Çerdhja “Dritë Dielli” në Shipol të Mitrovicës, e inauguruar më 1 tetor, ka dy javë që ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa prindërit thonë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për mbylljen apo rihapjen e institucionit për fëmijë.
Një prind, i cili ka pranuar të flasë për KosovaPress me kusht të anonimatit, tregon se kopshti është jofunksional për më shumë se dy javë për shkak të një shtylle elektrike të dëmtuar.
“Dy javë jemi në pritje dhe nuk kemi asnjë lajmërim për mosvazhdimin e punës. Na kanë dërguar vetëm një foto që tregon se KEDS-i e ka rregulluar shtyllën që ka qenë problem. Ka vendosur një shtyllë të betonit. Problemi, sipas tyre, ka përfunduar, por nuk kemi asnjë njoftim tjetër, pa asnjë përgjegjësi. Vetëm na thanë që nuk punon dhe kaq”, ka thënë ai.
Sipas tij, mungesa e informacioneve ka vazhduar edhe gjatë fundjavës, duke krijuar paqartësi për funksionimin e çerdhes dhe çështjen e pagesave për muajin dhjetor.
Edhe Olti Ahmeti, prind i një fëmije që frekuenton çerdhen, u shpreh se djali i tij ka qëndruar në shtëpi për një javë për shkak të ndërprerjes së energjisë.
“Po, jam në dijeni vetëm në atë pjesë që djali im një javë ka qëndruar në shtëpi, sepse çerdhja ka pasur një problem teknik”, u shpreh ai, duke shtuar se nga punonjësit ka marrë informacion se problemi lidhet me transferimin e orës së rrymës nga brenda objektit në shtyllën e jashtme.
Ndërkohë, punëtori teknik i çerdhes ka thënë se objekti është funksional, por pa energji për shkak të defektit në shtyllën e rrymës.
“Kjo shtyllë ka defekt, po vendoset një orë e re e rrymës dhe shtylla e vjetër do të largohet. Për këtë arsye nuk punohet brenda”, deklaroi ai.
Në një përgjigje me shkrim, KEDS-i bëri të ditur se ndërprerja e energjisë ka ndodhur si pasojë e një kyçjeje të parregullt në rrjetin elektrik.
“Duke qenë se bëhet fjalë për një çerdhe fëmijësh, kemi vepruar me kujdes të shtuar, por njëkohësisht kemi detyrimin ligjor të zbatojmë rregullat dhe procedurat për sigurinë e rrjetit dhe të konsumatorëve”, thuhet në përgjigje.
KEDS njoftoi se i është kërkuar komunës të nisë procedurat zyrtare për lidhje të re, sipas kornizës ligjore në fuqi.
“Vetëm pas kompletimit të këtyre hapave, objekti mund të furnizohet me energji elektrike në mënyrë të rregullt dhe të sigurt. Ne mbetemi të gatshëm ta asistojmë komunën në çdo hap teknik që kërkohet, me qëllim që çerdhja të rifurnizohet sa më shpejt”, thuhet më tej.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së çerdhes “Dritë Dielli”, Naxhije Hamiti, tha shkurt se për sqarime duhet të kontaktohet Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë. KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga kjo drejtori, por deri tani nuk ka pranuar asnjë sqarim.