Arbëri

Krasniqi: E vetmja zgjidhje është koalicioni VV-PDK, garanton votat për presidentin

kras

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se nëse nuk bëhen 80 vota për zgjedhjen e presidentit, nuk ka logjikë të formohet koalicion qeveritar sepse ajo qeveri do të jetë jetëshkurtër. Problematike e ka quajtur çështjen e presidentit, meqë sipas Krasniqit, çfarëdo matematike që nuk e garanton zgjedhjen e tij do të çonte në qeveri të brishtë.

Ai ka theksuar se kjo situatë do të zgjidhej vetëm me koalicion mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Çka e bën këtë proces konstituimi më problematik, ajo është zgjedhja e presidentit. Problemi është që çfarëdo matematike që nuk garanton zgjedhjen e presidentit nënkupton se ke qeveri jetëshkurtër, më pak se 1 vit. Prandaj janë këto shtyrjet e deritashme. E vetmja zgjidhje që kish me u gjetë në këtë situatë është një koalicion VV-PDK sepse vetëm këto dy subjekte me anëtarët nga komunitetet joserbe që kanë shprehur gatishmëri me qenë krah Kurtit, vetëm kjo e garanton numrin prej 80 votave që mund ta zgjedhë presidentin”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se të gjitha partitë po kalkulojnë për rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Problemi i dytë është se PDK-ja tha se po shkojmë drejt zgjedhjeve sepse nëse Kurti dështon ta formojë qeverinë, opozita nuk është e gatshme ta ndërtojë një qeveri. Janë duke kalkuluar të gjitha për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Zgjedhjet e shkurtit LDK-në e kanë nxjerrë dobët, kanë krijuar pakënaqësi të brendshme. PDK-ja e ka njëfarë komoditeti më të madh dhe nuk besoj se do të mund ta ‘gërryente’ PDK-në Vetëvendosja sa LDK-në dhe të tjerat. Formula tjetër që do të prodhonte 80+ do të ishte LDK-AAK-Nisma me VV-në, por po shihet se nuk ka gatishmëri”, përfundoi Krasniqi.


Krasniqi: I pakuptimtë mesazhi i Von der Leyen për shtensionim dhe takimi në Kuvend me Kurtin

Gazetari Besnik Krasniqi e ka quajtur të pakuptimtë mesazhin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që Kosova “të ulë tensionet në vend”.

Ai ka thënë se është e pakuptimtë të kërkohet një gjë e tillë kur në veri të Kosovës situata është më e qetë se kurrë.

“Mesazhi për depërshkallëzim është i pakuptimtë meqë në veri të Kosovës kurrë nuk ka qenë situata më e qetë se tash pikërisht për shkak të veprimeve që janë marrë dhe heqjes qafe të disa njerëzve problematikë që e kanë bërë gjithë atë tollovi që kur kanë dashtë kanë vendosë barrikada, kanë bërë mobilizim. Ky mesazhi për depërshkallëzim nuk e di kujt iu dha dhe çfarë nënkupton”, ka thënë ai në “Konfront”.

Të pakuptimtë ai e ka cilësuar edhe takimin e Von der Leyenit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e Kuvendit, kur sipas tij duhej ta takonte në atë të Qeverisë.

“E dyta e pakuptimtë është vendi ku është realizuar takimi me Kurtin. Në çfarë cilësie e ka takuar Kurtin. Nëse e ka takuar në cilësinë e kryeministrit në detyrë, kryeministri në detyrë e ka zyrën në ndërtesën e Qeverisë. Çfarë mesazhi po jep me këtë hajde në Kuvend. Nëse e ke takuar në cilësinë e deputetit, pse e ke takuar Kurtin kur ka edhe 119 deputetë tjerë. Nëse e ke takuar në cilësinë e kryetarit të partisë më të madhe, shko në zyre të VV-së. Nuk e kuptoj pse në Kuvend”, përfundoi ai.


Sadiku për takimin e Kurtit me Von der Leyenin në Kuvend: Pamje e shkretë

Gazetari Naim Sadiku, e ka quajtur të “pamje të shkretë” takimin e kryeministrin në detyrë Albin Kurti me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij më herët ka pasur edhe tepih të kuq për zyrtarët evropian e kryeministrat kanë dalë në oborrin e ndërtesës t’i presin. 

“Një pamje e shkretë nga oborri i Qeverisë së Kosovës, teksa kryeministri duhet të shkojë në këmbë ta takojë në një objekt tjetër, edhe nuk është hera e parë që një zyrtar i lartë evropian nuk takohet me të zgjedhurit e këtij populli, të cilit ia kanë dhënë një mbështetje masive ... Nuk është hera e parë që vinë, ka pasur tepih të kuq aty, kanë dalë poshtë e kanë pritur kryeministrat edhe ka pas pastaj edhe konferenca, përjashtuar këtë arsyetimin për zgjedhjet, që mund të jetë e arsyeshme sepse njëjtë u tha se do të veprohet edhe në Maqedoninë e Veriut, për shkak se edhe atje ka zgjedhje”, ka deklaruar Sadiku në emisionin “Konfront” në KTV.

Ai ka kritikuar Kurtin dhe ministrat se nuk kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë për një kohë të gjatë dhe se nuk i kanë sjellë asgjë të mirë shtetit. 

“Por pamje e shkretë absolutisht, sepse ka kohë që zyrtarët, edhe të Bashkimit Evropian edhe të Shteteve të Bashkuara që nuk e takojnë kryeministrin në objektin e Qeverisë, e që është e dhimbshme, duke e përmendur gjithashtu edhe se kur kemi pasur takim të nivelit të lartë të këtij kryeministri, të këtyre ministrave që shkojnë diku, takohen edhe i sjellin diçka të mirë këtij shteti, përjashtuar presidenten që ka një qasje ndryshe dhe më shumë pranohet në takime të nivelit të lartë por edhe në diskutime ku theksohet çështja e Kosovës”, është shprehur Sadiku.

Takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e ka zhvilluar në Kuvend e jo në objektin e Qeverisë. Kjo, shkaku i vendimit të BE-së që zyrtarë të lartë evropianë të mos mbajnë takime brenda ndërtesës qeveritare, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë.


Berisha: Von der Leyen e zhvilloi takimin me Kurtin në Kuvend me mesazhin se s’ka qeveri funksionale

Takimin e shefes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin në Kuvend, juristi Durim Berisha, e quajti si mesazh që Kosova nuk ka qeveri funksionale.

Në emisionin “Konfront” në KTV, deklarimet e Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani në rrjetet sociale të tyre pas takimit me komisioneren Von der Leyen, i quajti “luftë të çmendur të egos”.

“Veprimet e komisioneres Von der Leyen tregojnë saktësisht mesazhin që ajo ka dërguar se Kosova nuk ka institucione. Pra nuk ka institucione funksionale, nuk ka bartës me legjitimetet dhe kompetenca të plota të atyre institucioneve për këtë arsrye ajo u takua me një kryeministër në detyrë në kuvend dhe jo në qeveri. Asnjëri prej tyre (kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani) nuk është i vetëdijshëm për pozicionin dhe peshën që mbanë mbi vete. Është një luftë e çmendur e egove që të shiten si super-heronjë mirëpo nevoja për super-heronjë shfaqet kur mekanizmat shtetëror dështojnë dhe atëherë nevojitet një ‘superman’, ‘spiderman’, ‘batman’. Super heronjët nuk janë realë”, deklaroi Berisha.


Dugolli: S’është paramenduar një papërgjegjësi kaq e lartë e klasës politike për të gjetur kompromis

Bujar Dugolli, profesor, ka thënë se ngërçi politik përveç se ka pasur ndikim brenda vendit, ka shkaktuar pakënaqësi edhe te faktori ndërkombëtar.

Ai e ka vlerësuar shqetësuese papërgjegjësinë e klasës politike për të formuar institucionet në kohë.

“Është një pakënaqësi jo vetëm e brendshme për ngërçin politik, por edhe tek aktori ndërkombëtar, BE-ja, SHBA-ja. Nuk është paramenduar që ka një papërgjegjësi kaq të nivelit të lartë të klasës politike që nuk gjejnë kompromis për të ecë tutje në agjendën e shtetit. Është shqetësuese”, ka thënë ai.

Teksa ka komentuar tri mesazhet që presidentja e Komisionit Evropian i dha Kosovës, Dugolli ka thënë se sa i përket mesazhit për ulje të tensioneve, ai duhet t’i drejtohet Serbisë.

“Te tensionimi ka një adresë ku duhet të bëhet thirrje për të mos tensionuar situatën, ajo është në Beograd”, u shpreh tutje.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, i ka kërkuar Kosovës që “të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, të ulë tensionet në vend” si dhe “të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”.