Statovci: Opozita ka zgjedhur strategji sabotuese

10 o. më parë / 25 qer 2025 11:36
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci,

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë se partitë e ish-opozitës kanë zgjedhur të sabotojnë procesin e votimit për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Sipas saj, me këto veprime ata po shkelin Kushtetutën.

“Po e shohim që egoja e opozitës është më e lartë sesa interesi i Kosovës dhe konstituimi i Kuvendit. Përveç një strategjie sabotuese nga opozita, nuk kemi pjesëmarrje në proces të votimit. Ne kemi bërë thirrje që të ketë votim, qoftë për apo kundër. Po e shkelin Kushtetutën. Opozita po tenton të sabotojë procesin e votimit si dhe hapat e mëtutjeshëm duke na lënë në rrethana të pamundura për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Statovci pasi dështoi përpjekja e 37-të për konstituim.

Zogaj e lë fajtore VV-në për bllokadën në Kuvend

10 o. më parë / 25 qer 2025 11:25
Alban Zogaj

Foto: KSP

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka thënë se ka ndodhur edhe një dështim i radhës.

Sipas tij, qytetarët kanë filluar të protestojnë dhe kjo është shenjë e mirë.

Ka shtuar se fajtori kryesor për këtë situatë është partia që i ka fituar zgjedhjet.

“Nuk ka asnjë përpjekje për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë ai.

Çitaku: Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Kurtit

10 o. më parë / 25 qer 2025 11:24
Citaku

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë fajtorët kryesorë pse vendi është në krizë politike.

Pas përfundimit të përpjekjes së 37-të për konstituimin e Kuvendit të mërkurën, Çitaku ka thënë se Kurti duhet të reflektojë.

“Kjo situatë është e papranueshme. Në këtë pikë të bllokadës jemi si rezultat i kryeneçësisë, papërgjegjësisë së LVV-së dhe Albin Kurtit. Kam dëgjuar deklarata qesharake gjoja i kanë numrat për qeveri dhe jo për parlament. Kjo s'do koment. I bëjmë thirrje Kurtit që të reflektojë. Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e tij”, u shpreh ajo.

Dy minuta seancë për një tjetër dështim

10 o. më parë / 25 qer 2025 11:18
kuvendi - 25 qershor

Photo: Driton Paçarada

Rreth dy minuta ka zgjatur mbledhja e deputetëve të mërkurën. Rezultati – tjetër dështim për konstituim të Kuvendit. Edhe sot deputetët nuk votuan për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Është hera e 37-të që deputetët dështojnë në konstituim të legjislaturës së nëntë.

Pro komisionit votuan 52 deputetë. 

Seanca e ardhshme do të mbahet të premten me fillim prej orës 11:00.

Deri tash, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka siguruar shumicën për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut fillimisht për kryeparlamentare, e më pas as komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Partitë që deri tash ishin në opozitë nuk kanë votuar për këtë komision.

Rregullorja e punës obligon deputetët të mblidhen çdo dy ditë për seancën konstituive, e cila konsiderohet e mbyllur pas zgjedhjes së kryesisë. Si rrjedhojë, Kuvendi po mban mbledhje çdo dy ditë tash e më shumë se 70 ditë.

E moskonstituimi po i kushton Kosovës me miliona euro. Mosratifikimi në Kuvend i marrëveshjes së Kosovës me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes nënkupton që Kosova nuk po mund të përfitojë ende nga ky buxhet multimilionësh. Për dallim, Serbia tashmë ka marrë mbi 50 milionët e parë.

“Unë jam deputet bllokues”, shoqëria civile aksion para Kuvendit

11 o. më parë / 25 qer 2025 10:54
“Unë jam deputet bllokues”, shoqëria civile aksion para Kuvendit

Photo: Driton Paçarada

Organizatat e shoqërisë civile kanë zhvilluar të mërkurën aksion simbolik përpara hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj moskonstituimit të legjislaturës së re.

 

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se kjo situatë i ka kaluar kufijtë e normales.

Sipas tij, të vetmëve që nuk u është bërë mjaftë, janë deputetet e Kuvendit.

Ka shtuar se Kuvendi është shndërruar në cirk të demokracisë.

“Deputetët mblidhen për disa minuta punë edhe pse pagat po i marrin. Presim që deputet t’i thërrasin arsyes. As Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidh këtë ngërç. Deputetët duhet të kenë vullnet politik që ta tejkalojnë këtë bllokadë”, ka thënë ai.

Mexhide Demolli nga kjo organizatë ka thënë se ky aksion do të vazhdojë sa herë që do të ketë seancë të Kuvendi.

Të pajisur me pankarta me mesazhe të drejtpërdrejta si “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni”, “Deputetë, emri juaj është bllokadë” e “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan t’i japin fund krizës institucionale dhe theksuan përgjegjësinë e deputetëve për të përmbushur mandatin e tyre.

Protesta u zhvillua në prag të vazhdimit të seancës së 37-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.