Arbëri

Dokumenti që e përgënjeshtron Qeverinë në arsyen që përdori për ta kundërshtuar Projektligjin kundër COVID-19

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Një dokument i nxjerrë nga vet Zyra e Kryeministrit, tregon se nisma ligjore e kryeparlamentares Vjosa Osmani për masat kundër pandemisë COVID-19, ishte në harmoni me konventat ndërkombëtare. Megjithëkëtë, Qeveria i ishte referuar edhe atij, për të arsyetuar kundërshtimin e kësaj nisme.

KOHA i ka siguruar kopjet e disa dokumenteve, përfshirë Opinionin ligjor të përputhshmërisë së Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, me legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE). Ai është nxjerrë me 29 qershor, nga Departamenti i së drejtës së BE-së. Opinioni ishte kërkuar nga vet Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit.

Ky opinion ka konstatuar se masat kufizuese që parasheh Projektligji, ishin në harmoni me konventa relevante ndërkombëtare.

Në pjesën përfundimtare të Opinionit ku jepet vlerësimi final, theksohet se Projektligji “është në përputhje me Acquis të BE-së, përkatësisht me Konventën evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, Kartën e të drejtave themelore të Bashkimit Evropian, si dhe me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, respektivisht Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”.

KËTU mund ta lexoni përmbajtjen e plotë të dokumentit:{gallery}

Përkundër kësaj, në mbledhjen e së enjtes të Qeverisë, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj është thirrur në këto dokumente, për të argumentuar se Projektligji nuk duhej të përkrahej.

“Sipas procedurave përkatëse, të gjitha ministritë kompetente kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre. Në rrjedhë të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se nuk e mbështet nismën legjislative të iniciuar nga disa deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për rregullim të ri ligjor, me të cilën bëhet kufizimi i disa prej lirive dhe të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Selmanaj.