Arbëri

Familjarët dyshojnë në versionin e “vetëngufatjes” së 46-vjeçarit në stacion policor

Edhe një familje nga Suhareka ka ngritur dyshime në Polici. Nëna e Nazif Kolollit nuk i beson versionit se ai është vetëngufatur javën e shkuar, derisa ndodhej në stacionin policor. Ajo ka insistuar që t’i shohë xhirimet e kamerave brenda stacionit. Ndërkaq, Prokuroria i ka nisur hetimet ndaj tre policëve

Prokuroria Themelore në Prizren e ka nisur hetimin për vdekjen e Nazif Kolollit, e cila ka ndodhur javën e shkuar derisa ai ka qenë duke u mbajtur në dhomën e ndalimit 48-orësh në Stacionin e Policisë në Suharekë.

Në Prokurori nuk kanë dhënë detaje për rastin, e në Inspektoratin Policor (IPK) kanë njoftuar se tre zyrtarë policorë janë suspenduar, pas dyshimeve se Kololli “është vetëngufatur brenda dhomës së ndalimit”.

Nëna e të ndjerit ka thënë se versioni zyrtar për vdekjen nuk i duket i besueshëm.

“Po dalin fjalë, por nuk është e mundshme. Unë po kërkoj drejtësi. Ani e paska bërë kështu. Ato kamera dua t’i shoh vetë në duart e mia se si e tek, atë drejtësi po e kërkoj unë. Asgjë tjetër s’po kërkoj, vetëm drejtësi dua. Më shkoi djali, por dua ta di prej çka”, ka thënë Fahrije Kololli, nënë e të ndjerit Nazif Kololli.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe miku i Kolollit, Bajram Përteshi.

“Kemi shkuar në Prishtinë. Në Prishtinë pastaj mjeku tha: e ka varur veten. Më tha: shikoje, nga gjoksi e lart e ka shpalosur dhe kurrfarë shenje që e ka varur veten nuk ka pasur”, ka theksuar ai.

Avokati i familjes Kololli, Gent Gjini, ka thënë se vdekja është e mistershme, teksa ka shtuar se familja me të drejtë i ka kërkuar pamjet e kamerave, pasi që qendrat e ndalimit parashihet që të jenë vende jashtëzakonisht të sigurta.

“Ky është rast i padëgjuar se si është e mundshme një person, që duke e ditur që policia është vend më i sigurt nga të gjitha institucionet, dikush ta vrasë veten në prezencë të themi të kamerave që duhet të incizojnë dhe ne urojmë që ato kamera të kenë incizuar”, ka thënë avokati Gjini.

Ndaj tre policëve të dyshuar, njëri prej të cilëve është rreshter, Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim, por ata janë vënë nën masën administrative të pezullimit për sa kohë që hetohen.

Avokati Gjini ka vlerësuar se Themelorja në Prizren është dashur që të kërkojë paraburgim për ta, meqë policët mund të ndikojnë në prova dhe te dëshmitarët e rastit.

Bazuar në versionin e Policisë, i ndjeri është arrestuar për dhunë në familje. E familjarë të tij kanë thënë se në momentin kur është kapur nga policia, ai nuk ka rezistuar.