Dy pika të rendit të ditës kanë marrë mbështetjen e Kuvendit të premten në seancën që zgjati gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje. Kuvendi i tha po në parim Projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme. E mbështeti edhe dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza. E në fund dështoi që t’i propozojë dy emra për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Byroja për verifikim dhe konfiskim mori 81 vota për. Aty pati debat të gjatë pushtet-opozitë. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit tha se aty janë reflektuar edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, e edhe të Gjykatës Kushtetuese.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Byroja nuk konfiskon, nuk gjykon, nuk i zëvendëson gjykatat. Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin, konfiskimin e bën gjykata. Ky ligj nuk merret me qytetarin e zakonshëm por me zyrtarët publikë”, ka thënë Gervalla.
Por, ligjvënës të PDK-së kanë shprehur vërejtje te Projektligji që nga emërtimi i tij deri te përmbajtja. Deputeti Përparim Gruda ka thënë se projektligji ka në emërtim konfiskimin, ndonëse Byroja nuk do të konfiskojë, ndërkaq për përmbajtjen e dokumentit ka munguar konsultimi publik, sipas tij.
“Nëse ne i japim shanse Kuvendit që mes dy leximeve të bëjmë një konsultim publik, mund t’i adresojmë këto. Sot PDK-ja do të abstenojë për ta dhënë një shans. Nëse vërejtjet nuk adresohen ne nuk mund ta kalojmë këtë ligj sepse vërejtjet që përmenda janë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Gruda.
Vërejtje kanë dhënë edhe deputetë të LDK-së dhe AAK-së, sipas të cilëve, nisma ligjore është iniciuar edhe për efekt elektoral.
“Sot pyetja nuk duhet të jetë a jemi për a kundër por duhet të jetë a jemi për një byro që funksionon sipas Kushtetutës apo për një byro që rrezikon të maltretojë të pafajshmit, vetëm për diskurs publik elektoral”, ka thënë deputetja nga radhët e LDK-së, Doarsa Xhelili.
Kritika ka shprehur edhe deputeti Besnik Tahiri nga AAK-ja.
“Është ka shihet siç tha Glauku, është ka shihet prej aeroplani që është ka ndërtohet një program politik për zgjedhjet e ardhshme që u ndërlidh me pagën e 13, me pakon 200 milionë, me Byronë, që janë zotime tuaja që keni dështu me i pru”, ka thënë ai.
Vlera nga e cila do të nisë verifikimi i pasurisë së zyrtarëve publikë është paraparë të jetë mbi 25 mijë euro, e LDK-ja ka propozuar që kjo të nisë nga ministrat dhe deputetët.
Në fjalën e saj ministrja Gërvalla ka thënë se projektligji nuk ka pësuar ndryshime nga hera e fundit kur është miratuar në Kuvend, porse është e hapur për konsultim publik.
Por menjëherë pas miratimit me votat e LVV-së, LDK-së, AAK-së dhe pakicave joserbe, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka kërkuar mocion për shkurtimin e afateve kohore për trajtimin e tij në lexim të dytë. E kjo nxiti tjetër debat. Në fund mocioni i VV-së nuk kaloi.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia pati rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti. Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Gjykata më e lartë në Kosovë në vendimin e janarit shfuqizoi ligjin për Byronë me arsyetimin ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.
E pajtim pati në Kuvend pati për çështjen e dërgimit të FSK-së në Gaza si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ky propozim mori 89 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se dërgimi i ushtarëve të Kosovës në operacione të tilla krijon besim te aleatët ndërkombëtarë.
Ndërkaq pika e fundit, ajo për propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë në Kushtetuese, ishte ajo që dështoi. U deshën katër runde, me secilin rund që eliminonte një kandidat, për t’iu afruar garës me vetëm tre kandidatë. Në fund, asnjëri s’i mbërriti dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. E në këtë rast ishin 115 deputetë.
“Në bazë të raportit të komisionit zgjedhor konstatoj se asnjëri kandidat nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u propozuar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese andaj duhet ta përsërisim konkursin. Kërkohet nga komisioni përkatës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për publikimin e thirrjes/ftesës për propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pas votimit.
Mospërcaktimi për ndonjërën kandidaturë e lë Gjykatën Kushtetuese me shtatë anëtarë, që përbën minimumin e nevojshëm për vendimmarrje
Dy pozitat janë liruar në fund të dhjetorit 2024, pas përfundimit të mandatit të ish-kryetares Besa Caka-Nimani dhe gjyqtares Selvete Gërxhaliu-Krasniqi.
Ndërkaq, në gusht të vitit 2027 u përfundon mandati edhe pesë gjyqtarëve të tjerë të Kushtetueses.
Mandati i gjyqtarëve të Kushtetueses zgjat 9 vjet, pa mundësi rizgjedhjeje.