Trupi gjykues në Tribunalin e Arbitrazhit të Përhershëm, që ka në trajtim kontestin mes Telekomit të Kosovës dhe një kompanie amerikane, pretendon se janë keqpërdorur 150 mijë euro, të cilat kanë qenë të destinuara për procesin i cili ka nisur para pesë vjetëve. Pas kësaj është kërkuar aktivizimi i prokurorisë
Dyshime për keqpërdorimin e 150 mijë eurove janë ngritur brenda Tribunalit të Arbitrazhit të Përhershëm, i cili vepron në Odën Ekonomike të Kosovës. Sipas pretendimit të gjyqtarëve, mjetet që kanë qenë të destinuara për trajtimin e lëndës mes një kompanie me prejardhje amerikane dhe Telekomit të Kosovës janë avulluar nga xhirollogaria.
Paratë kanë qenë të deponuara si paradhënie nga pagesat e paditësit, kompanisë “Intercom Joint Ventures” dhe të paditurit Telekomi i Kosovës.
Pretendimi për këtë dallaver konfirmohet nëpërmjet letrave që kanë shkëmbyer gjyqtarët e rastit me Sekretariatin e Arbitrazhit.
Fillimisht arbitrat i kanë kërkuar Sekretariatit të OEK-ut raport për gjendjen e mjeteve të deponuara në xhirollogarinë e Tribunalit. Kjo konfirmohet nëpërmjet vendimit që mban datën 7 mars, kopjen e të cilit e ka siguruar KOHA.
“Urgjentisht kërkohet të paraqesë raport të detajuar nga shërbimi financiar dhe sekretari i OEK-ut lidhur me pagesat financiare të bëra nga paditësi ‘Intercom Joint Ventures’ LLC dhe i padituri Telekomi i Kosovës në xhirollogarinë e Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit sipas rastit 17/2018, të destinuara për shpenzimet në procedimin e kësaj lënde”, shkruan në vendim.
“Rrush e kumbulla”
Aty jepet edhe paralajmërimi për pezullimin e kësaj lënde nëse nuk kthehen mjetet.
Pas skadimit të afatit shtatëditor dhe mungesës së përgjigjes, ekipi i gjyqtarëve ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit. Në dokumentin që ka siguruar KOHA thuhet se bëhet fjalë për një dyshim të arsyeshëm se ka shpërdorim flagrant të detyrës zyrtare nga ata që operojnë me mjetet financiare të palëve në procedurat e Tribunalit të Arbitrazhit.
“Ato mjete janë të palëve dhe askush, sipas ligjit, nuk guxon të disponojë me to veçse sipas një vendimi shprehimor të Tribunalit të Arbitrazhit në një rast konkret arbitral. Këtu bëhet fjale për mbi 150.000 euro, të cilat janë shpenzuar në mënyrë të kundërligjshme, janë bërë ‘rrush e kumbulla’”, shkruan në kallëzim.
Me qëllim të verifikimit të pretendimeve të parashtruara në kallëzim penal, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit më 30 mars i ka kërkuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, që çështja paraprake penale t’i ndahet ndonjërit prej prokurorëve për trajtim të mëtutjeshëm. Aty përmendet edhe pretendimi se personat zyrtarë të atij institucioni kanë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme 150 mijë euro, të cilat janë para të palëve ndërgjyqëse në Tribunalin e Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës, “ku e njëjta shumë e parave nuk është e lejuar të jetë në disponim të askujt përveçse janë para të palëve ndërgjyqëse dhe defintivisht lidhur me atë shumë të caktuar të parave që u përkasin atyre palëve, vendoset nga Tribunali i Arbitrazhit për çdo rast konkret”.
Në emër të gjyqtarëve kallëzimin penal e ka ushtruar anëtari Enver Hasani.
“Kemi kërkuar me një vendim formal si trup i përbërë prej anëtarëve të autorizuar për ta gjykuar rastin, që të dihet fati i mjeteve që janë paguar prej palëve. Nuk kemi marrë përgjigje siç është kërkuar dhe sipas autorizimit kam bërë kallëzimin penal, sepse ekziston dyshimi se mjetet janë përdorur për qëllime tjera”, ka thënë Hasani për KOHËN.
Sipas tij, kjo është shqetësuese edhe për një fakt tjetër.
“Përveç mungesës së mjeteve është ndërhyrje në arbitrazh, sepse ai punon sikurse çdo kolegj i gjykatave të rregullta dhe mbrohet prej autoritetit publik. Funksionon në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, kështu që kjo mënyrë e sjelljes është e papërgjegjshme dhe ndërhyrje në pavarësinë e kolegjit. Kështu që edhe ky segment është shqetësues dhe përbën veprim kundërligjor”, ka potencuar ai.
Puna me llafe
Por këto pretendime i ka mohuar kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, nën ombrellën e të cilit funksionin Arbitrazhi. Sipas tij, të gjitha mjetet janë në llogari me përjashtim të pesë mijë eurove, të cilat janë shpenzuar nga gjyqtarët në procedurë.
kanë dyshuar se nuk janë mjetet dhe kanë me mbetur pa u paguar. Kanë përdorur mjete juridike edhe për të ushtruar presion me gjasë. Ata kanë marrë informacion nga jashtë - i ka thënë dikush dikujt se mjetet nuk janë. Kanë ardhur përnjëherë me mbajt mbledhje, kanë kërkuar me iu tregu, ne ua kemi konfirmuar se sapo të kryhet procedura e arbitrazhit atëherë ata paguhen”, ka theksuar Rukiqi, teksa ka premtuar që ditëve në vijim t’i vërë në dispozicion dokumentet që e dëshmojnë se mjetet janë në llogari.
“Kushtimisht nuk e kemi për obligim me iu raportu si Odë Ekonomike. Ne iu raportojmë organeve tona, nuk iu raportojmë arbitrave. Ne ua kemi konfirmuar se janë shpenzuar vetëm 5 mijë euro për shkak të procedurave të tyre, por mjetet e tyre janë në llogari. Çdo pretendim mund të trajtohet pa asnjë problem nga cilido organ përgjegjës, në çdo moment”, ka shtuar ai.
Por Hasani thotë se nuk kanë marrë përgjigje në mënyrën si kanë kërkuar.
“Kemi kërkuar me shkrim, nuk kemi marrë përgjigje, sepse vetëm me shkrim komunikojmë. Vetëm atyre iu besojmë. Fjalët e gojës nuk janë serioze. Nuk është logjike që të punojë një trup gjyqësor që vendos për miliona euro me llafe”, është shprehur Hasani.
E, përfaqësues të kompanisë paditëse nuk kanë pranuar të komentojnë për rastin, teksa janë ankuar se lënda po zvarritet qe pesë vjet.
“Jam i interesuar të përfundojë lënda. Ka ecur shumë ngadalë me procedura. Kam shumë vërejtje, por ato njëherë përnjëherë nuk janë prioritet. Kemi ardhur nga fundi se qe pesë vjet është kontesti, prej 2017-s”, ka thënë Hasan Hoti, përfaqësues i kompanisë “Intercom Joint Ventures”.
Sipas pretendimit të kompanisë që ka prejardhje amerikane dhe ofron shërbime të IPTV-së, Telekomi nuk i është përmbajtur kontratës. Sipas padisë, Telekomi i ka shfrytëzuar shërbimet dhe nuk i ka paguar. Kësisoj, “Intercom Joint Ventures” i ka kërkuar 10 milionë euro nëpërmjet padisë në Arbitrazh.
Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit është themeluar në vitin 2011 dhe paraqet një institucion të ristrukturuar, i cili ka evoluar nga gjykata e Arbitrazhit në Odën Ekonomike të Kosovës. Deri më tani Tribunali ka zgjidhur shtatë konteste, të gjitha nga fusha komerciale.