Mitrovica e Jugut është përballur edhe të enjten me pasoja të vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut. Dalja e lumit Sitnica nga shtrati ka detyruar evakuimin e 15 familjeve në këtë komunë. E teksa në shumicën e komunave të prekura ka kaluar rreziku i përmbytjeve, në atë të Klinës ka ende potencial. Kryetari Zenun Elezi ka thënë se lumenjtë Klina dhe Drini i Bardhë janë në nivele maksimale
Dalja e lumit Sitnica nga shtrati ka detyruar evakuimin në gjysmë të natës të 15 familjeve nga lagjja “2 Korriku” në Mitrovicë të Jugut.
Janë gjithsej 22 familje që janë të prekura nga vërshimet në këtë komunë, ndërsa të evakuuarit kanë gjetur strehim te të afërmit e tyre. Një nga banorët e zonës së prekur, Bashkim Krasniqi, ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet komunale.
“Presim prej kryetarit që të marrë masa urgjente për rregullimin e murit të Sitnicës, e edhe për kompensimin e familjarëve, sepse familjarët, shumica e tyre jetojnë me asistencë. Prej dje jemi duke u marrë me familje që janë përfshirë nga lumi Sitnica, ku afër 22 familje janë brenda një metër uji nëpër shtëpi”, ka thënë ai.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi, ka bërë të ditur se situata në këtë pjesë të qytetit mbetet e vështirë, pasi që uji ka përfshirë pothuajse gjithë zonën.
“Gjendja nuk është e mirë. Disa banorë po dalin, disa jo. Kjo po na krijon problem dhe po kërkon organizim të kujdestarisë. Gjendja nuk është e mirë, por nuk mund të them se është diçka jashtëzakonisht alarmante”, ka theksuar Ibishi.
Teksa në të shumtën e komunave të prekura ka kaluar rreziku i përmbytjeve, në atë të Klinës ka ende potencial.
Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezi, ka thënë se lumenjtë Klina dhe Drini i Bardhë janë në nivele maksimale.
“Jo përkundrazi bora ka ndikuar në uljen e nivelit të ujit, mirëpo duke pasur parasysh se në qytetin e Klinës kalojnë gjithsej 6 lumenjtë dhe rreziku i madh për vërshime ka ekzistuar, ka ndodhur e po ekziston edhe tani. Dy lumenjtë që e përshkojnë qytetin, lumi Klina dhe Drini i Bardhë ende janë në nivele maksimale”, ka theksuar ai.
Thirrje për raportim të dëmeve
Sipas Elezit, dëmet më të mëdha janë shkaktuar në ekonomitë familjare dhe në biznese.
“Niveli i lumit Mirusha veçse ka shënuar rënie, kështu që ka filluar të normalizohet jeta në komunën tonë. Mirëpo ndërkohë kanë filluar reshjet e borës të shoqëruara me ngrica e sigurisht që ky është një telash i radhës e sidomos në vendet ku kemi pasur dëmtim të infrastrukturës rrugore, siç janë rrugët, urat etj.”, ka thënë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
E Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata me vërshimet në Kosovë ka shënuar përmirësim pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.
Sipas njoftimit të AME-së, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bjerë.
“Sipas të dhënave të pranuara nga qendrat operative emergjente 112 dhe njësive operative në terren, situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës. Niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bjerë dhe nuk paraqitet rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja”, thuhet në njoftimin e AME-së.
Shtabi Emergjent i Komunës së Malishevës, pas vlerësimit të situatës aktuale si pasojë e reshjeve, ka vendosur që të hiqet situata emergjente. Bazuar në të dhëna zyrtare, niveli i ujërave ka rënë dhe gjendja aktuale është stabile.
“Shtabi Emergjent Komunal për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e fundit, të cilat u shoqëruan me vërshime dhe dëme të konsiderueshme, pas analizës së gjendjes aktuale ka vendosur që të hiqet gjendja e situatës emergjente në Komunën e Malishevës. Megjithatë, shërbimet emergjente mbesin në gatishmëri të shtuar. Ky vendim është marrë sot, pas mbledhjes së Shtabit Emergjent dhe vlerësimit të situatës në terren. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujërave ka rënë dhe gjendja aktuale është stabile”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.
Periudha me vërshime është përcjellë me dëme të mëdha, për të cilat kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka thënë se është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve, derisa ka ftuar të gjithë qytetarët e dëmtuar që të parashtrojnë kërkesat për vlerësim të dëmeve në Zyrën e Pritjes në Komunën e Malishevës.
Thirrje të njëjtë ka bërë edhe Komuna e Rahovecit. Sipas njoftimit, qytetarët duhet t’i raportojnë dëmet më së largu deri më 14 janar. Pas paraqitjes së kërkesës, në Komunë kanë njoftuar se Komisioni Komunal do t’i kontaktojë qytetarët dhe ekipi përkatës do të dalë në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve.
“Dokumentet e nevojshme që duhet të dorëzohen: Kërkesa (t’i bashkëngjiten edhe fotografitë me ngjyra); Kopja e letërnjoftimit; Konfirmimi i llogarisë bankare”, thuhet në njoftim.
Rahoveci ka qenë prej komunave më të goditura nga vërshimet e ditëve të fundit në Kosovë.
Janë raportuar për dëme të konsiderueshme infrastrukturore e amvisëri.
Bora dhe ngricat, problem pas problemi
Me gjithë përmirësimin e situatës me lumenj, reshjet e borës dhe ngricat të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor, por edhe të qytetarëve.
Disa prej tyre janë ankuar për mospastrim të rrugëve dhe të trotuareve me kohë.
“Prej mëngjesit ka qenë ngrica, ka pas borë shumë, pastrimi ka munguar në mëngjes, po duket se pak është shkrirë, pak më mirë, por me mëngjes ka qenë katastrofë ka qenë”, ka thënë Bekim Selmani, qytetar i Prishtinës.
Telashe në qarkullim kanë pasur edhe ngasësit e veturave.
“Qe një orë jam nisur nga aeroporti për ta sjellë pasagjerin dhe kam pasur vështirësi të mëdha në qarkullim. Nuk e di a ekziston shteti, a punon ky shtet, a mendon për ne që lëvizim dhe punojmë ditëve të punës”, është ankuar një ngasës taksie.
Me gjithë problemet, autoritetet përgjegjëse kanë thënë se rrugët nacionale dhe ato rajonale janë duke u mirëmbajtur dhe janë të kalueshme.
“Trotuaret nuk janë punë e jona, punë e jona janë rrugët. Rrugët jemi duke i pastruar, i kemi 19 operatorë ekonomikë që janë në të gjitha rrugët rajonale, në të gjitha rrugët nacionale, auto udhë, duke pastruar, duke hedhur kripë e gjëra tjera, vazhdimisht 24 orë pandërprerë janë në terren. Është e pamundur mos me i taku në rrugë, në cilëndo rrugë që shkon në Kosovë, përveç rrugëve lokale që është përgjegjësi e komunave”, ka theksuar Hysen Durmishi, ushtrues i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se reshjet e borës do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.
E rënia e temperaturave, veçanërisht pas reshjeve të mëdha të shiut ditëve të fundit, ka bërë që institucionet të apelojnë te qytetarët për kujdes. Thirrje për kujdes në trafik ka bërë edhe Policia.
Përveç rrugëve vështirë të kalueshme, qytetarët në komunat e prekura nga vërshimet janë përballur edhe me mungesë të rrymës.
“Ju njoftojmë se në zonat e prekura nga vërshimet, për arsye sigurie, në disa pjesë nuk ka energji elektrike, si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara në asetet shpërndarëse. Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e furnizimit me energji elektrike, sapo të krijohen kushtet e sigurta”, ka thënë Bleona Dallaveraj, zëdhënëse në KEDS.
Probleme ka pasur edhe në furnizimin me ujë të pijshëm. Për shkak të turbullirave në kanalin “Ibër-Lepenc”, Fabrika për përpunimin e ujit në Shkabaj është jashtë funksionit, duke lënë pa ujë qytetarë të Fushë-Kosovës, Obiliqit dhe lagjen “Kalabria” të Prishtinës.
“Si rrjedhojë, priten reduktime në furnizimin me ujë nga ora 11:00 - 17:00 në këto zona: Fushë -Kosovë, Obiliq, Një pjesë e lagjes ‘Kalabria’. Zonat e lartcekura do të furnizohen me ujë nga ora 17:00 deri në 22:00”, është thënë në njoftimin e “KRU Prishtina”. Ndikime, sipas njoftimit, mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Me reduktime të ujit janë përballur edhe qytetarët që furnizohen nga KRU “Mitrovica”.