Sulmet hibride, përfshirë sulmet ajrore ndaj infrastrukturës kritike, sulmet kibernetike dhe manipulimet në rrjetet sociale, po minojnë institucionet, po polarizojnë shoqëritë dhe po krijojnë terren të përshtatshëm për përshkallëzime të reja, kanë deklaruar zyrtarë nga vende të BE-së në Konferencën e Sigurisë, në Beograd, të martën
Beograd, 18 nëntor - Evropa Lindore dhe Juglindore po përballen me presion të shumëfishtë nga lufta hibride ruse, u tha të martën në Konferencën e Sigurisë në Beograd.
Përfaqësues të vendeve evropiane, pjesëmarrës në konferencë, paralajmëruan se Evropa Lindore dhe Juglindore po përballen me presion të shumëfishtë nga lufta hibride ruse, e cila po e transformon mënyrën se si shtetet e rajonit e konceptojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike.
Sulmet me dronë e raketa, fushatat e sofistikuara të dezinformimit dhe ndërhyrjet në zgjedhje, sipas politikanëve nga vendet e BE-së, bëjnë që rajoni të futet në një periudhë të tensionuar, ku “situata duket si në prag të luftës”.
Sipas tyre, këto kërcënime nuk qëndrojnë të izoluara. Përkundrazi, ato ndërthuren me dobësitë e brendshme të vendeve evropiane dhe përçarjet politike, duke rritur rrezikun për stabilitetin e kontinentit. Operacionet hibride po shihen gjithnjë e më shumë si mjete për të destabilizuar qeveritë, për të minuar integrimin euroatlantik dhe për të nxitur tendenca autoritare.
Në konferencë u theksua nevoja urgjente që Perëndimi - BE, NATO dhe partnerët transatlantikë - të hartojnë një strategji të unifikuar kundër këtyre kërcënimeve.
Thomas Röwekamp, anëtar i Bundestagut gjerman dhe kryetar i Komitetit për Mbrojtje, paralajmëroi se Evropa ende nuk e ka gjetur mekanizmin e duhur të përbashkët për t’u përballur me agresionin hibrid rus.
“Problemi kryesor është mungesa e pajtimit kundër kërcënimeve të tilla. Jemi viktima të sulmeve të përditshme të Rusisë, në forma të ndryshme – me dronë, në porte, në infrastrukturën e të dhënave. Nuk jemi në luftë, por ndodhemi mes luftës dhe paqes. Duhet shikim i përbashkët përballë kërcënimit të Rusisë”, tha ai.
Röwekamp shtoi se Gjermania ka ende vendime të mëdha për të marrë në nivel kombëtar dhe se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për t’u përballur me kërcënimet hibride.
“Duhet më shumë zgjidhje evropiane dhe të NATO-s dhe t’i bashkojmë kapacitetet për t’u përballur me kërcënimet”, ka thënë ai.
Frédéric Petit, deputet i Parlamentit të Francës, paralajmëroi se Rusia përdor justifikime propagandistike për ndërhyrjet në rajon, ndërsa vendet evropiane duhet të fokusohen në forcimin e mbrojtjes demokratike.
“Kemi luftë hibride, prandaj duhet mbrojtje hibride. Ajo që të rinjtë në Serbi po bëjnë sot është mbrojtje - ata po luftojnë me mjete të ndryshme dhe duhet të jetë shembull për të gjithë”, ka potencuar Petit.
Ai shtoi se Perëndimi ka qenë i gatshëm të ndihmojë Ukrainën ushtarakisht, dhe se e njëjta qasje e koordinuar duhet të zbatohet kundër kërcënimeve joushtarake.
“Duhet gatishmëri për bashkëpunim. Duhet të mësojmë edhe nga gabimet tona; i kemi centralizuar tepër gjërat, që krijon vështirësi në adresimin e sfidave të përbashkëta”.
Nga Moldavia, Mihaela Siritanu, eksperte e politikave publike, përshkroi ndërhyrjet ruse, të cilat ndodhin paralelisht në shumë fronte.
"Sa herë i afrohemi BE-së, shfaqen probleme që prekin jetët e qytetarëve - ndërprerje të rrymës, kriza ekonomike - për të rritur frustrimin qytetar. Ky është ndikimi rus. Moldavia u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, por ata shpenzojnë miliona euro për të ndikuar zgjedhjet dhe për të blerë aktivistë”, potencoi ajo.
Tutje Siritanu paralajmëroi për rritje të manipulimeve në internet dhe blerjes së votave përmes kanaleve të fshehta financiare.
“Moldavia u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, por ata shpenzojnë miliona euro për të ndikuar zgjedhjet dhe për të blerë aktivistë”, u shpreh ajo.
Ish-kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ofroi një shembull konkret të mënyrës se si Rusia operon brenda një shteti anëtar të BE-së.
“Politikanë të korruptuar që flasin pro-Evropës, ndërhyrje në drejtësi, në shërbimet e sigurisë, në kishë - të gjitha të nxitura nga Rusia”, ka deklaruar Petkov.
Petkov kujtoi se gjatë mandatit të tij u arrestuan dhe dëbuan disa agjentë rusë, ndërsa oligarkët lokalë të lidhur me Moskën vazhdojnë të kontrollojnë media dhe parti politike.
Enrico Borghi, president i Institutit të Demokratëve Evropianë, vuri në dukje se të hënën, për herë të parë, Këshilli i Lartë i Mbrojtjes u mblodh për të diskutuar çështjen e kërcënimeve hibride.
“Pavarësisht një peizazhi politik të karakterizuar nga përçarja, Senati italian së fundi arriti një konsensus mbi një temë të promovuar si nga forcat e shumicës ashtu edhe nga ato të opozitës dhe të njohur zyrtarisht si e nevojshme për t’u adresuar luftërave hibride”, ka thënë ai.
Borghi theksoi se avancimi i teknologjisë përballë këtyre kërcënimeve është shumë i rëndësishëm.