Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Derisa bllokada institucionale zgjatet, paralajmërohen pasojat

Dështon konstituimi i Kuvendi edhe për herën e 23-të

Foto: Driton Paçarada

Edhe për të paktën 25 ditë është shtyrë nisja e procedurave për formimin e Qeverisë, me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por, si pasojë e kësaj zvarritje, janë paralajmëruar pasoja të rënda ekonomike, politike e ndërkombëtare.

Naim Jakaj, hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se nëse bllokada vazhdon dhe Qeveria nuk formohet deri më 31 tetor për ta proceduar buxhetin e vitit 2026 në Kuvend, do të ketë pasoja financiare të theksuara.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pasojat fillimisht do të jenë financiare, buxhetore të brendshme, në ndërkohë ato të jashtme ato që mund të bëhemi pjesë e përjashtimit të marrjes së fondeve nga plani i rritjes për shkak që ne nuk po mbërrijmë që ta konstituojmë një Kuvend, rrjedhimisht t’i miratojmë ato marrëveshje ndërkombëtare sepse edhe për miratimin e atyre marrëveshjeve ndërkombëtare duhet me pas qeveri, nuk mundet Kuvendi vetë të hyjë një obligimi sepse nuk mundet më pastaj t’i ekzekutojë ato detyrime të cilat i merr përsipër t’i kryejë”, ka thënë Jakaj.

E sipas analistit Shkodran Ramadani, përveç pasojave ekonomike e atyre ndërkombëtare, mungesa e kompromisit për formimin e institucioneve të reja për kohë kaq të gjatë do të shkaktojë dëm edhe në aspektin politik në Kosovë.

Më 30 shtator do të përfundojë masa e përkohshme e Gjykatës, e cila është nxjerrë sipas detyrës zyrtare, por edhe duke u bazuar në kërkesën e deponuar në Kushtetuese, një javë më parë nga Lista Serbe.

Në kërkesën e saj, Lista Serbe kërkon që Gjykata ta urdhërojë kryeparlamentarin Dimal Basha që të përsërisë votimin e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet dhe këtë ta bëjë në pako.

Në anën tjetër anipse nuk kanë treguar rezultat në punën e tyre, buxheti është shpenzuar për pagat e deputetëve.

Nga 15 prilli e deri më 30 shtator, kur edhe përfundon masa e fundit e përkohshme e Kushtetueses, deputetët do të paguhen në total mbi 1.26 milionë euro nga buxheti i shtetit. E krahas pagës bazë, kanë edhe kompensime shtesë, përfshirë ato për angazhimin e asistentëve

Bazuar në kalkulimin e pagave të tyre, deputetët për punën e bërë në zhvillimin e vazhdimeve të seancës konstituive kanë marrë rreth 460 mijë euro, sa edhe për ditët e pauzave. Vazhdimet e seancës konstituive, që nga 15 prilli janë mbajtur kryesisht çdo 48 orë.

E për ditë të pushimeve gjatë dy masave të përkohshme të caktuara nga Kushtetuesja, më 30 shtator do të rrumbullakohet në 340 mijë euro vlera e pagesave për ta.