqet e institucioneve obligon institucionet që të përdorin domenin, sipas formatit të përcaktuar.

“Uebfaqja e institucionit publik duhet të ketë në adresë inicialet e emërtimit zyrtar të institucionit dhe emërtimin e nëndomenit të institucionit përkatës sipas formatit: xxx.rks-gov.net (psh. Ministria e Administratës Publike- map.rks-gov.net)”, thuhet në udhëzim.

Ndërkaq neni 7 përcakton se institucionet publike obligohen t’i hostojnë faqet e tyre në serverët e Qendrës Shtetërore të të Dhënave.

“Institucionet publike uebfaqet e tyre zyrtare obligohen t’i hostojnë në serverët e Qendrës Shtetërore të të Dhënave të Republikës së Kosovës. 2. Institucioni publik që krijon/zhvillon uebfaqe të re duhet të kërkojë nga Agjencia ndarjen e nëndomenit për uebfaqen përkatëse”, thuhet në nenin 7.

Ekspertë të Sigurisë Kibernetike thonë se çdo faqe e krijuar jashtë ombrellës së shtetit është precedent i rrezikshëm.

“Kjo në aspektin funksional dhe shfrytëzimin nga perspektiva e shfrytëzuesit fundor, respektivisht qytetarit paraqet një sfidë për të identifikuar se cila është faqja e vërtetë dhe ndoshta nga aspekti i sigurisë është sfidë e veçantë, sepse është jashtë perimetrit të sigurisë të cilin e krijojnë autoritetet e Republikës së Kosovës. Edhe në të kaluarën e afërt ne kemi bërë vlerësimin e sigurisë sipërfaqësore të faqeve zyrtare qeveritare, sepse për të bërë një vlerësim të duhur do të duhej të kishim pëlqimin e Qeverisë dhe ministrive përkatëse. Por nga pamja e jashtme ne kemi konstatuar se as nivelin bazik disa nga ambasadat nuk e kanë pasur”, ka deklaruar Mentor Hoxhaj, ekspert i sigurisë kibernetike.

Kosova aktualisht nuk njihet në hapësirën kibernetike, dhe kjo sipas Hoxhajt, bën që të ketë laramani të faqeve me domene të ndryshme.