Policia në Shqipëri ka zhvilluar një operacion ku ka arrestuar tre persona lidhur me rastin e eksportimit të perimeve në Kroaci me nivel të lartë të preparatit “Chlorfenapyrit”.
Gjatë operacionit në Berat, u arrestua M.Q. (40) administrator i një subjekti të grumbullimit dhe të eksportimit të perimeve.
“Ky shtetas kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 tonë domate të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit "Chlorefenapyr", dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë”, ka njoftuar Policia e Shqipërisë.
U arrestuan edhe R.L. 27-vjeçar dhe G.L. 25-vjeçare, inspektorë të AKU-së në Berat. Dyshohen se ata nuk kanë marrë mostrat e domateve që ndodheshin në magazinë dhe nuk i kanë bllokuar ato.
“R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe, banuese në Berat, të dy inspektorë të AKU Berat, pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga shtetasi M. Q., duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati”, ka njoftuar Policia e Shtetit.
Janë sekuestruar perime të ndryshme nga magazina dhe janë marrë mostra për analiza, pasi dyshohen se mund të jenë me përbërje të larta preparatesh.
Kroacia kishte asgjësuar sasi domatesh dhe pjeshkash nga Shqipëria, pasi dolën me përbërje të larta me kimikate.