Arbëri

Edhe në kremte kërkohet që epilogu i dialogut Kosovë-Serbi të jetë njohja reciproke

Në sallën e Kuvendit ku u mor vendimi për ta shpallur Kosovën shtet, 15 vjet pas përfaqësuesit e popullit mbajtën një seancë solemne, në të cilën folën për rrugën e vështirë deri te pavarësimi i vendit. Listuan arritje dhe identifikuan dialogun me Serbinë si një nga sfidat më të mëdha.

Është thirrur seancë solemne për të shënuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Por, edhe në këtë ngjarje me peshë të zgjedhurit e popullit nuk paraqiten me kohë në sallë.

Para se të nisin fjalimet politike, në sallë Filharmonia e Kosovës ekzekutoi himnin e shtetit, Bareshën dhe Ode Gëzimit. Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, vendosi emblemën e UÇK-së në foltoren e Kuvendit.

Liderët shtetërorë njohën meritat e UÇK-së në çlirimin e vendit.

“Republika jonë, erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë që më 1999 na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Në këtë seancë solemne u dha qëndrimi se me njohje të ndërsjellë duhet të përfundojë dialogu me Serbinë.

“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog. Një epilog që e kemi thënë secili prej nesh, një epilog që e rikonfirmoi edhe presidenti [amerikan, Joe] Biden në letrën që është drejtuar mua si presidente, e ajo është njohja reciproke”, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani.

Mysafiri kryesor në kremte është presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ai dha një garanci, gjatë fjalimit në Kuvend.

“Shqipëria është pranë jush edhe për pranimin e Republikës së Kosovës në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe në të gjithë organizatat e tjera ndërkombëtare”, ka thënë Begaj.

Në seancë liderët shtetërorë nuk përmenden dy nga eksponentët kryesorë të Ditës së shpalljes së Pavarësisë – Hashim Thaçin që ishte kryeministër e Jakup Krasniqin kryeparlamentar, të cilët ndodhën në Hagë, për t’u gjykuar nën akuzën për krime lufte.

E, për ta foli kryetari i PDK-së.

Në sallën ku u mbajt ceremonia, 15 vjet më parë presidenti, anëtarët e Kuvendit dhe ata të Qeverisë e shpallën Kosovën shtet.