Arbëri

Drashkoviq: Vrasja e 6 fëmijëve serbë në Pejë, u krye nga regjimi i Millosheviqit dhe UDBA

Vuk Drashkoviq

Ish-politikani dhe shkrimtari serb Vuk Drashkoviq ka thënë se Kisha Ortodokse serbe nuk e ka dënuar asnjë krim që kanë kryer serbët, duke nisur nga luftërat që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. 
Në një bisedë për emisionin “Pa censurë”, Drashkoviq tha se Kisha ortodokse serbe madje nuk kishte dënuar as vrasjen e të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë më 14 dhjetor të vitit 1998, duke thënë se ai krim ishte kryer nga serbët dhe kishte qëllim t’i atribuohej faji shqiptarëve. 

“Atë që e kam thënë, çfarë është edhe më shqetësuese, Kisha jonë nuk e ka dënuar asnjë krim të vetëm që e kanë kryer serbët, në ato lufta ku edhe u vra Jugosllavia. Nuk e ka dënuar as krimin e madh ndaj Ukrainës, madje nuk e ka dënuar as vrasjen e fëmijëve tanë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë. Fëmijët tanë u vranë nga Wehrmachti më 1941 në Kragujec dhe nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit e UDBA më 1998 në kafenenë ‘Panda’ në Pejë. Pse? Që krimi – krim i tmerrshëm, vrasja e gjashtë fëmijëve serbë në kafene -  t’i atribuohej shqiptarëve dhe të rritej urrejtja në Serbi ndaj shqiptarëve. Ky ishte qëllimi”, tha Drashkoviq. 

Më 14 dhjetor të vitit 1998 persona të armatosur kishin hyrë në kafenenë “Panda” në Pejë” dhe kishin vrarë gjashtë të rinj serbë. 

Për këtë rast fillimisht ishin arrestuar më shumë se 150 shqiptarë në Pejë e më 17 dhjetor të vitit 1998 u arrestuan gjashtë të rinj shqiptarë. Ata ishin të moshave nga 17 deri 22 vjet. Të rinjtë ishin torturuar dhe njëri nga ta kishte pranuar vrasjen nën tortura. Në gjyq ata u shpallën të pafajshëm pasi nuk kishte prova për përfshirjen e tyre dhe u dënuan me nga një vit burgim për prishje të rendit publik.  

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për “TV Pink” afro 11 vjet më parë – në kohën kur nuk e mbante postin e presidentit -  kishte thënë se nuk ka prova se krimi ishte kryer nga shqiptarët. 

“Ka shumë gjëra të tmerrshme me të cilat duhet të përballemi, siç është vrasja e serbëve në kafenenë ‘Panda’ në Kosovë dhe M. më 1998, për të cilën nuk ka prova se është kryer nga shqiptarët, siç besohej”, tha Vuçiq atëbotë. 

Prokuroria publike për krim të organizuar në Serbi kishte pranuar një kërkesë për ta marrë në pyetje presidentin e Serbisë, Vuçiq, në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me rastin “Panda” në fund të gushtit të vitit 2023.

Kërkesa ishte bërë në emër të prindërve të viktimave nga avokati Ivan Niniq. 

Në kërkesën drejtuar Prokurorisë për krim të organizuar, avokati Niniq ka thënë se prindërit e viktimave kërkojnë që Vuçiqi të dëgjohet për rastin “Panda” në lidhje me deklaratat që kishte bërë disa herë për media, nga viti 2013 deri më 2018.