Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Fajde” me letra

ATK

Për ATK-në, derisa bizneset lëshojnë borxhe me kamatë jo më të vogël se që përcaktohet me vlerën e hapur të tregut, gjithçka është në rregull. Sipas ATK-së, nuk lejohet që të jepet borxh pa kamatë. E ata që merren me çështje fiskale, thonë se pas gjithë kësaj mund të fshihet fajdeja, që në këto raste legjitimohet

Bizneset ngjashëm me praktikën e bankave komerciale kanë të drejtë me ligj që të huazojnë para dhe të aplikojnë normë interesi ndaj huamarrësit. 

Në një përgjigje për KOHËN në Administratën Tatimore të Kosovës thonë se kontrata e huadhënies duhet të përfshijë shumën, afatin e kthimit, pranimi dhe kthimi duhet të bëhet përmes bankës dhe duhet të përcaktohet shkalla e interesit të huas duke u bazuar në vlerën e hapur të tregut. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nëse nuk plotësohen kushtet e parapara, atëherë për pranuesin e të ardhurave, huaja konsiderohet si e ardhur e tatueshme”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Vlera e hapur e tregut, sipas ATK-së përcaktohet nga Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave. 
Këto kushte përcaktohen në Udhëzimin Administrativ për Zbatimin e Ligjit për Tatim në të Ardhurat e Korporatave, që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Pra, nuk bëhet fjalë për banka apo institucione të tjera mikrofinanciare që për dhënien e huas me interes-kredisë i nënshtrohen rregullativës së Bankës Qendrore. 

KOHA i ka dërguar pyetje BQK-së se a është në dijeni institucioni për këtë praktikë, se a bie ndesh me politikat fiskale dhe a paraqet rrezik për stabilitetin financiar, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

E, avokati Florin Lata, i cili merret me çështje fiskale, thotë se nga kjo praktikë, biznese të ndryshme kanë lëshuar hua me interes deri në 24 për qind, e që më pas, sipas tij, mund të fshihet aktiviteti i fajdesë. 

“I njëjti biznes gjendet që i ka huazuar mjete herë një biznesi, herë një biznesi tjetër me interes dhe me norma shpeshherë shumë të larta. Ai subjekt nuk është fare i licencuar për të dhënë hua apo kredi në këtë rast, kjo më bën të dyshoj që ato subjekte në një zonë edhe mund të konsiderohen se e ushtrojnë aktivitetin e fajdeve”, ka thënë Lata.

ATK-ja nuk e konsideron problematike nëse bizneset njëra-tjetrës i vendosin norma shumë të larta të interesit. 

“Për ATK-në konsiderohet e papranueshme që norma e interesit të jetë më e
ulët se norma e tregut. Ndërsa nëse subjekti dëshmon se ka aplikuar një normë interesi më të lartë se norma mesatare e tregut, kjo trajtohet si çështje kontraktuale ndërmjet huadhënësit dhe huamarrësit, për aq kohë sa janë respektuar dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e institucionit. 

E bashkëpunimin me Bankën Qendrore thanë se e kanë kryesisht për qëllime të verifikimit të normave të interesit që aplikohen në tregun financiar gjatë një periudhe të caktuar tatimore.

KOHA u ka dërguar pyetje të shtatë Prokurorive Themelore dhe asaj Speciale se a ka ndonjë hetim aktiv për fajde lidhur me kontrata të huas me interes. 

Përgjigje ka marrë vetëm nga ajo e Pejës, nga e cila kanë konfirmuar se nga ATK-ja nuk ka dërguar asnjëherë raport lidhur me këto dyshime. 

“Referuar pyetjeve në kërkesën e juaj, ju njoftojmë se, Prokuroria Themelore në Pejë, nuk ka pranuar nga ATK-ja raste të kësaj natyre, mirëpo të gjitha kallëzimet penale të pranuara nga ATK-ja, kanë të bëjnë me veprën penale, ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, nga neni 284 të KPRK-së dhe veprën penale ‘Shmangia nga tatimi’, nga neni 307 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Pejë. 

Edhe në rastet kur një kompani i jep borxh një biznesi tjetër pa interes, ATK-ja e trajton atë si hua me kamatë sipas normës së tregut, e përllogaritë vetë interesin që do të duhej të aplikohej për ta tatuar me 10 për qind.

Për shembull në një aktgjykim të Gjykatës Komerciale të vitit 2025, theksohet se gjatë kontrolleve, një kompani që ka dhënë hua 800 mijë euro, kur i është kthyer ky borxh, ATK-ja ka përllogaritur edhe kthimin nga interesi, i cili realisht nuk ishte aplikuar, në vlerë 103 mijë euro, për ta tatuar në burim për 10 mijë e 300 euro.   

Mirëpo komercialja i kishte dhënë të drejtë kompanisë dhe ka theksuar se ATK-ja nuk mund t’i detyrojë bizneset të lidhin kontratën me interes. 

“(ATK v.j.) ka kompetencë të administrojë çdo lloj tatimi, por jo të përcaktojë detyrimisht formën e kontratave të huas që ato të lidhen me interes. Prandaj për gjykatën një vlerësim i tillë nga e paditura i mbështetur në këtë bazë ligjore nuk konsiderohet i pranueshëm në rastin konkret, kur kontratat e huas në mes të paditësi dhe palëve tjera janë lidhur pa interes”, thuhet në aktgjykimin në rastin KF.Nr. 97/23 të 5 nëntorit 2025.

Në ATK kanë thënë se lidhur me kontestet për kontratat të huadhënies me interes, ka edhe raste të tjera në Komerciale.

“Administrata Tatimore e Kosovës nuk mban statistika/informata të ndara sipas llojit të kontestit. Megjithatë, nga rastet që kemi përfaqësuar deri më tani, rezulton se janë trajtuar disa raste në proces gjyqësor (jo më shumë se 10), por numër të saktë nuk mund të konfirmojmë, pasi paditë nuk regjistrohen, as në gjykatë e as në ATK, të klasifikuara sipas llojit të kontestit dhe nuk ka padi vetëm për interes por çdoherë ka ma shumë se dy pika të kontestit”.

KOHA ka nisur pyetje edhe në Ministrinë e Financave lidhur me Udhëzimin Administrativ që nxitë huat me interes mes kompanive, se a krijon hapësirë që aktivitetet ilegale si fajdeja të maskohen si legjitime, a duhen vendosur kritere të tjera në këtë Udhëzim dhe a po shqyrtohet ndryshimi i këtij akti nënligjor, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. 

Avokati Lata ka thënë se me këtë praktikë që po e nxitë ATK-ja, po krijohet një sistem paralel bankar i cili sipas tij, është i pakontrolluar.

“Që të lëshon kredi dikush, së pari personat udhëheqës të institucionit të verifikohen – të jenë të pastër, pastaj të nxjerrën shumë rregullore, pastaj aty duhet të ketë një transparencë të madhe në raport me BQK-në, pastaj mbrohen edhe të drejtat e personave që marrin kredi, ka rregulla, ka hipoteka, ka pengje. Pra, ka një infrastrukturë të tërë që krijohet dhe ATK-ja paralel me sistemin bankar e nxitë një formë të rrezikshme të huas apo kredisë në këtë rast që shpeshherë kjo mund të sjellë edhe te krime të ndryshme që mund të kryhen, edhe deri te vrasjet”, ka theksuar Lata.

Në Kodin Penal për fajde parashihet dënim varësisht shkallës së dëmit. 

“Kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, gjendjen e rëndë të banimit, varfërinë, papërvojën ose paaftësinë për të gjykuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, përcakton Kodi Penal.

Në pikën 2 të këtij nenit thuhet se nëse dëmi nga fajdeja është më shumë se 10 mijë euro, atëherë dënimi shkon deri në 8 vjet burgim. E nëse humbja financiare është mbi 25 mijë euro atëherë dënimi shqiptohet me 3 deri në 12 vjet burgim.