Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Dida-Bujari ka thënë se për 20 vjet Kosova është udhëhequr nga njerëz të padijshëm.
Të enjten në “Konfront” mbi temën për programin e LVV-së në betejën e saj të 28 dhjetorit, Dida-Bujari ka thënë se që pas shpalljes së pavarësisë, vendi është udhëhequr nga njerëz që nuk kanë pasur angazhim shtetëror serioz.
“Kosova për 20 vjet është udhëhequr fatkeqësisht nga njerëz jo të dijshëm, njerëz të cilët nuk e kanë pasur prioritet Kosovën. Për 20 vjet nuk ka qenë prioritet. Po flasim për periudhën pas pavarësisë së Kosovës. Angazhimi shtetëror serioz fillon me Albin Kurtin. E them me përgjegjësi të plotë sepse jemi qytetarë të këtij vendi dhe mediat janë ato që fatkeqësisht, jo të gjitha fatmirësisht, janë duke e bërë një punë të jashtëzakonshme propaganduese anti-qeveri.
Gashi: Qysh mundet me pas papunësi në Kosovë? E kemi ulur në 10%, kundërshtohet nga analisti Misini
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Gashi, ka deklaruar se nga 25.8% e kanë ulur papunësinë në 10%. Sipas kandidatit Gashi, qeverisja e Albin Kurtit ka sjellë edhe rritje ekonomike.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Gashi ka thënë se një prej projekteve që ka ndikuar në uljen e papunësisë është edhe “Super Puna”.
“Kemi rritje ekonomike. Çështja e përceptimit është diçka tjetër, çështja e të vërtetës është diçka tjetër. Kemi ulje të papunësisë nga 25.8% në 10%. Këtë përqindje e ka ulur formaliteti, përfshirja, projektet si ‘Super Puna’. Rritja e punësimit në pesë vitet e fundit është nga 360 mijë në 421 mijë. Kemi 20 mijë persona që kanë përfituar nga ‘Super Puna’, e prej tyre mbi 50% kanë vazhduar të qëndrojnë në atë vend të punës edhe pas gjashtë muajve. Kemi pasur rritjen e pagës minimale katër herë në më pak se katër vite. Nuk është vetëm cikël politik por edhe vazhdimësi që mendojmë se do ta kemi edhe në vitin 2026. Kemi rritje të pagave në sektorin publik”, ka deklaruar Gashi.
Por, me deklaratat e Gashit, nuk është pajtuar analisti, Shkumbin Misini. Sipas Misinit, rritja e punësimit është vetëm 1% në mesatare ndërsa e ka pyetur Gashin nëse kanë bërë ndonjë analizë për rritjen e kërkesave për kredi konsumuese.

Misini në emisionin “Konfront” në KTV, tha se kërkesa për këto kredi është 104%.
“Shihe raportin e fundit, një ndër problemet e Kosovës është kosto e jetetës, papunësia. Rritjen e punësimit e keni vetëm 1% në mesatare. Nuk është e vërtetë kjo që thua. Shihe raportin nga viti 2020 deri në fund të 2024-ës. Në Administratën Tatimore të Kosovës e keni me përqindje vetëm 1%. Unë mbaj përgjegjësi për këtë që po flas. Na tregoni atëherë pse po rriten kreditë konsumuese nëse kualiteti i jetës na qenka shumë i mirë. A e dini sa është rritur kërkesa për kredi konsumuese, a keni bërë analiza. 104% kemi rritje për kredi konsumuese”, ka deklaruar Misini.
Dida-Bujari: Komuna e Prishtinës, përgjegjëse që shkolla "Prenk Jakova" s'ka objekt
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Jeta Dida-Bujari, e ka cilësuar si fajtore Komunën e Prishtinës që shkolla e muzikës “Prenk Jakova” nuk ka objekt fare.
Ajo në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se Komuna e Prishtinës e ka realizuar projektin për objektin e Shkollës së Muzikës bashkë me kolektivin e shkollës, përfshirë edhe Dida-Bujarin si udhëheqëse mirëpo ka qenë ndarja e pronës ajo që sipas saj po e kthen këtë çështje në pikën zero gjithmonë.
“Shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova’ nuk ka objekt fare dhe nuk është në kompetencën e Ministrisë së Kulturës. Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për mosndërtimin e Shkollës së Muzikës. Komuna e Prishtinës e ka realizuar projektin për Shkollën e Muzikës. Projekti është final. Unë se bashku me kolegët kemi qenë pjesëmarrës në përpilimin e projektit. Është kërkuar ‘feedback’ nga ne që të shohim se a janë përmbushur kërkesat që në kemi pasur si shkollë për shkak të specifikave që ka Shkolla e Muzikës. Gjithmonë prona është e kontestueshme. Pasi bëhen të gjitha përgatitjet vjen finalizimi i shkollës atëherë kthehemi përsëri në pikën zero. Është ndarë një pronë prapa ‘Rilindjes’ por akoma nuk të reja për këtë çështje”, ka deklaruar Dida-Bujari.
Dida-Bujari: Jam gruaja më e votuar për asambliste në të gjithë Kosovën
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje Jeta Dida-Bujari, e pyetur për përitshmëritë e saj në këtë garë, ka deklaruar se një prej arsyeve që e ka shtyrë për kandidim në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit është edhe fakti që është gruaja më e votuar për asambliste në Kosovë.
Dida-Bujari në emisionin “Konfront” në KTV, theksoi se udhëheqja me Shkollën e Muzikës në Prishtinë, i është shpërblyer nga qytetarët.
“Së pari është mjaft interesante të përmendet çështja e asamblesë sepse unë dola e para grua femër që fitoi më së shumti vota jo vetëm në Prishtinë por në të gjithë Kosovën. Njerëzit e kanë vlerësuar produktivitetin tim përgjatë mandatit tim si profesoreshë e pianos ku vazhdueshëm kam treguar suksese të jashtëzakonshme me nxënësit e mi në arenën kombëtare e ndërkombëtare duke triumfuar me vende të para, të dyta e të treta. Po ashtu si drejtoreshë e shkollës kam qenë jashtëzakonsiht produktive dhe mendoj se Shkolla e Muzikës nuk ka pasur deri në këto vite sa kam udhëhequr unë një dikë i cili e ka transformuar rrënjësisht këtë shkollë duke e njohur për 22 vite si unë që kam qenë pjesë e asaj shkolle. Nuk e kam pritur që do të jem më e votuara por është pjesë e karakterit tim kjo qasje për punë të cilat kanë qenë një pikënisje e njerëzve që më kanë votuar”, ka deklaruar Dida-Bujari në emisionin “Konfront” në KTV.