Arbëri

Dy herë të vrarë

Një lumë gjaku kishte shpërthyer pllakën e betonit dy dekada më parë dhe gjurmët e tij vazhdojnë të qëndrojnë në tavanin e një bodrumi në Poklek, në dhomën sipër të cilit serbët i kishin vrarë e më pas bërë shkrumb e hi 51 civilë shqiptarë, prej tyre 23 fëmijë, shumica nga familja Muqolli. Diku 10 kilometra më në perëndim, një përroskë e një mali në fshatin Abri e Epërme ende ruan ca rroba të bëra shoshë, si dëshmi e masakrës së 23 anëtarëve të familjes Deliu, nga ta edhe Valmiri 2-vjeçar, i gjetur me biberonin rreth qafe e me fytin e prerë.

Prej më shumë se 20 vjetësh natyra po i ruan dëshmitë. Aty. Në vendin e krimit. Ndërsa qetësia mbi varre nuk është kthyer. Sepse nuk është vënë drejtësi për civilët e vrarë.

Masakrat që shteti serb i kishte kryer në këto dy fshatra të Drenasit, dhe në shumë të tjera gjithandej Kosovës, kishin nxitur dallgë shokimi në gjithë botën. Njëjtë sikur edhe vrasja e 1,133 fëmijëve dhe e rreth 10 mijë të rriturve civilë. Por, deri tash, është bërë gjyq vetëm për një hise të vogël të krimeve.

Fadil Muqolli të parën derë që e hap në shtëpinë trekatëshe që në Poklek ruan gjurmët e mizorive të regjimit të Slobodan Milosheviqit, është ajo e bodrumit. I dridhet zëri, tek udhëzon që shikimi të orientohet lart në tavan. Aty ku gjurmët e gjakut nuk e kanë humbur njomësinë.

“Është gjaku edhe i të katër fëmijëve që kisha: i Shehides, gëzimit të madh të familjes që e vranë kur ishte 13 vjet, dhe i djemve që ishin 12, 10 dhe 6 vjeç. Naseri ishte i madhi, Ylberi i dyti dhe Egzoni më i vogli”, rrëfen Fadili, dhe ndalet një çast për t’u përpirë. “Në dhomën lart ishin 51 vetë, prej të cilëve 25 fëmijë – nga 6 muaj sa i ka pasur çika e vëllait, e deri në 17 vjet. Vetëm dy nga fëmijët kanë shpëtuar”.

Ai tregon edhe për një fakt tronditës – në shtëpinë e tij ku është kryer masakra, nuk ka shkelur as hetues e as dokumentues krimi.

“Për mua nuk ekziston drejtësi. Nuk ekziston drejtësi. As s’ka prokuror, as gjykatës, as hetues që e ka vizituar këtë vend”, thotë Fadili. “Masakër familjare nuk ka më të rëndë se kjo. E unë nuk kam shprehje për t’ia dhënë një epitet Prokurorisë Speciale, që kinse merret me krime lufte. S’po mund të gjej epitet”.

Imer Deliu kishte, po kështu, katër fëmijë kur lufta mbërriti në Kosovë. Në fundin e shtatorit të 1998-s, në një ditë me shi e të ftohtë dhe kur agu ende nuk kishte mbërritur, ai kishte marrë rrugën për në shtëpi në Abrinë e Epërme, për të parë familjen pas ofensivës së parë ushtarake të shtetit serb në këtë pjesë, e cila tani e kishte stacionuar arsenalin në fshatin fqinj, Likoc.

Para portës së oborrit e kishte gjetur vëllanë, rreth të 30-ave, të vrarë. E kishte mbuluar me një batanije, pasi ia kishte futur në kafkë trutë e dala jashtë. Më pas, kishte marrë rrugën sipër lagjes, rrjedhës së një përroske në pyll, ku familja e kishte ngritur një tendë, me besimin se nuk do të detektoheshin nga serbët.

Të njëjtën rrugë e ka marrë edhe këtë të enjte, kur ka rrëfyer për ditën më të rëndë të tij. Ditën kur e kishte kuptuar se i ishte fikur thuajse e tërë familja. “Jetoni është djali i madh. Ka qenë 10 vjet e gjashtë ditë kur e kanë vrarë. I kërkoja në pyll dhe ka qenë kufoma e shtatë në të cilën kam has gjatë asaj rruge. Ora ende i punonte në dorë. Ishte 5:49 e mëngjesit”, tregon Imeri, që edhe tash i di me saktësi milimetrike pozicionet ku ishin kufomat. “Pas Jetonit ka qenë Luljeta, kunata që ishte shtatzënë në muajin e nëntë, e afër ndodhej trupi i nënës. Mes nënës e Luljetës ka qenë djali i vëllait, Valmiri me biberonin në qafë, e dy hapa më larg nëna e Valmirit, Mihanja. Këta i ndante një vijë e ujit me bashkëshorten time, që e gjeta të shtrirë sipër Diturijes 6-javëshe që ende ishte gjallë dhe vajzës së madhe Mendohijes që ndodhej prapa e vdekur”.

Dituria do të vdiste pak javë më vonë. Imerit i kishte shpëtuar vetëm njëri djalë, që kishte mbetur i plagosur nga një granatë dore, derisa ndodhej në tendën e ngrehur në pyll. Për këto mizori, kurrkush nuk ka dhënë përgjegjësi deri tash. As për masakrën e Likoshanit e atë të Qirezit, të Prekazit, të Lubeniqit, Rogovës së Hasit, të Suharekës, as për masakrën e Krushës së Madhe e as të Krushës së Vogël, as për atë në Celinë e Izbicë, në Beleg e Pastaselë, as në Gjakovë, në Rezallë, në Meje e në Korenicë, Studime e Qyshk. Për fare pak raste ka pasur dënime.