Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, të mërkurën e ka përfunduar dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Për tri ditë ai dha dëshmi në mbrojtje të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit - të cilët Prokuroria e Specializuar në Hagë i ngarkon me krime të pretenduara të luftës .
“Privilegj që për mua që të jem këtu, pavarësisht që zgjati pak si shumë. Është një kënaqësi e madhe për mua dhe është përdorim shumë i rëndësishëm i kohës time. Është shumë e rëndësishme që isha këtu dhe iu thash mendimet e mia dhe dhashë dëshminë time në këtë çështje”, ka thënë Rubin para se të lë bankën e dëshmitarëve në gjykatoren e Dhomave të Specializuara.
Rubin: E mësova nga O’Brien që Thaçi pati kërcënime të mos e nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë
Në ditën e tretë të dëshmisë së tij në gjykimin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish-diplomati amerikan James Rubin, tha e ka mësuar nga James O’Brien se Hashim Thaçi se nuk guxonte ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë meqë është i kërcënuar me jetë në shkurt të 1999-s. Këtë dëshmitari i propozuar nga mbrojtja e tha para Gjykatës Speciale pasi avokati i Thaçit e ballafaqoi atë me një faqe libri të shkruar nga ambasadori Christopher Hill që ishte po ashtu pjesë e delegacionit amerikan në Rambuje.
“ ‘Disa ditë para pushimit që do ta kishim pas dy javësh në këtë proces Thaçi na shqetësoi pasi u largua nga konferenca më 18 shkurt, duke u kthyer me kërkesa edhe më të ashpra. Kurrë s’më tregoi se ku shkoi, ndonëse ne dyshonim se shkoi ta takonte Adem Demaçin – drejtuesin politik të vet emëruar të UÇK-së, i cili kishte refuzuar të merrte pjesë në Rambuje. Për muaj Demaçi kishte bërë deklarata të forta në Prishtinë, kështu që serbët asnjëherë nuk ndërhynë te ai, ky ishte kontributi i tij në argumentin e tyre që UÇK-ja ishte thjesht grup i radikalëve të çmendur. Pse nuk pajtoheni me këtë, e pyeta Thaçin duke mos i ditur pasojat gati fatale nëse kosovarët thoshin jo. “Ti s’po e kupton”, tha ai. “Nëse unë pajtohem me këtë, unë do të kthehem në shtëpi dhe do të më vrasin’. Z. Rubin, kjo që e ka thënë ambasadori Hill a ju ndihmon me kujtesën tuaj kur thatë që dikujt i ka treguar z. Thaçi që e kanë kërcënuar – kujt mund t’i ketë thënë pra?”, pyeti Mishetiq.
E Rubin nuk shprehu mos-pajtim me përmbajtjen e librit, tek tha se ka mundësi që Thaçi i ka treguar fillimisht Hillit se është i kërcënuar e më pas Hilli O’Brienit.
“Mendoj që ia ka thënë Chris Hillit këtë, por ka të ngjarë që Chris Hill t’ia ketë thënë z. O’Brien që ka qenë një nga shokët e mi dhe ata kanë qenë shumë më të afërt me njëri-tjetrin, kështu që kështu e kam mësuar unë”, tha Rubin.
Rubin për Demaçin: Ishte ekuivalenti i Nelson Mandeles
James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i shtetit, e ka krahasuar Adem Demaçin me Nelson Mandelën.
Ai ka thënë se të martën është pyetur për të, por ka harruar të cek diçka të rëndësishme rreth tij.
“Dje më bëtë shumë pyetje për z. Demaçi dhe unë nuk u përgjigja për diçka të rëndësishme. Ky ishte një person me status në lëvizjen e tyre – është ekuivalenti i Nelson Mandelës madje, që ishte burgosur për shumë e shumë vite dhe kishte pushtet moral të jashtëzakonshëm ndaj lëvizjes për çlirim”, ka thënë ai.
Rubin: Komunikatat e UÇK-së ishin përpjekje për ta bërë më të rëndësishme atë
Trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së i ka përfunduar pyetjet për ish-ndihmësin e sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin. Seanca në Hagë po vazhdon me pyetjet shtesë të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Kjo është dita e tretë që ish-diplomati amerikan po paraqitet në bakën e dëshmitarëve në Gjykatën Speciale.
Gjatë paradites sot, Rubin tha se në Kosovë nuk ka parë brigade, batalione apo njësi formale të UÇK-së.
“Kishin uniforma, disa kishin e disa jo, nuk i konsideronim si Polici Ushtarake”, tha ai gjatë intervistimit nga gjykatësit.
“Kam lexuar komunikata por i kam parë më shumë si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se që ishte”, theksoi Rubin.
Pas pyetjeve të trupit gjykues, ZPS-ja tha se nuk ka pyetje shtesë dhe seanca po vazhdon me pyetjet e avokatit mbrojtës së Thaçit, Luka Misetiq.
Rubin është dëshmitari i parë që mbrojtja e ish-presidentit Thaçi e ka sjell në gjykatore. Pas tij pritet të dëshmojnë edhe dhjetë dëshmitarë të tjerë në mbrojtje të Thacit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po mbahen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 kur edhe ishte bërë publike aktakuza ndaj tyre.
Rubin vazhdon dëshminë edhe në ditën e tretë
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, do të dëshmojë për ditën e tretë rresht në Gjykatën Speciale, në rastin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca e sotme nis në orën 9:00, por transmetimi bëhet me 45 minuta vonesë.
Rubini në dy ditët e para ka insistuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë komanduese. Madje ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) ka theksuar se edhe Hashim Thaçi është ndikuar nga qëndrimet e Adem Demaçit.
Teksa të martën u është përgjigj pyetjeve të gjyqtarit Christoph Barthe, Rubini ka thënë se pasi në Rambuillet delegacioni i Kosovës nuk e ka pranuar marrëveshjen, sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, ka realizuar një telefonatë me Demaçin.
“Thaçi kishte nevojë që Demaçi të thoshte që ta shtyjmë pak më vonë çështjen e pavarësisë. Prandaj zoti Demaçi ishte eprori i tij nga vendimmarrja në këtë grup. Ai kishte nevojë për mbështetje ideologjike nga themeluesi apo personi kryesor ideologjik”, ka theksuar Rubini.
Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve ka insistuar se Demaçi, i cili e ka drejtuar Zyrën e UÇK-së në Prishtinë, ka qenë figura kryesore e gueriles.
Rubini ka theksuar se edhe në Rambuillet, Thaçi vazhdimisht është konsultuar me Demaçin, i cili ka qenë kundër nënshkrimit të marrëveshjes. Ai ka thënë se roli i Demaçit është relativizua pasi që ai është dorëhequr, në shenjë pakënaqësie me pranimin e marrëveshjes nga ana e Thaçit.
“Ne të gjithë u kthyem përsëri në Rambuje dhe të gjithë informacionin e diskutuam. Mendoj që dikush më ka thënë, dikush të cilit ia kam dëgjuar fjalën ose dikush me kompetencë, ose më ka thënë Thaçi ose dikush nga ambasada, pra më është thënë apo të paktën unë kam besuar se Adem Demaçi nuk ishte më lojtar aktiv pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambuillet. Me fjalë të tjera është anashkaluar, ka theksuar Rubini.
Në ditën e dytë të dëshmisë, Rubini ka thënë po ashtu se nuk ka parë asnjëherë Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së, porse në malet e Berishës e ka parë një tendë me disa karrige dhe Thaçin për tri ditë me radhë tek u bindej komandantëve që kanë qenë të pranishëm.
“Unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka pasur ndonjë shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam parë ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam parë ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, është shprehur ai.
Ish-diplomati amerikan, i cili është dëshmitar i mbrojtjes, u është përgjigjur edhe pyetjeve të prokurorëve përkitazi me ngjarje që janë të përfshira në aktakuzë, por disa herë ka thënë se ato nuk i kujtohen.
Prokurori James Pace e ka pyetur për qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale. Rubini ka thënë se procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve është padrejtësi.
“Fakti që të akuzuarit kanë qenë janë në burg për më shumë se pesë vjet dhe janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe shtetin e së drejtës dhe mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vite përpara se të ndiqet penalisht një çështje penale ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë nuk e kuptoj fare se pse është dashur të qëndrojë në burg për pesë vite”, ka thënë ai.
Ish-këshilltari i lartë në DASH ka thënë se nuk e sheh si të drejtë gjykimin, tek ka shtuar se ky nuk ka qenë vizioni që e ka ndjekur ish-shefja e tij, Madeline Albright, kur ka ndihmuar në themelimin e Tribubalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavi.