Inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka prezantuar Sadikun si një prej emrave më të shquar të industrisë, inovacionit e sipërmarrjes teknologjike në Kosovë.
Abdixhiku e ka cilësuar aderimin e Sadikut në LDK si forcim të ekipit.
“Ai vjen me profesionalizëm, integritet e përvojë. Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë. Ne na udhëheqë besimi në potencialin e të rinjve kosovarë; se ata janë çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë; një të ardhme ku Kosova qëndron denjësisht në hartën e inovacionit global. Ardhja e tij, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje e qartë për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim dhe angazhohet për të”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, LDK-ja ka zyrtarizuar këto ditë edhe aderimin e Adelina Thaçit e Festim Kabashit.