Aliu: S’e kuptoj kundërshtinë për rritjen e pagës minimale në 500 euro

5 min. më parë / 26 nën 2025 21:12
Florin Aliu

Profesori universitar në Çeki, Florin Aliu e vlerëson si propozim të duhur rritjen e pagës minimale në 500 euro. Ai në emisionin “Konfront” në KTV, theksoi se nuk pajtohet me deklaratat që paga minimale prej 500 eurosh do e rriste papunësinë.

Sipas tij, kjo i bën presion edhe pagave të tjera për t’u rritur dhe kërkoi që edhe opozita ta mbështesë një gjë të tillë.

“Pse paga minimale prej 500 eurosh do ta rriste papunësinë? Në Shqipëri, në muajin janar, veç shkonte në 560 euro paga minimale. Kjo e rritë motivimin për punë sepse fundja edhe zhvillimi ekonomik vije nga motivimi për punë e profesionalizimi. Të gjitha lidhen me pagën. Përgjegjësia për punë, profesionalizmi. Në momentin që paga është e ulët ti nuk më motivim të punosh. Nuk e kuptoj pse është kundërshtuar propozimi për këtë rritje të pagës minimale. Kjo i bën presion edhe pagave të tjera. Këto janë disa reforma që do duhej të merreshin. Edhe opozita duhet ta mbështesë këtë. Kjo ka nxitur edhe largimin nga Kosova. Njerëzit nga Kosova kanë ikur për pagë më të lartë”, deklaroi Aliu në emisionin “Konfront” në KTV.

Misini: Autoriteti i Konkurrencës inekzistent, çmimet e naftës në Gjilan e Prishtinë kanë dallim të madh

11 min. më parë / 26 nën 2025 21:06
Shkumbin Misini

 Profesori Shkumbin Misini e ka akuzuar Autoritetin e Konkurrencës për mospunë, duke thënë se është “inekzistent”.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Misini ka thënë se çmimet për litër të naftës në Gjilan dallojnë dukshëm me ato në Prishtinë. 

“Kemi një Autoritet të Konkurrencës që është inekzistent. Po ta shikojmë çmimin e naftës, në Gjilan lëviz shumë çmimi i naftës në raport me atë në pompat e benzinës në Prishtinë. Unë nuk e di a ekziston ky Autoritet i Konkurrencës. Ai duhet ta shikojë këtë diferencimin e çmimeve. Ferizaj e Gjilani janë me një standard pothuajse të njëjtë, pse duhet pasur ndryshim në çmimin e litrës së naftës”, ka thënë ai.

Ai tutje ka vlerësuar se nuk do të ketë ulje të çmimeve nëse vazhdohet të ndiqen politikat e tanishme nga pushteti. 

“A do të ketë ulje të çmimeve, nëse i kemi këto politika që po i ndjek kryeministri aktual pa ndonjë plan afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë, do të kemi përsëri rritje të kostos së jetesës”, ka theksuar ai.

Aliu: Rritje çmimesh deri në 300% në disa produkte, s’e ka fajin vetëm qeveria

32 min. më parë / 26 nën 2025 20:45
Florin Aliu

Njohësi financiar, njëkohësisht edhe profesor në Universitetin e Çekisë, Florin Aliu, thotë se çmimet janë shumë të larta në Kosovë dhe shumë produkte kanë pasur rritje edhe 300% të çmimit.

Megjithatë Aliu thotë se për këtë nuk mund t’i vihet faji qeverisë aktuale dhe sipas tij burimi kryesor për rritjen e çmimeve dhe krizës ekonomike është lufta Ukrainë-Rusi.

“Çmimet janë shumë të larta. Inflacioni që ishte 12% është mesatarja e rritjes. Një produkt që ka kushtuar 1 euro, sot kushton 4 euro, pra shumë produkte kanë pasur ngritje të çmimit për 300% dhe nuk duhet të harrojmë që jemi vendi më i varfër në Evropë. Faji nuk mund t’i atribuohet vetëm qeverisë aktuale sepse e kemi pasur fillimisht situatën me pandeminë e pastaj edhe luftën Rusi-Ukrainë. Nga ato vende kemi importin kryesorë me drithëra dhe vaj luledielli. Rusia është nën sanksione e Ukraina nuk mund t’i shfrytëzojë të gjitha portet. Burimi kryesor i rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike është lufta Rusi-Ukrainë”, deklaroi Aliu.

Tutje sipas Aliut, nuk ka mekanizëm për kontrollimin e çmimeve dhe numri i vogël i inspektorëve pothuajse e pamundëson një gjë të tillë.

Ndërsa, sipas tij, nuk ka rënie të inflacionit por vetëm të tempos së rritjes së çmimeve.

Misini: Vendet e Ballkanit investojnë në bujqësi, Kosova fokus mbushjen e buxhetit

41 min. më parë / 26 nën 2025 20:36
Shkumbin Misini

Profesori Shkumbin Misini ka shpjeguar arsyet kryesore pse produktet e prodhuara në Kosovë shpesh dalin më të shtrenjta sesa ato të importuara. 

Sipas tij, një faktor vendimtar është tregu i kufizuar, i cili ua pamundëson kompanive vendore që të rrisin prodhimin dhe të ulin kostot.

“Del më shtrenjtë sepse kompanitë prodhuese që e kanë tregun në Kosovë, e kanë një treg shumë të kufizuar,” ka thënë Misini në “Konfront” të KTV-së të enjten.  

Ai shtoi se vendet e zhvilluara apo edhe disa shtete të Ballkanit Perëndimor sigurojnë shumë më tepër subvencione për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e çmimeve.

Si shembull, Misini përmendi subvencionimin e karburantit për bujqit në rajon. 

“Te ne çmimin e naftës e merr sikurse ai që shëtit me veturë, sikurse ai që shkon me traktor dhe e lëvron tokën. Ndërsa në disa vende të Ballkanit Perëndimor taksën e kanë 0 për shfrytëzimin e karburantit për përpunimin e tokës”, ka theksuar ai.

Sipas tij, vendet e zhvilluara investojnë më së shumti në bujqësi, duke e parë këtë sektor si themelor për ekonominë dhe sigurinë ushqimore.

Misini ka theksuar edhe dallimet në qasjen e Shqipërisë, e cila po ndërmerr reforma të thella si rezultat i rekomandimeve të Bashkimit Evropian. 

Ai tutje ka kritikuar politikat shtetërore të Kosovës, të cilat sipas tij, kanë qenë kryesisht të orientuara te mbushja e buxhetit, jo te zhvillimi afatgjatë.

“Politikat shtetërore të Kosovës kanë qenë me qëllim kryesor mbushjen e buxhetit. Mbi 70 për qind e buxhetit mbushet nga Dogana. Ne jetojmë sot për nesër, nuk planifikojmë për pasnesër. Pra, inflacionin kohët e fundit e ka prodhuar vetë Qeveria”, është shprehur ai.