Pas paralajmërimit për pezullim të transportit publik në kryeqytet, edhe disa linja private urbane kanë njoftuar për ndërprerjen e punës.
Kompania “23 Yjet” dhe linja 7B janë dy prej të cilave kanë njoftuar për ndërprerjet, duke thënë se nuk janë paguar që nga muaji maj për shërbimet e tyre.
“Që nga 1 janari 2025 kemi lidhur kontratë me komunën e Prishtinës ku ne paguhemi sipas kontratës, nga muaji maj 2025 nuk jemi paguar për shërbimet tona ku kjo ka vështirësuar tej mase punën për operimin e rregullt të vijave tona. Ne kemi pas takime të vazhdueshme me zyrtarët e komunës së Prishtinës ku jemi munduar që së bashku të mos vijmë në këtë pikë. Ne si kompani kemi mbuluar shpenzimet për aq sa kemi pasur mundësi por ju njoftojmë se nga nesër me datë 24.11.2025 jemi të detyruar të ndërpresim operimin në të gjitha linjat si 10, 10 A, 10B, 10 C si dhe linjën nr 20”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga “24 Yjet”.
Ndërsa drejtori për linjën 7B, Avdyl Brajshori, ka vlerësuar se kjo linjë po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar ofrimin e shërbimit për qytetarët.
“Pavarësisht vështirësive të paraqitura deri tani ,kemi treguar performancë të qëndrueshme, por vonesat në pagesa që nga muaji maj kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset e brendshme teknike, duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin e rregullt. Kompania Prishtina Shpk mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve në momentin që kryhen obligimet ndaj nesh dhe me ketë apelon për zgjidhje të menjëhershme të bllokimit financiar në mënyrë që sa ma parë të kthehemi në normalitet”, ka thënë ai.